Një projektligj i hartuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare synon të reduktojë kostot nga aksidentet për kompanitë e sigurimit duke ulur masën e dëmshpërblimit të përfituar nga të aksidentuarit.
Nëse deri më sot e kemi parë ligjin si mjet për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve, sot nëpërmjet ligjit synohet kryerja e abuzimit në raport me konsumatorin. Lobet e fuqishme të biznesit sot kanë ndryshuar strategji. Nuk kanë nevojë të blejnë gjyqtarët apo punonjësit e administratës, por “blejnë vetë ligjin”. Kështu po synohet haptazi në mënyrë abuzive që nëpërmjet AMF të hartohet një legjislacion në dëm të viktimave të aksidenteve e në favor të shoqërive të sigurimit. Me projektligjin e ri “Për Sigurimin e Detyrueshëm në Sektorin e Transportit”, AMF (pra autoriteti shtetëror që do të duhej të mbronte viktimat e të mbikëqyrë shoqëritë e sigurimit) shkon në pikën ku harton projektligje në kundërshtim me të drejtën BE dhe çdo normë tjetër ndërkombëtare në sektor, me synimin e vetëm që të mbrojë të fortët dhe jo viktimat!!! Jo vetëm kaq, por ky projektligj, në vend që të përmirësonte situatën jo aq pozitive aktuale, vepron duke e përkeqësuar edhe më keq atë çfarë ekzistonte deri më tani.
Koncepti se çfarë është ligji në një vend të ashtuquajtur lirie, cila është mënyra që duhet zbatuar, caqet e tij apo deri ku zbatohet, teoricienët e së drejtës e kanë shtruar si problem jo vetëm në emër të kërkesës së madhe globale për gjetjen e sistemit më të mirë ligjor, por edhe të kërkesave specifike që shtrohen në përditshmërinë e njeriut në ngjarje të paparashikueshme të jetës. I tillë është instituti i dëmshpërblimit për dëmet e shkaktuara nga ngjarjet e aksidenteve për shkak të përdorimit të mjeteve motorrike.
Regjimi i trajtimit të dëmit pasuror dhe jopasuror në fushën e transportit në rastet e ngjarjeve të aksidentit, normohet nga parashikimet e ligjit të posaçëm nr.10076/2009 “Për Sigurimin e Detyrueshëm në Sektorin e Trasportit”. Ky ligj buroi si detyrim jo vetëm i përshtatjes së standarteve që imponojnë Direktivat Europiane, por edhe i qëndrimit unifikues të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë në vitin 2007. Kjo e fundit, nisur nga praktikat e ndryshme të gjykatave që lidhen me zbatimin e ligjit të kaluar për sa i përket përfitimeve të dëshmshpërblimit në rastet e dëmeve jashtëkontraktore (duke përfshirë këtu dhe mënyrën e llogaritjes veçanërisht të dëmeve jopasurore),vendosi të unifikojë praktikën duke i dhënë një koncept dëmeve jopasurore (biologjik, moral dhe ekzistencial) si dëme të pësuara nga cënimi i të drejtave dhe interesave jopasurore që bëjnë pjesë në vlerat e brendshme të njeriut dhe që nuk janë subjekte të drejtpërdrejta ekonomike në treg.
Megjithatë, ligji ka parashikuar kufizime jo vetëm në metodën e llogaritjes së dëmeve jopasurore, por edhe për sa i përket kufirit minimal të mbulimit të shumës nga Shoqëritë e Sigurimit (Në Shqipëri mbulimi shkon deri në 20 milionë lekë, në një kohë kur Direktiva Europiane dhe gjithë vendet Perëndimore e të Ballkanit, përfshirë edhe Kosovën, e kanë mbulimin e dëmit të paktën 1 milionë Euro në maksimum).
Kufizimet ngushtohen edhe më tepër me projektligjin e ri të draftuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, i cili ka propozuar ndryshme të reja në nenin 26 të Ligjit 10 076/2009, në metodën e llogaritjes së dëmit jopasuror, dhe njëkohësisht integroi në ligj një dispozitë kalimtare ku parashikonte shtyrjen e afateve për shlyerjen nga ana e Shoqërive të Sigurimit, të pagesave të prapambetura për dëmet e shkaktuara përpara datës 31.12.2013.
Nga momenti fillestar i paraqitjes së propozimit për ndryshim nga ana e këtij institucioni, e deri më tani, në një interval kohor (mbi) dy-vjeçar, projektligji ka ndryshuar mbi tre herë, duke reflektuar në këtë mënyrë paqartësi, pasiguri dhe ambiguitet nga ana e Autoritetit, për të kërkuar rishikimin e këtij ligji i cili duhet domosdoshmërish të vijë në interes të qytetarit për qëllime të trajtimit të dëmit sipas parimit të shpërblimit të drejtë, njëkohësisht i ndjekur nga parimi i restaurimit dhe të eficencës, si objektiva kryesor të sistemit konkret rregullator.
