Gjykata e Fierit caktoi masë sigurie arresti në burg për tre të përfshirë në sherrin me thika dhe armë zjarri në Levan dhe në Urgjencën e Spitalit të Fierit. Dy persona të tjerë u lanë më masë arresti shtëpie.
Gjykata e Rrethit Fier caktoi masën e sigurie “Arrest me burg” për Daniel Braçin, i cili akuzohet për “Vrasje me dashje mbetur në tentativë”, “Goditje për shkak detyrës të punonjësit të rendit publik”. Braçe u arrestua pasi i mori armën nga brezi një oficeri të patrullës së policisë dhe plagosi me të Aleksandër Zhapaj gjatë kohës që të dy po shoqëronin në spital të afërm të lënduar gjatë një sherri në një lokal në Levan të Fierit. Vëllai i Daniel Braçit, Gazmenti, i cili akuzohet për kundërshtimit të punonjësit të policisë, u la me masë arrest shtëpie.
Masa e arresti me burg u dha në mungesë edhe për Aleksandër Zhapajn, i cili u plagos me nga Daniel Braçe. Zhapaj u njoh me masën e sigurisë në spital në Tiranë, ku po mjekohet për plagën e marrë gjatë përplasjes. Për djalin e tij Aldo Zhapaj u dha masë me arrest shtëpie me akuzë mbajtje pa leje e armëve të ftohta, ndërsa Emiglent Kararaj u la me masë sigurie arrest me burg për akuzën e vrasjes me dashje të mbetur në tentativë dhe prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve të ftohta. Gjykimi i tyre është bërë në mungesë, ndërsa përfaqësoheshin nga avokati i tyre Neshat Gucaj.
Avokatët mbrojtës të të akuzuarve refuzuan të flisnin pas përfundimit të seancës.
Konflikt mes dy palëve nisi në pasditen e 31 gushtit në një lokal në Levan të Fierit. Nga konflikti mbeten 5 të plagosur nga të dyja palët. Sherri i nisur në lokal mbrëmjen e të shtunës me sende të forta dhe thika, përfundoi në një skenë edhe më të përgjakshme në Urgjencën e Spitalit të Fierit, ku u transportuan të plagosurit me sende të forta nga sherri në lokal.
Policia bëri me dije se Daniel Braçi 21 vjeç, që po shoqëronte në spital dy prej të afërmve të tij të dëmtuar, (Erlind Muçaj dhe Klajdi Lamaj) ,i mori armën nga brezi një punonjësi të policisë, dhe qëlloi ndaj një prej familjarëve të palës tjetër, Aleksandër Zhapës, duke e lënë të plagosur. Zhapa nga ana e tij ndodhej në spital për të shoqëruar dy djemtë e tij, Gentian dhe Aldi Zhapa të cilët kishin mbetur të plagosur me sende të forta në lokal në Levan.
Nga konflikti me mjete te forta dhe thika mbetën të plagosur Gentjan Zhapa, Aldi Zhapa, Erlind Muçaj dhe Klajdi Lamaj. Policia arrestoi për ngjarjen në Fier dy vëllezërit Daniel dhe Gazment Braçi ndërsa nga pala tjetër u arrestuan Emiglent Kararaj, Aldo Zhapaj dhe Aleksandër Zhapaj të përfshirë në konfliktin në Levan.