Lajm25 Oct 2019

Përvetësim tokash në bregdet, 18 të arrestuar në Durrës

Tre ish-drejtues të hipotekës së Durrësit dhe një mori ish-zyrtarësh u arrestuan bashkë me 5 perfitues të 68 000 mijë metrave katrorë tokë në operacionin e koduar “Rodoni”. Ata akuzohen për falsifikim dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

Autor: Geri Emiri BIRN Durrës
Printo

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës; Foto: Geri Emiri

Policia e Durrësit njoftoi mëngjesin e të premtes se në sajë të përgjimeve dhe filmimeve në terren kishte dokumentuar veprimtarinë e një grupi në falsifikim dhe tjetërsim pronash. Policia njoftoi arrestimin e 18 personave, tre persona u shpallën në kërkim, ndërsa 6 të tjerëve iu komunikua detyrimi për paraqitje.

Në njoftimin e shpërndarë policia thotë se ka arrestuar tre ish-drejtues të Zyrës së Rregjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Durrës, Ardian lIjazaj, Edlira Nova dhe Adrian Kona, Sulejman Ibrahimi ish-kryetar të komunës së Ishmit dhe disa anëtarë të komisionit të ndarjes së pronave kryesisht nga fshati Bizë dhe ish-juristë të Hipotekës. Po ashtu janë arrestuar edhe pesë persona që akuzohen si përfitues të pronës.

“Një hetimi proaktiv duke aplikuar metodat speciale të hetimit, si kryerje përgjimesh telefonike, filmime, përgjime ambientale dhe vëzhgime, rezultoi se shtetasit e mësipërm në bashkëpunim me njëri-tjetrin, “kanë tjetërsuar sipërfaqe toke prej  68 000 m2, nga tokë shtetërore pa frut në tokë are dhe ua kanë shpërndarë personave të ndryshëm kundrejt përfitimit”, thuhet në komunikatën e policisë.

Ndër të arrestuarit policia listoi edhe Sulejman Ibrahimin, ish-kryekomunar i Ishmit. BIRN gjeti se Ibrahimi bashkë me 6 persona të tjerë po gjykohet ndërkohë me akuza të ngjashme në Gjykatën e Durrësit. Po ashtu edhe disa nga të arrestuarit e të premtes janë akuzuar edhe më herët për falsifikim dhe tjetërsim prone.

Policia pretendon se tjetërsimi është kryer përmes falsifikimit të dokumenteve dhe të akteve të marrjes së tokës në pronësi dhe në fund edhe të  kartelave të pasurive në Regjistrat e Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës. “Këtë sipërfaqe toke ua kanë shperndarë personave me banim në Durrës, të cilëve nuk u takonte të merrnin tokë në pronësi sipas ligjit”, thuhet në njoftim.

Policia thotë se zyrtarët e përfshirë në këtë aferë kanë vepruar nga viti 2013 deri në vitin 2018. “Gjatë operacionit nga policia janë gjetur dhe sekuestruar shumë prova materiale që shërbenin për ushtrimin e këtij aktiviteti kriminal”, thuhet në njoftim. Po ashtu bëhet me dije se ndaj personave të arrestuar ka filluar edhe hetimi pasuror.

Prokurori i çështjes Afrim Shehu i tha BIRN se bëhej fjalë për 7 praktika rregjistrimi prone të cilat ishin denoncuar në mars të këtij viti nga Kadastra e Durrësit. Prokurori tha se praktikat e rregjistrimit ishin bërë me dokumente të falsifikuara të cilat më pas ishin hequr nga arkiva e Kadastrës. Ai tha se bëhej fjalë për dy prona të ndryshme në Gjirin e Lalëzit. Prokurori po ashtu korrigjoi komunikatën e policisë ndërsa tha se kishte pasur një lapsus pasi të arrestuarit nuk akuzoheshin për “grup të strukturuar kriminal”. Akuzat ndaj tyre janë  për “falsifikim dokumentesh”, “shpërdorim detyre”, “korrupsion pasiv të zyrtarëve”, “përvetësim të produkteve të veprës penale” të kryera në bashkëpunim.

Goditja e të premtes është e disata që prek Kadastrën e Durrësit gjatë muajve të fundit. Më herët drejtori i Kadastrës Liridon Pula u arrestua me akuzën për shpërdorim detyre, gjë që solli një përplasje të qeverisë me prokurorinë e Durrësit.

Skema e goditur nga policia e Durrësit është e ngjashme me një sërë rastesh të tjera, të zbuluara në Kavajë, Vlorë, Shkodër dhe Lezhë, në të cilat ndër të tjerë janë gjetur të përfshirë pushtetarë lokalë, ndërsa nën akuzë është edhe një ish-deputet i Partisë Socialiste.  Gjykata e Kavajës dënoi sëfundmi 8 zyrtarë, që u akuzuan në një skemë të ngjashme tjetërsimi të 36 hektarëve.

 

Lexo edhe:

 

Përditësim: Ky shkrim u përditësua për të korrigjuar akuzat ndaj të ndaluarve ndër të cilat edhe  ajo për “grup të strukturuar kriminal”, pasi sipas prokurorit të çështjes kjo akuzë nuk ishte ngritur dhe bëhej fjalë për lapsus të policisë në njoftimin për shtyp.