Interviste20 Sep 2019

Përfaqësuesja e opozitës venezueliane shton kontaktet në Ballkan

Aleatët e Shteteve të Bashkuara në Ballkan nxituan të njihnin Juan Guaidon si presidentin e përkohshëm legjitim të Venezuelës. Serbia refuzon të bëjë të njëjtën gjë.

Autor: Maja Zivanovic BIRN Beograd
Printo

Juan Guaido rrethuar nga anëtarë të tjerë të opozitës më 11 janar 2019. Foto: Wikipedia.

Nicola Maduro mund të jetë ende president i Venezuelës, por kjo nuk e ka penguar njeriun që e deklaroi veten pasardhës të MaduroS në janar të lobojë për mbështetje të huaj, përfshirë në Ballkan.

Ndërsa e dërguara diplomatike e Juan Guaido për Bullgarinë, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, Estefania Melendez ndodhet në Sofje, ajo ka vizituar Tiranën dhe po planifikon udhëtime në Shkup dhe Podgoricë pasi vendet e Ballkanit ndjekin këshillën e Uashingtonit në njohjen e Guaidos si presidentin e përkohshëm të Venezuelës.

“… ne vazhdojmë të kërkojmë të fitojmë mbështetje në një nivel ndërkombëtar,” tha Melendez për BIRN në një intervistë në anglisht nëpërmjet postës elektronike. Kjo, tha ajo, “na lejon të ushtrojmë presion ndaj regjimit të Maduros, i cili aktualisht uzurpon pushtetin dhe mban popullsinë peng në një tragjedi.”

Megjithatë, ndërsa shumica e vendeve të Ballkanit e kanë njohur Guaidon, stafi i ambasadës së Venezuelës vazhdon t’i përgjigjet qeverisë së Maduros.

“Njohja e pozicionit tim si Ambasadore është një vendim i marrë nga vendi pritës,” tha Melendez për BIRN.

“Ndryshimi me Amerikën Latine ku shumë nga amabsadorët tanë janë akredituar, asnjë vend në BE nuk i ka akredituar ambasadorët tanë pasi politika europiane ka një dinamikë ndryshe, një që ne e respektojmë.”

Megjithatë, tha Melendez, “ne jemi përqendruar në forcimin e marrëdhënieve midis vendeve pritëse dhe Presidencës së Përkohshme të Juan Guaidos me qëllimin për të arritur një aleancë, e cila tashmë ka dhënë fryte”.

“Do të doja” të takohesha me qeverinë serbe

Foto kortezi e Estefania Melendez.

Melendez akuzoi ambasadat e aleatëve të Maduros për mosdhënien e pasaportave dhe dokumenteve të tjera për venezuelianët që i janë larguar problemeve ekonomike nën udhëheqjen e Maduros, dhe një pjesë e madhe e punës së saj ishte të ndihmonte ata, tha ajo për BIRN.

“Kjo ka sjellë pasoja të rënda për venezuelianët që jetojnë jashtë,” tha Melendez.

Sipas Kombeve të Bashkuara, rreth 3,3 milionë venezuelianë janë larguar nga vendi që nga fundi i vitit 2015 në mes të mungesës së furnizimeve bazë si ushqimet dhe ilaçet, me vendet e Amerikës Latine që presin shumicën dërrmuese të tyre.

“Natyrisht që kjo ka bërë që venezuelianët të kenë mbërritur edhe në Ballkan në kërkimin e mundësive për të shpëtuar nga kriza, shumë prej të cilëve kanë vështirësi të marrin një pasaportë, e cila është një shkelje e së drejtës së tyre të identifikimit, një formë tjetër e shkeljes së të drejtave tona njerëzore,” tha Melendez.

“Diktatura nuk mbyll kufijtë vetëm në Venezuelë, por mbyll të gjithë kufijtë në botë.”

Takim me Ministrinë e Punëve të Jashtme në Bullgari. Foto kortezi e Estefania Melendez.

Me origjinë nga Karakasi, Melendez, sipas profilin e saj të LinkedIn, ka jetuar në Bullgari për disa vite, duke punuar si mësuese, asistente grafik dizajni dhe në degën e bankës së investimeve Morgan Stanley në Sofje.

Kur Guaido e shpalli veten president pas zgjedhjeve polemike, një mori qeverish të huaja deklaruan mbështetjen për të, duke nxitur pritshmëritë se pasardhësi jopopullor i Hugo Chavez do të binte brenda ditësh.

Megjithatë, Maduro ka rezistuar.

Vendet e para të Ballkanit që njohën Guaidon ishin aleatët amerikanë, Shqipëria dhe Kosova.

Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut bënë shpejt të njëjtën gjë, duke e lënë Serbinë kryesisht të vetme në refuzimin e saj për braktisjen e Maduros.

Takimi me ministrin e jashtëm në detyrë të Shqipërisë Gent Cakaj. Foto kortezi e Estefania Melendez.

Rusia, aleati i madh i Serbisë, vazhdon të mbështesë trashëgimtarin e Chavez, duke akuzuar SHBA-në për organizimin e një grushti shteti. Një konsideratë tjetër për Serbinë është refuzimi i Karakasit për të njohur Kosovën, ish-provincën e Serbisë, si një vend i pavarur.

Beogradi ka thënë vazhdimisht se nuk do të ndryshojë qëndrimin e tij.

Melendez, megjithatë, tha se ajo ishte “e lumtur të diskutojë me çdo vend që dëshiron të na hap dyert e veta, të aprovojë pretendimin tonë të ligjshëm dhe të bashkohet me koalicionin në mbështetje të kauzës sonë demokratike, e cila do t’i sjellë stabilitet jo vetëm Venezuelës, por edhe rajonit të ndikuar nga kriza ”

“Deri më tani, nuk kemi pasur kontakte me qeverinë serbe, por nëse ata janë të gatshëm të na pranojnë, nuk ka dyshim se do të dëshironim shumë të takoheshim me ta.”