Fillimisht, në propozimet e vitit 2015, siç ka rezultuar nga publikimet zyrtare të AMF-së, forma, procedura dhe vlerat e trajtimit të dëmit jopasuror, paraqisnin një regres e mungesë të përmirësimit të dispozitave në krahasim me Ligjin aktual në fuqi. Më pas ndryshimet erdhën duke u theksuar, duke i dhënë qartazi një mbështetje shoqërive të sigurimit për të minimizuar detyrimet e tyre financiare kundrejt qytetarit.
Gjendja përvijohet edhe më rëndë për arsye se ky institucion rregullator nuk i ka dhënë ende një zgjidhje imediate ngërcit të Fondit të Kompensimit pranë Byrosë, ku rezulton se qindra qytetarë kanë vite që nuk dëmshpërblehen për shumat e fituara nga vendimet gjyqësore brenda afateve ligjore.
Nga ana jonë në cilësinë e “Rrjetit Të Avokatëve” pranë Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, janë paraqitur dy oponenca në formën e reflektimit ligjor drejtuar institucioneve kryesore që prekin këtë ligj deri në momentin e miratimit të tij në parlament. Beteja jonë për të kundërshtuar këtë projektligj do vijojë deri në komisionin parlamentar por edhe në Gjykatë Kushtetuese nëse do lind e nevojshme.
Kjo për arsyen e vetme se kemi refuzuar dhe kundërshtuar në mënyrë kategorike miratimin e ndryshimeve që kërkojnë të realizojnë në Ligjin aktual, pasi propozimet nuk përputhen aspak me qëllimin primar të çdo norme e parimi të përgjithshëm juridik, të cilin siç e kemi të qartë të gjithë, është rregullimi i raporteve pro futuro në interesin sa më të lartë të çdo individi në Republikën e Shqipërisë.
Për të qartësuar diferencën midis kufijve aktualë të ligjit dhe atij që kërkojnë të miratojnë në parlament (duke u fokusuar sidomos tek dëmi jopasuror) mjafton të ilustrojmë rastin e një ngjarje aksidenti ku i dëmtuari rezulton me pasojë paaftësi totale të përhershme, mosha 29 vjeç, kryefamiljar i martuar dhe me dy fëmijë.
Sipas përllogaritjeve, dëmi biologjik, moral dhe ekzistencial në ligjin aktual varion në shumat 2,100,000 lekë minumimi dhe 4,400,000 maksimumi. Ndërsa me ndryshimet e reja dëmet e mësipërme do të jenë një shumë fikse 1,440,000 lekë.
Diferenca rezulton të jetë nga 660,000 lekësh deri në 2,960,000 lekë humbje financiare të qytetarit në rastet e përfitimit të dëmshpërblimit.
As qëndrimi se etapat e qasjes legjislative me kuadrin europian vijojnë në mënyrë graduale, deri në përfundim të zbatimit të plotë të acquis, nuk justifikon aspak papërshtatshminë dhe mungesën e theksuar të vizionit që pasqyron ulja dhe kufizimi financiar që kërkon të ligjërohet në propozimet e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.
Ndryshime të tilla bien në kundërshtim flagrant me interesat e të dëmtuarve nga ngjarjet e aksidentit, në një kohë që rregullimet ligjore që kanë të bëjnë me të drejtat e shtetasve, duhet të kenë një qëndrueshmëri të mjaftueshme që siguron vijimësinë e tyre. Siç u theksua më sipër, projektligji jo vetëm që nuk rrit shumën e mbulimit të dëmit nga shoqëritë e sigurimit, por ka ndryshuar metodën e përllogaritjes së saj dhe nuk i jep asnjë zgjidhje problematikës së Byrosë Shqiptare të Sigurimit, në një mënyrë të tillë që viktima, trashëgimtarët apo i dëmtuari të dëmshpërblehen në shuma krejt qesharake, vlera përcakton etalonin matës financiar të jetës dhe shëndetit të individit në një shtet të presupozuar ligjor si ky i yni.
Propozimi kërkon të mbështesë haptazi vetëm shoqëritë e sigurimit, duke përkeqësuar pozitën e viktimës dhe të dëmtuarve që ky ligj ka për qëllim të mbrojë. Konkludimi i tij me miratimin në Parlament hap dyert e cënimit të së drejtës kushtetuese për shpërblim të drejtë çdo qytetari potencialisht të ekspozuar nga një ngjarje e mundshme aksidenti në një vend ku pasiguria është emëruesi i përbashkët e hapësirës ku jetojmë.
Ky shkrim u publikua fillimisht në Tirana Observer