Lajm29 Dec 2020

Për të dytën ditë radhazi, përsëri tërmete në Kroaci

Pas tërmeteve të ditës së djeshme, një tjetër seri tërmetesh goditën përsëri sot Kroacinë, epiqendra e të cilëve ishte në zonën e Petrinjas, rreth 46 kilometra në jug të Zagrebit.

Autor: Sasa Dragojlo BIRN Beograd
Printo

Petrinja, Kroaci. Foto kortezi e N1.

Tërmeti i parë me magnitudë 6.3 e kishte epiqendrën në në zonën e Petrinjas në orën 12:20, njoftoi Qendra Sizmologjike Mesdhetare Europiane.

Ky është tërmeti më i madh që ka goditur vendin deri më tani këtë vit, me mediat lokale që raportojnë dëme të konsiderueshme afër epiqendrës. Një minutë më parë, e njëjta zonë u godit nga një tërmet 4.2 sipas shkallës Rihter.

Edhe në rajon janë ndjerë lëkundje.

Praktikisht, është e njëjta epiqendër e tërmetit të djeshëm, i cili ishte i një magnitude 5 të shkallës Rihter. Epiqendra e tij ishte rreth 12 kilometra në jugperëndim të Sisakut, 60 km në jug të Zagrebit dhe afër Petrinjas.

Kryetari i bashkisë së Petrinjës, Darinko Dumboviç, tha për N1 se “gjysma e qytetit u shkatërrua”. Mediat raportojnë se një vajzë dymbëdhjetë vjeçare u vra.

Sipas raporteve të mediave, ka dëme të mëdha materiale edhe në Zagreb. Megjithatë, nuk dihet nëse deri më tani ka viktima në njerëz. Mediat raportojnë se në disa zona të Zagrebit nuk funksionojnë linjat telefonike dhe ka gjithashtu shkëputje të energjisë elektrike.

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, tha se ai po shkonte në Petrinja dhe se qeveria do t’i dërgojë të gjitha burimet që ka në dispozicion në atë qytet.

Sizmologu Kresimir Kuk tha për N1 TV se besohet se ky është tërmeti më i fortë dhe se do të pasohet nga më shumë lëkundje të tjera, por nuk mund të thuhet me siguri nëse do të jenë më të vogla.

Viti 2020 në Kroaci u shoqërua me disa tërmete.

Më 22 mars, tre tërmete të mëdha tronditën Zagrebin, duke rrëzuar një nga dy majat në katedralen e kryeqytetit dhe duke dëmtuar mijëra ndërtesa, ndërsa disa dhjetëra njerëz u plagosën.

Ai ishte tërmeti më i fortë në Zagreb në 140 vitet e fundit. Tërmeti i parë ishte 6.24, i dyti 5.3 dhe i treti 5 sipas shkallës Rihter.

Nëntë muaj pas tërmeteve në Zagreb, shumë njerëz nuk e dinë ende se kur do të rindërtohen shtëpitë e tyre dhe përballen me një dimër të gjatë nëpër banesa me qira, hostele apo edhe kontejnerë.