Lajm5 Jun 2019

Përgjimet indinjojnë Prokurorinë: Të hetohet nxjerrja e akteve sekrete

Në dy deklarata të njëpasnjëshme, Prokurorja e Përgjithshme dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda dënojnë publikimin e përgjimeve të Astrit Avdylajt me eksponentë të PS dhe kërkojnë hetimin me shpejtësi të përgjegjësve.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Kryeprokurorja e Përkohshme, Arta Marku, duke folur në një mbledhje të Komisionit Parlamentar të Ligjeve, | Foto : LSA

Në dy njoftime të shpërndara njëra pas tjetrës për median, Prokurorja e Përgjithshme, Arta Marku dhe Prokuroria për Krime të Rënda shprehën indinjatë për rrjedhjen në tabloidin gjerman BILD të përgjimeve të kreut të bandës së Shijakut, Astrit Avdylaj me eksponentë të Partisë Socialiste në Durrës dhe Shijak.

“Prokurori i Përgjithshëm ndjehet i indinjuar që në radhët e prokurorisë akoma militojnë prokurorë apo punonjës të tjerë që janë gati që për interesa të vogla personale të bëjnë pazar me çdo dosje penale, duke kontaminuar opinionin publik me informacione të pahetuara dhe të paverifikuara nga ata vetë…,” tha kryeprokurorja Marku përmes një zëdhënësi.

Prokuroria e Përgjithshme njoftoi gjithashtu nisjen e një verifikimi administrativ mbi mënyrën se si kanë lëvizur CD-të dhe DVD-të e përgjimeve nga zyra përkatëse në Prokurorinë e Përgjithshme drejt Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Marku kërkoi hetimin me shpejtësi të personave përgjegjës për nxjerrjen e akteve sekrete.

Në të njëjtën frymë me Prokuroren e Përgjithshme, edhe Prokuroria e Krimeve të Rënda dënoi nxjerrjen e akteve sekrete dhe njoftoi kryerjen me intensitet të hetimeve për prokurorët, oficerët e policisë gjyqësore apo persona të tjerë përgjegjës.

“Në vlerësimin tonë, kjo [nxjerrja e përgjimeve] është bërë me qëllim pengimin e hetimit, paragjykimin e tij si dhe komplikimin e mëtejshëm të hetimeve në këtë procedim penal,” është konkluzioni i shprehur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

E vendosur prej muajsh nën presionin e opinionit publik për rezultatet e munguara në hetimin e çështjes 339/1, Prokuroria e Krimeve të Rënda shtoi në deklaratë se paralelisht me hetimin e veprave penale të trafikimit të lëndëve narkotike apo korrupsionit të funksionarëve të lartë, po hetonte edhe veprën penale “korrupsion aktiv/pasiv në zgjedhje”.

“…Gjatë hetimit të procedimit penal janë konstatuar të dhëna për dyshime për përfshirjen e përfaqësuesve vendorë të subjekteve të ndryshme politike të gjithë spektrit politik në vend në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017 në qarkun e Durrësit dhe të Lezhës,” shtohet në njoftim.

Përgjimet e publikuara nga BILD përforcojnë lidhjen e kryetarit të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako me Astrit Avdylajn dhe anëtarë të tjerë të bandës së tij. Në një bisedë ku  përmendet edhe kryeministri Edi Rama, Astrit Avdylaj flet me persona të ndryshëm mbi kandidimin e një personi me emrin Ilir Ndraxhi si deputet socialist për zonën e tij, duke premtuar edhe se do të punonte fort për një rezultat të mirë zgjedhor për socialistët.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe përfaqësues të Lëvizjes Socialiste për Integrim intensifikuan kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Rama të mërkurën, ndërkohë që qëndrimi i vetëm nga Partia Socialiste, ai i kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja shprehte gjithashtu shqetësimin për nxjerrjen e sekretit hetimor.