Lajm30 Mar 2020

Përpjekja e Thaçit për qeveri uniteti konsiderohet e pasuksesshme

Ekspertët thonë se shtysa e presidentit për formimin e një qeverie të unitetit kombëtar - pas mocionit të mosbesimit të javës së kaluar për administratën e Albin Kurtit - nuk ka gjasa të rezultojë e suksesshme.

Autor: Xhorxhina Bami BIRN Prishtinë
Printo

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi. Foto: Flickr/ Departamenti Amerikan i Shtetit.

Ndërsa presidenti i Kosovës Hashim Thaçi nisi të hënën bisedimet me drejtuesit e partive për formimin e qeverisë së unitetit kombëtar – “për të shmangur një vakuum institucional”, siç tha ai – ekspertët ligjorë thanë për BIRN se ai i ka duart e lidhura për formimin e një kabineti të ri dhe se suksesi për këtë sipërmarrje dukej e pamundur.

Një ekspert ligjor në Prishtinë, Arbër Ahmeti, tha për BIRN se kushtetuta as nuk parashikonte dhe as nuk “e përjashtonte shprehimisht” një qeveri të unitetit kombëtar, siç sugjerohet nga Thaçi.

Por ndërkohë që plani “ka një bazë kushtetuese”, tha Ahmeti, “presidenti nuk ka asnjë kompetencë në lidhje me përbërjen e qeverisë së re”.

Thaçi “nuk mund ta shpërfillë partinë ose koalicionin që ka fituar shumicën e votave, por është në zgjedhjen e tij që të emërojë një kandidat të ri për kryeministër pas konsultimit me partitë politike”.

“Megjithatë, presidenti i ndërmerr hapa të tillë vetëm pas propozimit nga partia politike dhe nuk është në fuqinë e tij të zgjedhë një emër ose të ndikojë në përbërjen e qeverisë”, shpjegoi Ahmeti.

Partia më e madhe në parlament, megjithatë, Vetëvendosja e Albin Kurtit, deri më tani duket se nuk është e interesuar në emërimin e një kryeministri tjetër dhe në vend të kësaj po preferon mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Të dielën, Kurti, i cili mbetet kryeministër teknik, shkroi në Facebook se Thaçi po shkonte kundër kushtetutës duke kërkuar mbajtjen e bisedimeve për një qeveri të re uniteti. Ai këmbënguli që kjo mund të ndodhë vetëm nëse kryeministri jep dorëheqjen dhe jo nëse ai votohet në një mocion mosbesimi në parlament.

Kurti këmbënguli se Thaçi duhet të shpërndajë parlamentin dhe të thërrasë zgjedhje të parakohshme “sapo të mbarojë situata e pandemisë COVID-19”.

Lulzim Peci, drejtor i Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave, KIPRED, tha për BIRN se shqetësimet e Thaçit për një vakuum institucional nuk ishin të vërteta.

“Nuk ka vakuum sa i përket pushtetit ekzekutiv”, pasi qeveria e vjetër vazhdon të ekzistojë, por pa të drejtën e “përpunimit të ligjeve në Kuvend”, tha ai.

Siç raportoi më herët BIRN, dy opsione kryesore me të cilat përballet Kosova janë shpërbërja e Kuvendit dhe zgjedhjet e parakohshme, ose emërimi i kryeministrit të ri nga partia me shumicën e votave në Kuvend, që është Vetëvendosja.

Një tjetër gjë që e komplikon më tej çështjen është se Vetëvendosja nuk ka një afat të afërt për të emëruar kryeministrin e ri dhe gjithashtu mund të refuzojë ta bëjë këtë.

Nëse Vetëvendosja refuzon të emërojë një pasardhës të Kurtit, kjo e drejtë i shkon partisë me numrin e dytë më të madh të votave, që është ish-partneri i saj në qeveri, Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK.

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se partia e tij është e gatshme të punojë përsëri me Vetëvendosjen, por ka kërkuar gjithashtu përfshirjen e dy partive të vogla të opozitës, Nismës Socialdemokrate, NISMA, dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, AAK.

Shumica e ekspertëve me të cilët u konsultua BIRN sugjeruan që shtysa e presidentit për të krijuar një qeveri uniteti do të dështonte dhe se rezultati më i mundshëm do të jetë zgjedhjet e parakohshme. Ata shtuan se kriza politike ka gjasa të zgjasë më shumë sesa pandemia e COVID-19.