I akuzuar prej muajsh për bashkëpunim me elementë të krimit të organizuar për përfitime elektorale, kryeministri Edi Rama deklaroi se do të hedhë në gjyq një gazetar gjerman në Gjermani pasi përgjime të reja të publikuara nga tablloidi BILD sugjerojnë abuzim me detyrën drejtpërsëdrejti nga ana e kryeministrit në rastin e zgjedhjeve të Dibrës.
Një seri përgjimesh nga e ashtuquajtura Dosja e Dibrës, të publikuara nga tablloidi gjerman BILD paraqitën një nivel të ri të asaj që duket se është abuzim masiv me pushtetin, presion i paligjshëm mbi votuesit dhe keqpërdorim të burimeve shtetërore, duke përfshirë kësaj here, edhe nivelet më të larta qeverisë e Partisë Socialiste.
Përgjimet e publikuara mesditën e së Martës [link], i përkasin asaj që prokuroria e ka etiketuar si dosja 184/2016. Kjo dosje është hapur pas një kallëzimi penal të Partisë Demokratike mbi zgjedhjet e parakohshme të zhvilluara për Bashkinë Dibër në shtator të atij viti. Si pjesë e hetimit, prokurorët e kohës duket se vunë nën përgjim një numër zyrtarësh me poshte të ndryshme në shtet si dhe zyrtarë të Partisë Socialiste, duke sjellë krijimin e një dosjeje voluminoze me keqbërje të ndryshme, nga ofertat për blerje votash te keqpërdorimi i burimeve publike, te presioni mbi punonjësit e administratës apo te bashkëpunimi me persona me të shkuar kriminale.
Zgjedhjet e vitit 2016 për Bashkinë Dibër erdhën pasi kryebashkiaku i mëparshëm socialist Shukri Xhelili e humbi postin pas një skandali abuzimi me detyrën. Xhelili e pati fituar Dibrën për socialistët në vitin 2015 me një rezultat të ngushtë prej disa qindra votash. Por në vitin 2016, mjeku Muharrem Rama, arriti ta fitojë me mbi 4 mijë vota diferencë.
Përgjimet tregojnë angazhimin e zyrtarëve të ndryshëm të policisë së shtetit me synimin e pengimit të mbështetësve të Partisë Demokratike në opozitë për të udhëtuar nga Kamza për në Dibër për të marrë pjesë në zgjedhje.
Përgjimet tregojnë gjithashtu se si ish-ministri Damian Gjiknuri ka dërguar në Dibër në dispozicion të një drejtori policie të quajtur Arben Keshi, ata që Gjiknuri i quan “çuna problematikë”, për t’u përdorur në rast nevoje.
Në të paktën nga bisedat bëhet e qartë se janë paguar para për të blerë vota.
Kryeministri Edi Rama deklaroi pas publikimit të përgjimeve se biseda mes tij dhe Arben Keshin bëri një seri statusesh në rrjetin social Tëitter. Në të parin, ai konfirmoi vërtetësinë e bisedës së përgjuar, por argumentoi se në kohën e kryerjes së kësaj bisede, “AK s’ka punuar në polici”.
“E konfirmoj këtë bisedë dhe do ta bëja prapë”, deklaroi Rama.
Pak më vonë, në statuse në shqip dhe anglisht në Tëitter, Rama deklaroi se do të hedhë në gjyq gazetarin gjerman “në Gjermani”.
Përgjimet
Biseda 1: Kryeministri Edi Rama telefonon Arben Keshin për ta pyetur se si është situata me rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme të Dibrës në shtator 2016. Keshi, i prezantuar nga BILD si drejtor në Ministrinë e Brendshme i thotë se është optimist.
Biseda 2: Deputeti socialist Artan Gaçi telefonon Arben Keshin dhe i tregon për lavdet që ka Rama për të për rezultatin e arritur.
Biseda 3: Arben Keshi flet me një person të paidentifikuar me numrin 0685922860 për një person që nuk kishte rënë dakord për çmimin e votës.
Biseda 4: Arben Keshi shfaqet duke folur me një person tjetër të paidentifikuar që duket se është mësues dhe që flet për blerjen e katër votave të një familjeje për 20 mijë lekë.
Biseda 5: Keshi flet me dy persona të tjerë në lidhje me diskutimin nëse për disa votues janë paguar apo jo paratë për votën.
Biseda 6: Një person i paidentifikuar raporton te Keshi se një person që kishte refuzuar paratë në këmbim të votës më herët atë javë ka ndryshuar mendim.
Biseda 7: Arben Keshi flet me një person me emrin Drini Gjeci, drejtor në drejtorinë arsimore të Dibrës për t’i bërë presion mësuesve. Keshi i kërkon Gjecit t’i telefonojë drejtorëve të shkollave për t’i bërë të ditur se ata do të votojnë për socialistët ose do të pushohen nga puna.
Bisedat 8 dhe 9: Arben Keshi bisedon me Sali Skurrën, shef komisariati në Kamëz. Nga biseda mësohet se mbështetës të Partisë Demokratike janë bllokuar nga policia që të shkojnë në Dibër për të votuar.
Biseda 10: Keshi diskuton me ish-ministrin e Transporteve Damian Gjiknuri. Ky i fundit i bën me dije se do t’i dërgojë një furgon me “çuna problematikë” si masë paraprake.
Biseda 11: Deputeti socialist Pjerin Ndreu diskuton me drejtorin e arsimit të Dibrës që t’i bëjë presion mësuesve për të votuar për socialistët ose përndryshe do të pushohen nga puna. Ndreu është aktualisht kandidati i Partisë Socialiste për kryebashkiak në Lezhë. Ndreu i thotë Reçit të flasë me një drejtor shkolle, ta kërcënojë me pushim nga puna në rast se nuk deklaron hapur votën për Partinë Socialiste.
Biseda 12: Drejtori i arsimit kërcënon në bisedë telefonike drejtorin e një shkolle rurale në Zallreç, duke i thënë të deklarojë votën haptazi bashkë me familjen ose të kërkojë punë tjetër.
Biseda 13: Drini Gjeçi kërcënon mësuesin Lavdrim Murati.
Biseda 14: Damian Gjiknuri flet me Bekim Krashin, një biznesmen.
Biseda 15: Bekim Krashi përgjohet duke diskutuar çmimin e pesë votave.
Biseda 16: Bekim Krashi flet me një person që ka marrë para për një votë mbi shenjën identifikuese të votës së blerë.