Lajm7 Dec 2017

Anëtarët e rinj të KED përzgjidhen me short dhe debate

Kuvendi zgjodhi me short, pas disa replikave mes shumicës dhe opozitës, 6 anëtarët e rinj të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.  Prokuroria sërish dërgoi vetëm aq kandidatura sa duheshin duke nxjerrë jashtë loje shortin.

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Ceremonia e hedhjes së shortit për 9 anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, KED, në Janar 2017 | Foto arkive nga : LSA

Procedura për të zgjedhur anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi u shoqërua me debat mes deputëve të opozitës dhe shumicës që morën pjesë në shortin e organizuar nga Kuvendi paraditen e së enjtes. Ata shkëmbyen akuza për vonesën e ngritjes së disa institucioneve të reformës, ndërsa shorti nxorri 6 prej anëtarëve të rinj të KED, pasi tre propozimet e prokurorisë u zgjodhën automatikisht për shkak se nuk kishte kandidatura rivale.

Procedura përzgjodhi nga Gjykata Kushtetuese Besnik Ymerajn dhe Altina Xhoxhajn, ndërsa zëvendësuese nga shorti doli Vitore Tusha. Nga Gjykata e Lartë u përzgjodhën Artan Broci dhe si zëvendësues Shkëlzen Selimi, ndërkohë nga 83 kanditaturat e sjella nga gjykatat e apelit u përzgjodhën Enton Dimitri dhe Fatos Qato, nga gjykatat administrative Ahmet Jangulli, anëtarë zëvendësues nga këto të fundi u zgjodh Sotiraq Lubonja.

Njësoj si një vit më parë nuk pati short për përfaqësuesit nga prokuroria e cila kishte sjellë si propozime vetëm aq kandidatura sa ishte edhe numri i atyre që do zgjidheshin. Kështu Rovena Gashi, Gentian Drenova dhe Fatjona Memçaj u zgjodhën pa short si pjesë e KED. Vendimi i prokurorisë për të sjellë vetëm aq anëtarë sa duheshin për institucionin shkaktoi debat një vit më parë dhe përplasje mes Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla dhe ambasadorit të SHBA Donald Lu.

KED, i cili do të bëjë renditjen e kandidaturave për  anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe atë të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë u zgjodh edhe një vit më parë, por nuk u mblodh asnjëherë pasi anëtarët e tij duhej t’i nënshtroheshin vetingut, instituconet e të cilit filluan punë vetëm pak javë më parë.

Para fillimit të procedurës së shortit deputetët e opozitës Eduard Halimi nga PD dhe Nasip Naço nga LSI, akuzuan shumicën se po kryente një proces joligjorë, duke theksuan se nuk mund të kishte më përzgjedhje të KED të përkohshëm, pasi mandati i këtij institucioni kishte mbaruar. Halimi tha se shumica kërkonte në këtë mënyrë të paracaktonte njerëzit e saj në kushtetuese apo dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë që ai tha “është më i rëndësishëm se Prokurori i Përgjithshëm”. Ndërkohë Naço tha se duhej të ishte analizuar pse KED i parë që u zgjodh në Janar të vitit që shkoi dështoi.

Vasilika Hysi që drejtoi hedhjen e shortit tha se kjo ishte një procedurë rutinë, gjatë të cilës nuk mund të kishte debate. Hysi akuzoi opozitën se kishte penguar ngritjen e institucioneve të vetingut dhe për rrjedhojë edhe të KED-së, ndërsa theksoi se kuvendit i ishte kërkuar hedhja e shortit edhe nga Presidenti i Republikës.

Palët po ashtu replikuan edhe për hedhjen e shortit. Eduard Halimi tha se goglat ku vendoseshin emrat duhej të hapeshin nga përfaqësues të institucioneve që kishin bërë propozimet.