Prokuoria e Dibrës pushoi hetimet ndaj Bedrie Manjanit, pasi thotë se e gjeti kallëzimin e Ministrisë së Arsimit të pabazuar në fakte dhe prova. Çështja ndaj përgjegjëses së Zyrës Arsimore në Bulqizë është vetë një prej dhjetra kallëzimeve kundër funksionarëve të administratës që u bënë gjatë fushatës elektorale
Katër muaj pas përfundimit të zgjedhjeve Prokuroria e Dibrës, pushoi hetimet në ngarkim të drejtoreshës së Zyrës Arsimore Bulqizë, Bedrie Manjani e cila akuzohej për pjesëmarrje të paligjshme në fushatë. Manjani u denoncua gjatë fushatës zgjedhore të qershorit 2017, nga Ministria e Arsimit e cila kërkoi nisjen e hetimeve për drejtoreshën e Zyrës Arsimore Bulqizë, pasi sipas ministrisë ajo ishte përfshirë drejtpërdrejt në fushatë, por burime nga prokuroria e Dibrës i thanë BIRN sëfundmi se çështja nuk do të shkonte në gjykatë pasi nuk kishte prova.
“Përgjegjëse e Zyrës Arsimore, Bulqizë znj. Bedrie Manjani e cila përveç pjesëmarrjes në fushatë në kundërshtim të plotë me përcaktimet ligjore, ka bërë presion të hapur ndaj mësuesve për përfshirjen e nxënësve në fushatë elektorale gjatë orarit mësimor”, thuhej në njoftimin e MAS që u drejtua nga Mirela Karabina, një prej ministrave teknikë që caktoi Partia Demokratike dhe që duhej të monitoronin përfshirjen e administratës publike në fushatë.
Manjani, e cila vijon të mbajë detyrën e përgjegjëses së Zyrës Arsimore Bulqizë, nuk iu përgjigj interesimit të BIRN për një koment në lidhje me këtë çështje dhe akuzat ndaj saj.
Padia u bë gjatë fushatës zgjedhore dhe ishte në vazhdën e disa të tillave që u bënë kryesisht prej ministrave teknikë të caktuar nga PD pas marrëveshjes mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PD Lulzim Basha, ndaj drejtuesve lokalë të administratës. Pjesa më e madhe e këtyre funskionarëve kishin lidhje me LSI e cila edhe u ankua gjatë fushatës për raprezalje të dy forcave të mëdha ndaj administratës publike. Njëanshmëria e këtij procesi u theksua edhe në raportin e OSBE-ODIHR për zgjedhjet. “Në shumë raste, pushimet dhe pezullimet nuk u kryen në përputhje me procedurat ligjore,” thuhet në raport.
Ndërkohë në arsim veç Manjanit me të njëjtën akuzë u paditën edhe drejtues të Zyrave Arsimore në Kurbin, Gramsh, Has dhe disa mësues.
Në njoftimin e Ministrisë së Arsimit pas padisë në fillim të qershorit, u bë me dije se “nga ana e saj ishin informuar Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Dibër, që në ushtrim të funksionit kushtetues të ndjekjes penale, të kryejë veprimet e nevojshme, për hetimin e zonjës Bedrie Manjani, drejtoreshë e Zyrës Arsimore Bulqizë”.
Ministria e Arsimit njoftoi atëherë se në materialet dërguar Prokurorisë Dibër për rastin e Bedrie Manjanit, krahas informacioneve, ishin dërguar edhe prova audiovizive, që provonin sipas saj përfshirjen e drejtpërdrejtë përgjegjëses së zyrës në fushatë në kundërshtim me ligjet. Manjani dhe drejtorët e tjerë të kallëzuar u mbrojtën duke akuzuar ministrinë për akuza të motivuara politikisht.
Por Prokuroria e Dibrës, pas hetimeve të saj nuk e ka gjetur të mbështetur në prova e fakte, akuzën ndaj zonjës Manjani, ndaj dhe e ka pushuar atë.
Përgjithësisht çështjet që konsiderohen krime zgjedhore, si blerja e votës, shkelja e fshehtësisë, presionet e të ngjashme janë mbyllur pa të dënuar. Statistikat e Ministrisë së Drejtësisë mbi çështjet e trajtuara në gjykata tregojnë se në vitet 2013, 2014 e 2015 është rregjistuar një numër minimal rastesh dhe asnjëri prej tyre nuk është dënuar me burg.