Ndërsa mbizotëron një heshtje për përfitimet ekonomike që sjell migracioni, dy ekspertë argumentojnë pesë pika përse urdhëri ekzekutiv i presidentit amerikan Trump, bie ndesh me politikat që synojnë të sjellin zhvillim ekonomik.
Të premten e shkuar, presidenti amerikan Trump lëshoi një urdhër ekzekutiv, ku ndaloi përkohësisht hyrjen e refugjatëve sirianë, pezulloi të gjithë programin amerikan të pranimit të refugjatëve për 120 ditë, gjë që do të pakësojë ndjeshëm numrin e refugjatëve që do të sistemohen në SHBA këtë vit dhe frenoi emigrimin në SHBA të shtetasve nga Iraku, Libia, Somalia, Sudani, Siria dhe Jemeni për 90 ditë.
Urdhri ekzekutiv është kritikuar nga aleatët, mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe liderët e biznesit, mes tyre edhe drejtori i përgjithshëm i Google, Sundar Pichai.
Në një mendje me ketë të fundit dhe bashkë me kryetarët e tjerë të Këshillit i të Ardhmes Globale për Migrimin në Forumin Ekonomik Botëror, ne jemi veçanërisht të befasuar që një urdhër i tillë vjen nga një ish-biznesmen. Larg nga vënia e Amerikës të parën, kufizimi i migracionit dhe shfaqja e qëndrimeve anti-imigrante, rrezikon të ketë një ndikim afatgjatë që mund të vërë në rrezik punësimin në SHBA, zhvillimin ekonomik dhe inovacionin.
Dy javë më aprë në Takimin e Përvitshëm të ËEF në Davos, ne dëgjuam vazhdimisht liderë të sektorit privat mbi argumentet përse migracioni dhe diversiteti janë të mira për biznesin. Ne gjithashtu pamë një hezitim për të folur në publik rreth përfitimeve ekonomike të migracionit, nga frika e dëmtimit të marrëdhënieve me qeverinë dhe vlerës së aksioneve.
Përkundër këtij sfondi gjithnjë e më të tensionuar, besojmë se duhet të riqartësohet arsyetimi i biznesit për migracionin, pa frikë apo favorizim.
Së pari, ka prova të qarta se migracioni promovon zhvillimin ekonomik. Një studim i fundit në Mbretërinë e Bashkuar, për shembull, zbuloi se në dekadën e parë të shekullit 21 migrantët nga Zona Ekonomike Europiane (EEA) sollën një kontribut neto prej 25 miliardë paund në financat publike dhe paguan 34% më shumë në taksa sesa morën përfitime. Sipas Bankës Botërore, shtimi i imigracionit me një normë të barabartë me 3% të forcës punëtore në vendet e zhvilluara do të gjeneronte përfitime ekonomike globale prej 356 miliardë dollarë.
Së dyti, në vendet ku ata vendosen, imigrantët priren të jenë më sipërmarrësit dhe më inovativët. Në Shtetet e Bashkuara, imigrantët kanë qenë themelues të kompanive si Google, Intel, PayPal, eBay dhe Yahoo! Imigrantë të aftë përbëjnë rreth gjysmën e sipërmarrjeve të reja në Silicon Valley dhe mbi gjysmësn e patentave, edhe pse ata përbëjnë më pak se 15% të popullsisë.
Së treti dhe në fund të spektrit të aftësive, migrantët mbushin hendeqet kritike në tregun e punës, për shembull si infermiere dhe kujdestare në shtëpi. Duke marrë parasysh trendet demografike kundrejt popullisë në plakje në çdo vend të zhvilluar, do të bëhet gjithnjë e më e rëndësishme tërheqja e një force pune shtesë nga shtetasit e huaj.
Së katërti, në vendet e prejardhjes, paratë që migrantët çojnë në shtëpi nxjerrin komunitete të tëra nga varfëria dhe gjithashtu kontribuojnë ndjeshëm në PBB-në kombëtare dhe rezervat e huaja të kmëbimit, siç pranohet nga Synimet e reja të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Në 2016, remitancat u parashikuan nga Banka Botërore të kalojnë 600 miliardë dollarë.
Së fundmi, dhe mbase e dukshmja, migracioni sjell diversitet social dhe kulturor që i çon përpara qytete globale dhe multikulturalizmin.
Është e qartë se migracioni duhet menaxhuar mirë për të çliruar potencialin e vet. Në term afatshkurtër migracioni mund të kushtojë; në term afatgjatë ai do të shpërblejë. Sigurisht ne nuk po mbrojmë hapjen e kufijve. Por nuk po mbrojmë as kufijtë e mbyllur, ashtu siç nuk duhet të bëjë askush që vë interesat ekonomikë kombëtar përpara.