Analize16 Jul 2021

Pesë vjet pas grushtit të dështuar të shtetit, Turqia e zhytur në kriza

Pesë vjet pasi një grup në ushtri u përpoq të rrëzonte qeverinë e presidentit Erdogan, demokracia dhe sundimi i ligjit janë në rënie - ashtu si ekonomia - ndërsa të rinjtë largohen nga vendi.

Autor: Hamdi Fırat Buyuk BIRN Sarajevë
Printo

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan. Foto: Pixabay.

Pesë vjet më parë, një përpjekje për grusht shteti u ndalua nga ushtarët besnikë dhe njerëzit e zakonshëm në Turqi.

“15 korriku ishte fitorja e kombit, vullneti dhe demokracia e kombit. Me rezistencën e tyre, kombi ynë ndaloi një përpjekje për grusht shteti, por edhe një përpjekje për pushtim, e cila synonte të merrte vendin tonë”, tha presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan më 15 korrik në një ceremoni në parlament duke shënuar përvjetorin e pestë që nga përpjekja e dështuar për grusht shteti.

Më 15 korrik 2016, një grup ushtarësh u përpoqën të rrëzonte qeverinë. Ata akuzohen se ishin pjesë e të ashtuquajturës Lëvizje Guleniste, një grup socio-fetar i udhëhequr nga Fethullah Gulen i cili ka jetuar në mërgim në SHBA që nga viti 1999. Megjithatë, vetë Gulen mohon çdo lidhje me këtë gjë dhe ka kërkuar vazhdimisht që një komision ndërkombëtar të hetojë përpjekjen e dështuar të grushtit të shtetit.

Që nga ajo kohë, Ankaraja e ka quajtur Lëvizjen Guleniste “Organizatë Terroriste Fetullahiste”, ose shkurt “FETO”.

Ka ende shumë pikëpyetje në lidhje me atë natë terrori në të cilën 251 njerëz vdiqën dhe më shumë se 2,000 u plagosën. Por një komision ndërkombëtar nuk është krijuar kurrë dhe madje raporti i parlamentit turk për grushtin e shteti nuk është botuar kurrë.

Megjithatë, një gjë është e sigurt; presidenti Erdogan është bërë një sundimtar absolut, fillimisht nën një gjendje të jashtëzakonshme dhe më vonë nën një sistem të ri presidencial.

Që atëherë, sipas ekspertëve, demokracia ka rënë, goditjet ndaj çdo grupi kritik janë intensifikuar, ekonomia ka rënë ndjeshëm dhe vendi ka pësuar kriza të ndryshme ndërkombëtare – pavarësisht nga premtimet e Erdoganit për ta bërë jetën më të mirë me forcimin e pushtetit të tij.

Burak Bilgehan Ozpek, profesor i shkencave politike në Universitetin TOBB të Ekonomisë dhe Teknologjisë në Ankara, i tha BIRN se shumica e regjimeve autoritare në botë, përfshirë Erdogani, kanë përjetuar të paktën një përpjekje për grusht shteti.

“Kjo u mundëson atyre që të lidhin tendencat e tyre autoritare me të ardhmen e vendit ose demokracinë dhe sigurinë”, tha ai.

“Në këtë mënyrë, aplikohet rregulli i gjendjes së jashtëzakonshme, i cili gjithashtu e bën shtetin një shtet që zakonisht shkel ligjet për mbrojtjen e sigurisë dhe një që lufton kundër kërcënimeve të sigurisë, sesa një shtet në të cilin ligjet dhe rregulloret zbatohen normalisht”, shtoi Ozpek , duke përshkruar atë që ka ndodhur në Turqi që nga viti 2016.

Rënie e demokracisë dhe goditje pafund

Foto nga përpjekja për grusht shteti në Turqi.  Foto: Anadolu

“Sigurimi” i jetës kombëtare pas përpjekjes së dështuar të grushtit të shtetit është manifestuar në një shtypje masive të pothuajse të gjitha grupeve të opozitës.

Që atëherë, sipas Ministrisë së Brendshme, më shumë se 125,000 punonjës publikë, duke përfshirë oficerë të ushtrisë, policë, mjekë dhe akademikë, janë shkarkuar nga postet e tyre, dhe 2,761 institucione, përfshirë universitete, OJQ, institucione të medias, kompani private dhe spitale janë mbyllur.

Kjo nuk ndalet këtu. Më shumë se gjysmë milioni njerëz u hetuan ose u burgosën dhe gati 250,000 njerëz humbën pasaportat e tyre. Në total, vlerësohet se të paktën 2 deri në 3 milionë njerëz u prekën drejtpërdrejt nga goditja.

Qeveria këmbëngul se të gjitha këto masa ishin të nevojshme për të ndalur puçistët dhe grupet e tjera terroriste, por ekspertët, opozita dhe grupet e të drejtave të njeriut thonë se presidenti Erdogan dhe qeveria e tij e kanë kthyer atë në një gjueti shtrigash për të eliminuar të gjitha grupet kritike.

