Lajm29 Sep 2021

Përcillet në banesën e fundit oficeri i rënë në detyrë, Saimir Hoxha

Kolegë dhe të afërm përcollën me dhimbje në banesën e fundit dëshmorin e atdheut, por gjatë ceremonisë mortore dhe homazheve zyrtarët e lartë dhe politikanë u kujdesën të fajësonin njëri-tjetrin për problemet e Policisë së Shtetit dhe situatën e rendit në vend.  

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Ministri i Brendshëm z. Çuçi duke i dorëzuar flamurin kombëtar familjarëve të  “Dëshmorit të Atdheut” Saimir Hoxha. Foto: Xhemali Moku/ BIRN

Nënkomisar Saimir Hoxha u përcoll në banesën e fundit si “Dëshmor i Atdheut”. Dhjetra kolegë, të afërm dhe qytetarë u rreshtuan t’i jepnin lamtumirën oficerit që mbeti i vrarë në një aksion të policisë kundër kanabisit në Kune Vain të Lezhës.

Hoxha humbi jetën në krye të detyrës të martën, pasi skuadra që ai drejtonte u qëllua nga Aldi Rama, 21 vjeç, kur policia ndaloi makinën me të cilën ai udhëtonte. Rama qëlloi veten me armë disa orë më vonë pasi ishte rrethuar nga policia dhe vdiq në spital për shkak të plagëve të marra.

Me një vendim të mëngjesit të së mërkurës Këshilli i Ministrave e shpalli oficerin e policisë “Dëshmor të Atdheut” dhe u dha status të veçantë dy fëmijëve të tij të mitur.

Për nder të Saimir Hoxhës u organizuan homazhe në “Pallatin e Kongreseve”. Dhjetëra oficerë të policisë të veshur me uniforma sipas funksioneve qëndruan për tre orë në sheshin para Pallatit të Kongreseve, ndërsa në homazhe morën pjesë edhe shumë qytetarë.

Alda Prela, oficere e policisë në Lezhë dhe kolege zyre e Saimir Hoxhës tha se ishte tronditur nga lajmi.

“Se kisha menduar kurrë që do ta jetoja këtë ngjarje, nuk e meritoje aspak këtë fund”, shkroi ajo në profilin e saj në Facebook.

Ngjarja e rëndë u konsiderua si një tronditje e madhe për policinë, e cila ka humbur disa oficerë gjatë ushtrimit të detyës në vitet e fundit.

Cermonia e nderimit të “Dëshmorit të Atdheut” Saimir Hoxha. Foto: Xhemali Moku/ BIRN

Edhe pse në një ceremoni mortore, zyrtarë të lartë dhe përfaqësues politik i orientuan qëndrimet e tyre si kritika ndaj kundërshtarëve.

Presidenti Ilir Meta pas homazheve vlerësoi punën e oficerit dhe tha se ai ishte “një oficer hero”, ndërsa bëri thirrje për luftë kundër krimit të organizuar që sipas tij po viktimizonte edhe të rinjtë.

“Kjo është një luftë, që duhet bërë çdo sekondë dhe për të cilën nuk duhet të kujtohemi vetëm në momente të tilla tragjike”, u shpreh Meta.

Ndërsa kryeministri Edi Rama pasi vuri në dukje se vrasja kishte tronditur jo vetëm familjen, por edhe policinë dhe shoqërinë. Ai u fokusua te kujdesi i qeverisë për fëmijët të ndjerit dhe  në një ligj që i konsideronte ata “sëmijë nën kujdesin e republikës”. Kryeministri theksoi se çdo ndihmë materiale ishte e pamjaftueshme për të zëvendësuar humbjen e të ndjerit.

Kreu i opozitës Lulzim Basha në fjalën e tij ishte kritik ndaj qeverisë dhe premtoi se Partia Demokratike do të bënte gjithçka për t’i kthyer dinjitetin Policisë së Shtetit.

“Sot nuk është dita për të ngritur gishtin e përgjegjësisë, por si drejtues i tyre i dikurshëm them se dhimbjen e tyre të përditshme e ndjej përditë”, tha Basha.

Ndërkohë gjatë ceremonisë në varrezat e Dëshmorëve të Atdheut drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu lexoi një biografi të shkurtër të oficerit të vrarë dhe tërthorazi fajësoi opozitën dhe kritikët se inkurajonin “padashje dhe me dashje” ngritjen e dorës ndaj policisë. Duke iu referuar krimit Veliu tha se kjo ishte një “kambanë alarmi për të ndalur përbaltjen e policisë”.

Ministri i Brendshëm Blendi Çuçi vlerësoi punën e të ndjerit dhe i dorëzoi bashkëshortes së tij flamurin kombëtar me të cilën ishte mbuluar arkëmorti, si dhe kapelën e tij të oficerit.

Dëshmori i Atdheut Saimir Hoxha lindi në vitin 1977 në qytetin e Pukës, në një familje intelektualësh.  45-vjeçari bëri studimet në Akademinë e Policisë dhe më tej ato në drejtësi. Prej afro 18 vjetësh ai punoi në disa komisariate të vendit kryesisht në veri, si oficer i rendit në policinë rrugore dhe në atë kriminale. Pesë vitet e fundit Hoxha shërbeu pranë Komisariatit të Policisë në Lezhë. Ai spikati në drejtimin e disa operacioneve të bujshme për goditjen e krimit.

Saimiri jetonte në Tiranë, ishte i martuar dhe la pas dy djem të mitur, prindërit, bashkëshorten dhe dy motra.