Lajm3 Sep 2019

Përballja e prokurorit Besnik Muçi me Kolegjin e Apelimit nis me shtyrje

Prokurori i Krimeve të Rënda, Besnik Muçi, i cili synon njëherazi karrigen në Gjykatën Kushtetuese dhe në SPAK po përballet në shkallën e dytë të vetingut me kërkesën e Komisionerit Publik për shkarkimin e tij.

Autor: Aleksandra Bogdani BIRN Tiranë
Printo

Prokurori Besnik Muçi në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Prokurori i Krimeve të Rënda, Besnik Muçi hyri në sallën e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit me dy dosje në duar paraditen e së martës, për t’u përballur në shkallën e dytë të vetingut me kërkesën e Komisionerit Publik për shkarkimin e tij.

Por seanca u shty fillimisht me datë 11 dhe më pas me 20 shtator, për shkak të pamundësisë së trupit gjykues për t’u mbledhur.

Në sallë ishin të pranishëm kryesuesi Sokol Çomo, relatori Artan Hajdari dhe anëtaret Albana Shtylla dhe Rezarta Schuetz. Çomo tha se anëtarja e pestë, Natasha Mulaj nuk mundi të ishte e pranishme për shkak të një fatkeqësie familjare dhe caktoi datën 11 shtator për hapjen e shqyrtimit.

Prokurori Muçi kërkoi një datë tjetër për shkak të angazhimeve familjare në datat 9-13 shtator dhe pas një konsultimi të trupës gjykuese u caktua përfundimisht data 20 shtator.

Procesi në KPA duket se është pengesa e fundit në karrierën e prokurorit Besnik Muçi, i cili synon njëherazi karrigen në Gjykatën Kushtetuese ose një vend në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK.

Muçi u konfirmua në detyrë në gusht të vitit 2018, por vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit u ankimua në Kolegj nga Komisioneri Publik për kriterin e pasurisë.

Komisioneri Publik kontestoi kursimet prej 200 mijë lekësh që shërbyen si burim për blerjen e një apartamenti si dhe huatë e marra nga familjarët; nga babai 5 milionë lekë, nga xhaxhai 3 mijë euro dhe nga motra 6 mijë euro. Pikëpyetje u ngritën gjithashtu edhe për një hua prej 15 mijë eurosh nga baxhanaku.

Po ashtu Komisioneri thotë se ishin disa lëvizje bankare të cilat KPK nuk i kishte hetuar në mënyrë shteruese. Sipas tij, ndërsa kishte marrë hua nga motra në vitin 2006, në të njëjtën periudhë (2005-2007) Muçi ka derdhur në llogari të kësaj të fundit me përshkrimin “pagesë për studime” 11 mijë euro, ndërsa më vonë ishin tërhequr me prokurë 5 mijë euro.

Pasi rrëzon huatë si të ardhura të ligjshme, Komisioneri arsyeton se Muçi nuk ka pasur të ardhura të mjaftueshme për të jetuar në vitet  2003, 2004, 2005, 2006 dhe 2016. Sipas tij prokurori në këto vite “gjendet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm për kriterin e kontrollit të pasurisë, duke rezultuar kështu për këto vite me pasuri apo të ardhura më të mëdha nga sa mund të justifikohen ligjërisht sipas nenit D/3, të aneksit të Kushtetutës”.

Në fund Komisioneri thotë se “nuk krijon bindjen se subjekti i rivlerësimit arrin një nivel të besueshëm në vlerësimin e kriterit të pasurisë” dhe se kërkonte ndryshimin e vendimit të KPK-së dhe “shkarkimin” e prokurorit Muçi.