Lajm1 Feb 2021

Përmbytjet izolojnë Obotin, emergjencat mjekësore transportohen me varkë

Një fëmijë i sëmurë u transportua me varkë nga fshati Obot, ndërsa zona e Nënshkodrës vijon të jetë e përmbytur pas reshjeve të ditëve të fundit.

Autor: Anila Dushi BIRN Shkodër
Printo

Tokat e përmbytura të Obotit | Foto ilustruese nga: Anila Dushi

Reshjet e vazhdueshme të shoqëruar dhe me shkarkime nga hidrocentrali i Vau të Dejës e kanë përkeqësuar përmbytjet në Shkodër. Aktualisht sipas bashkisë Shkodër sipërfaqja totale e përmbytur është 3005 hektarë, ndërkohë me më shumë se një metër ujë janë të bllokuara edhe rrugët që lidhin Obotin me Shkodrën.

Bashkia e Shkodrës njoftoi të hënën se në Obot ka prani të ujit në oborre në rreth 60 centimetra. E përmbytur është edhe rruga e fshatit Goricë.

Në fshatin Obot ka pasur një emergjencë mjekësore, një fëmijë i sëmurë që paraditen e së hënës është transportuar me varkë deri në rrugën e Muriqanit e më pas me autoambulancë në spitalin e Shkodrës.

Infermjeri i Obotit Vinçens  Gocaj tha se ky ishte rasti i dytë i emergjencës mjekësore në Obot që nga izolimi i fshatit prej përmbytjeve. Sipas infermierit fëmija ishte i sëmurë që një ditë përpara, por të dielën ishte e pamundur të transportohej me varkë pasi kishte stuhi, ndaj kjo u bë paraditen e së hënës.

“Problemet janë të pranishme dhe në zonën e Dajçit, kryesisht në zonën e quajtur “Këneta e Dajçit” (fshatrat Mushan, Shirq, Suka-Dajç, Belaj, Darragjat, Pentar). Rruga që lidh fshatrat Shirq- Darrgjat është e bllokuar. Ka prezencë uji me mbi 130-150 cm, 80 shtëpi kanë prezencë uji në oborre”, njoftoi bashkia.

Kryetarja e bashkisë Shkodër Voltana Ademi  kërkoi që të shpallet gjendja e fatkeqësisë natyrore, për Njësinë Administrative Ana e Malit dhe Dajç. “Problem mbetet ushqimi për bagëtitë. Nuk ka furnizim me koncentrat dhe pse kemi kërkuar mbështetjen me bazë ushqimore për gjënë e gjallë (koncentrat) për njësitë administrative Ana e Malit dhe Dajç në një sasi 500 ton”, tha Ademi.