“Gjatë këtij procesi të jashtëzakonshëm, në të cilin janë zbatuar politikat e sigurisë, është kryer një grusht shteti civil. Shkarkimet e shpejta dhe masive në sektorin shtetëror i kanë lejuar qeverisë të punësojë njerëz të rinj që janë afër qeverisë dhe grupeve nacionaliste”, tha për BIRN Ozgun Emre Koc, një shkencëtar politik nga Universiteti i Stambollit.

Koc tha se çdo lëvizje politike dhe shoqërore për të drejtat dhe liritë tani shihet si një kërcënim. “E drejta kushtetuese e lirisë për t’u takuar dhe mbajtur demonstrata është hequr pothuajse fare nga qeveria”, shtoi ai.

Në pesë vitet e fundit, policia ka shpërndarë brutalisht studentë, LGBTI, gra, grupe kurde dhe të tjerë që duan të protestojnë.

Sipas Koc, sistemi ekzekutiv presidencial i pranuar në një referendum të diskutueshëm në 2017 dhe i vënë në zbatim pas zgjedhjeve të përgjithshme dhe presidenciale 2018, i ka lejuar Erdoganit të institucionalizojë këtë regjim të orientuar drejt sigurisë.

“Sistemi i ri presidencial nuk ka pothuajse asnjë kontroll dhe ekuilibër dhe i sjell zero përgjegjësi presidentit”, tha ai.

“Ai tani e qeveris vendin me dekrete, duke anashkaluar parlamentin. Kjo është një lloj monarkie me të cilën një sulltan sundon vendin me dekrete, shpesh duke shkelur ligjet dhe legjitimitetin. Ndalimi i shitjes së alkoolit ose ndalimi i muzikës pas mesnatës janë vetëm disa shembuj”, argumentoi Koc.

Ekspertët gjithashtu mendojnë se aleanca e re e presidentit me ultra-nacionalistë dhe konservatorë ka lënë pak hapësirë ​​për të drejtat e grave, personave LBGT dhe për grupeve kurde.

“Të gjitha grupet e opozitës, grupet LGBT, pakicat etnike dhe fetare janë vazhdimisht nën shënjestër të policisë, politikanëve dhe institucioneve të tjera shtetërore”, vazhdoi Koc.

Turqia është një nga vendet e pakta myslimane që dikur kishte parada krenarie nga komuniteti LGBT, por në pesë vitet e fundit paradat u ndaluan të gjitha dhe policia ka shpërndarë tubimet me spraj me piper dhe ujë.

Të drejtat e grave gjithashtu ranë në pesë vitet e fundit. Megjithëse Turqia ishte e para në vend që nënshkroi traktatin e Këshillit Evropian mbi dhunën në familje dhe të drejtat e grave, e njohur si “Konventa e Stambollit”, Erdogani e nxori Turqinë nga traktati në korrik, pas pretendimeve të grupeve ultra-nacionaliste dhe konservatore që ai minonte vlerat tradicionale familjare dhe promovonte homoseksualitetin.

Pas gulenistëve, grupet kurde kanë vuajtur më shumë nga shtypja. Dhjetëra deputetë kurdë, përfshirë dy ish-udhëheqësit Selahattin Demirtas dhe Figen Yuksekdag, janë burgosur me akuza të pasakta për terrorizëm.

Që nga zgjedhjet e fundit lokale në Turqi, 59 nga 64 kryebashkiakët e Partisë Demokratike Popullore, HDP, gjithashtu janë shkarkuar nga detyra për arsye të ngjashme, dhe disa janë dërguar në burg.

Gjykata Kushtetuese e Turqisë aktualisht po heton mbylljen me forcë të HDP pasi u pranua akuza e lëshuar nga kryeprokurori publik i Gjykatës së Kasacionit.

Gjykata pretendoi: “HDP dhe anëtarët e saj, përmes deklaratave dhe veprimeve të tyre, kanë synuar të dëmtojnë dhe prishin unitetin e shtetit me popullin turk.”

Politika ndërkombëtare

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan. Foto: Facebook/Reccep Tayip Erdogan.

Politikat e sigurimit nuk janë parë vetëm në politikën e brendshme, por edhe në politikën e jashtme, me disa angazhime ushtarake në rajon.

“Çështjet e sigurisë kombëtare janë bërë shumë të rëndësishme në politikën e jashtme. Në të fakt, Turqia nuk ka politikë të jashtme, por një politikë sigurie. Është interesante të shohësh se ushtria dhe militarizmi janë bërë shumë të dukshme në një vend që përjetoi një përpjekje grushti shteti”, tha për BIRN Ozpek nga Ankaraja.

Vetëm një muaj pas përpjekjes së dështuar të grushtit të shtetit, Turqia nisi një operacion masiv ushtarak, “Mburoja e Eufratit”, në Siri, i krijuar për të eliminuar si shtetin islamik ashtu edhe militantët kurdë përtej kufirit të saj.

Kjo u pasua nga disa operacione të tjera dhe nga përfshirja ushtarake në Libi, e cila zemëroi aleatët perëndimorë të Turqisë.

