Lajm23 Jan 2019

Përplasje PS-LSI për buxhetin, kryebashkiaku i Skraparit padit prefektin

Kryebashkiaku i Skraparit, Nesim Spahiu dorëzoi në prokurori një padi ndaj prefektit të Beratit, të cilin e akuzon për shpërdorim detyre dhe mbledhje të paligjshme të Këshillit Bashkiak, pas një përplasjeje për buxhetin.

Autor: Erjola Azizolli BIRN Berat
Printo

Kryetari i Bashkisë së Skraparit, Nesim Spahiu. Foto: Facebook

Përplasja politike mes Partisë Socialiste dhe LSI-së në Skrapar ka bllokuar në fund të dhjetorit miratimin e buxhetit të bashkisë. Ndërkohë, një buxhet i miratuar nga këshilltarët e PS-së në fillim të këtij viti konsiderohet i paligjshëm prej kryebashkiakut, i cili ka bërë padi në prokurori ndaj prefektit të Qarkut të Beratit, ndërsa pretendon se buxheti i miratuar flak në rrugë 148 punonjës.

Kryetari i Bashkisë së Skraparit, Nesim Spahiu thotë në padi se pas dështimit për të votuar buxhetin në dhjetor, prefekti Harilla Dafa duhej të njoftonte qeverinë për të shpërndarë këshillin, por ai ka mbledhur këshilltarët socialistë dhe ka votuar një buxhet të bashkisë pa qenë e pranishme në mbledhje administrata e kësaj të fundit.

Prefekti Dafa i tha BIRN se nuk kishte bërë shkelje dhe se mbledhjen e këshillit e kishte thërritur me kërkesë të kryebashkiakut. Dafa tha se do të përballej me kryebashkiakun Nesim Spahiu  sipas ligjit.

Bashkia e Skraparit u fitua nga koalicioni i madh mes PS dhe LSI në zgjedhjet e vitit 2015. Kryebashkiaku u propozua nga Lëvizja Socialiste për Integrim sipas marrëveshjes së koalicionit. PS ndërkohë ka marrë shumicën e Këshillit Bashkiak.

Por me prishjen e koalicionit në rang kombëtar, pak para zgjedhjeve të vitit 2017, një sërë bashkish të fitura prej këtij koalicioni me drejtues nga LSI u gjendën me mungesë votash në këshilla që kontrollohen prej PS-së. Përplasje të ngjashme për buxhetin ka pasur më herët në Bulqizë, por edhe në qytete të tjera.

BIRN mësoi se një sërë mbledhjesh të planifikuara të Këshillit Bashkiak kishin dështuar në muajin dhjetor. Një mbledhje e thirrur nga prefekti në 28 dhjetor po ashtu dështoi. Kryebashkiaku pretendon se pas kësaj mbledhjeje, Këshilli Bashkiak duhej të shpërndahej me vendim të qeverisë, por prefekti ka thirrur sërish këshillin dhe vetëm me këshilltarët e PS ka miratuar një version të buxhetit.

Kryebashkiaku Spahiu pretendon në padi se kjo mbledhje e bërë më 4 janar 2019 është e jashtëligjshme dhe është zhvilluar pa prezencën e përfaqësuesve të kësaj bashkie.

Spahiu thotë se në këtë mbledhje, sipas tij të të jashtëligjshme “janë marrë vendime tërësisht antiligjore, me karakter të theksuar të hakmarrjes politike”. Spahiu pretendon se mbledhja e datës 4 Janar, me votat e këshilltarëve socialistë, ka vendosur në mënyrë të paimagjinueshme shkurtimin drastik në nivelin 50% të punonjësve të Bashkisë së Skraparit. Ndër vendimet e marra përfshihet edhe shkrirja e 6 njësive administrative në tre të tilla.

“Ky votim antiligjor ka bërë që 65% e stafit të administratës së bashkisë së Skraparit të reduktohet dhe 148 punonjës të kësaj bashkie të flaken në rrugë”, thotë kryebashkiaku në padi.  Ai pretendon gjithashtu se është e provuar që prefekti ka “shfrytëzuar funksionin publik për qëllime të mirëfillta personale, në kundërshtim me ligjin”.

Nga ana e tij Dafa ka mohuar akuzat. Ai tha se Skrapari ishte e vetmja njësi që nuk kishte miratuar buxhetin në qarkun e Beratit dhe se atij i ishte kërkuar të thërriste këshillin prej vetë kryebashkiakut.  “Si prefekt unë caktova datën 28 Dhjetor për të zhvilluar mbledhjen dhe kam asistuar në të, siç e parashikon ligji, por nuk e kam drejtuar mbledhjen e këshillit,” tha ai, ndërsa shpjegoi se mbledhja kishte dështuar.

Ai thotë se pas dështimit të kësaj mbledhjeje, ka thirrur një të dytë më 4 janar në të cilën edhe pse mungoi administrata e bashkisë së Skraparit, ishin të pranishëm shumica e këshilltarëve dhe u vendos miratimi i buxhetit të vitit 2019. “Vendimi i këshillit  ka mbërritur pranë institucionit të Prefektit dhe juristët i bënë legjitime”, tha Dafa.