Lajm9 Feb 2018

Pezullohen nga detyra tre gjyqtarët e çështjes ‘El Classico’

Këshilli i Lartë i Drejtësisë pezulloi nga detyra tre gjyqtarë të Apelit Durrës, të cilët janë marrë të pandehur për korrupsion pas një udhëtimi turistik në Spanjë të njohur si "Çështja El Classico."

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Presidenti Bujar Nishani, gjate ceremonise se betimit te anetareve te rinj te Kolegjit Zgjedhor te Gjykates se Apelit, Andi Civici, Edlira Petri, Fuat Vjerdha, Gjinovefa Gaba, Ilir Toska, Kriton Spahiu, Petrit Ceno dhe Valbon Cekrezi.

Këshilli i Lartë Drejtësisë vendosi të pezullonte nda detyra gjyqtarët Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri dhe Petrit Çeno, të cilët akuzohen për korrupsion pasi dyshohen se kanë marrë dhuratë nga një palë në proces gjyqësor një udhëtim falas në Madrid të Spanjës për të parë ndeshjen Real Madrit – Barcelona para se të jepnin një vendim favorizues për biznesmenin që dyshohet se financoi udhëtimin.

“Ky vendim erdhi pasi anëtarët e Këshillit u njohën dhe shqyrtuan informacionin e ardhur nga Drejtuesi i Prokurorisë së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, me datë 06.02.2018, ku njoftohej marrja si të pandehur të tre gjyqtarëve të sipërcituar,” tha KLD në një njfotim për shtyp të premten.

Të dhënat e siguruara nga BIRN prej dosjes hetimore tregojnë se tre gjyqtarët e kanë ndërmarrë udhëtimin në Spanjë në tetor 2014.

Prokuroria dyshon se ky udhëtim është bërë në shoqërinë e biznesmenit Namik Sadiku – pronari i një kompleksi turistik në Durrës – dhe është paguar prej tij.

Në kohën e udhëtimit drejt Madridit, Sadiku kishte të hapur një çështje gjyqësore në Gjykatën e Apelit Durrës, ku relator ishte gjyqtari Spahiu dhe anëtarë të trupit gjykues ishin Petrit Çeno dhe Petraq Dhimitri. Më herët, dyshohet se relatori i çështjes, Kliton Spahiu dhe gjyqtari Petraq Dhimitri kishin udhëtuar në shoqërinë e Sadikut edhe në Itali.

Konflikti gjyqësor lidhet me ndërtimin e hotelit 10 katësh të Sadikut në plazhin e Durrësit, në zonën e Shkëmbit të Kavajës. Sadiku ishte paditur nga ish ortaku i tij në ndërtimin e kompleksit, Oliver Ushina, prej shkurtit të vitit 2012.

Në Gjykatën e Shkallës së Parë Durrës, çështja në fjalë është fituar nga paditësi Oliver Ushina. Ndërkohë, Gjykata e Apelit e ka rrëzuar vendimin e Shkallës së Parë duke i dhënë të drejtë Sadikut.

Sipas burimeve nga prokuroria, autoritetet spanjolle kanë bërë të ditur se pagesa e hotelit në Spanjë është bërë përmes kartës së kreditit të shtetasit Fatjon Pula- kushëri i shtetasit Namik Sadiku. Pula ka paguar 450 euro për qëndrimin e gjyqtarëve në hotel.

Gjatë deklarimeve në prokurori të tre gjyqtarët kanë hedhur poshtë akuzat se kanë marrë udhëtim falas në Madrid si shpërblim për vendimin favorizues ndaj Sadikut, por prova e re e marrë nga Spanja ka bindur prokurorinë të çojë kërkesën për masë sigurie në gjykatën e krimeve të rënda.

Gjyqtari Petrit Çeno i tha BIRN me 20 dhjetor se pagesa e hotelit nuk ishte bërë nga Fatjon Pula, por vetëm prenotimi i tij.

“Po, unë së bashku me dy koleget e mi kemi qenë në Spanjë dhe për këtë udhëtim unë kam dhënë shpjegime para një viti e gjysëm. Hoteli është prenotuar në internet me kartën e kreditit të atij zoterisë që nuk ja mbaj mend emrin tani, por ka qenë konsull a nuk më kujtohet mirë. Pagesa nga ana jonë është bëre ‘cash’ dhe vetëm prenotimi ëshë kryer me kartën e kreditit,” shtoi ai.