“Operacionet ushtarake jashtë vendit janë bërë të një rëndësie të madhe për qeverinë, e cila dëshiron të mbetet në pushtet me rritjen e nacionalizmit. Operacionet ushtarake dhe përfshirja në Siri dhe Libi, dhe përshkallëzimet e mosmarrëveshjeve me Gre, janë bërë më të rëndësishme se diplomacia, pushteti i butë ose tregtia”, tha Ozpek.

Por përdorimi i ushtrisë dhe radikalizimi janë shoqëruar me pasoja.

Si rezultat i disa mosmarrëveshjeve me Perëndimin në fushën e politikës ndërkombëtare dhe rënies së sundimit të ligjit dhe demokracisë, Erdogan u afrua me Rusinë autoritare dhe bleu raketa të teknologjisë së lartë S-400 nga Rusia në 2019.

Kjo jo vetëm që dëmtoi rolin e Turqisë si një aleat i besueshëm perëndimor, por gjithashtu nxiti sanksione nga SHBA-ja dhe BE-ja; vendi u përjashtua nga projekti i avionëve luftarakë F-35 nga SHBA-ka në vitin 2020.

Megjithatë, ekspertët thonë se pas viteve të krizave dhe marrëdhënieve të tendosura me aleatët e vjetër perëndimorë, Erdogan tani po qaset me Perëndimin – për të shpëtuar ekonominë dhe regjimin e tij.

“Turqia ka arritur në kufijtë e saj në politikën e jashtme për shkak të viteve të përshkallëzimit dhe rënies ekonomike. Prandaj, presidenti Erdogan ka filluar një afrim me SHBA-në, BE-në, vendet e Gjirit, Egjiptin dhe Greqinë”, tha për BIRN Sezin Oney, një gazetare dhe shkencëtare politike.

Dështimi ekonomik nxit emigrimin masiv

Flamuri turk pranë urës së Bosforit. Foto: Wikipedia.

Oney tha se vitet e qeverisjes së keqe dhe krizat ndërkombëtare pas përpjekjes së dështuar të grushtit të shtetit kanë pasur efekte të dëmshme edhe në ekonomi.

“Standardet e jetesës po bien, papunësia po rritet, inflacioni është shumë i lartë dhe lira po humbet vlerë. Kjo po shkakton një krizë të konsiderueshme legjitimitetit për Erdoganin”, shtoi Oney.

Sipas sondazheve të fundit, Partia Drejtësi dhe Qeverisje e Erdoganit, AKP, ka mbështetjen e më pak se 30 për qind të votuesve. Në një garë të mundshme presidenciale, Erdogan do të humbasë ndaj kandidatëve të mundshëm të opozitës si kryebashkiaku i Stambollit Ekrem Imamoglu ose kryetari i bashkisë së Ankarasë Mansur Yavas.

Që nga grushti i dështuar i shtetit, monedha kombëtare ka humbur më shumë se 220 për qind të vlerës së saj ndaj euros. Sipas shifrave zyrtare, inflacioni vjetor po shkon me rreth 17 për qind dhe shkalla e papunësisë ishte gati 14 për qind në maj, 1 për qind pikë më e lartë se një muaj më parë.

Rritjet e taksave dhe faturave të shërbimeve e kanë bërë jetën edhe më të vështirë për turqit e zakonshëm. Vetëm çmimi i energjisë elektrike u rrit me 22 për qind në gjashtë muajt e parë të 2021.

Megjithatë, ekspertët besojnë se të dhënat reale mbi ekonominë turke janë shumë më të këqija dhe thonë se qeveria po manipulon shifrat për të krijuar një imazh më të mirë.

Efekti i rëndë i pandemisë dhe humbja e të ardhurave të rëndësishme nga turizmi për të dytin vit radhazi e kanë përkeqësuar një situatë të keqe ekonomike.

Më e rëndësishmja, dështimi ekonomik dhe presionet politike kanë ndikuar keq tek të rinjtë. Sipas shifrave zyrtare, një në katër të rinj turq është i papunë.

Sipas Agjencisë së Statistikave Turke, TurkStat, nga 2016 në 2020, më shumë se një milion njerëz kryesisht të rinj të arsimuar u larguan nga vendi. Numri i atyre që u larguan nga Turqia për një jetë më të mirë diku tjetër është rritur nga viti në vit.

“Njerëzit, veçanërisht të rinjtë, po kërkojnë një alternativë. Kur nuk mund ta gjejnë një të tillë, siç ndodh tani, ata largohen nga vendi”, vërejti Oney.

Ajo përfundoi: “Njerëzit ndihen si të zënë në grackë nga kaq shumë ngjarje negative. Nuk ka politikë në Turqi për t’iu përgjigjur kërkesave të njerëzve. Jo vetëm qeveria, por edhe opozita nuk mund t’u përgjigjet këtyre kërkesave. Turqisë i duhet një dalje krejtësisht e re me emra të rinj dhe një politikë të re. Në kushte të ngjashme ka pasur gjithmonë lëshime dhe kjo mund të ndodhë edhe në Turqi.”