Analize26 May 2021

Pikëpyetje në lidhje me bashkimin e Euronews me Telekom Serbia

Euronews është bashkuar me gjigandin e telekomunikacionit Telekom Serbia, për të hapur një kanal në gjuhën serbe. Ekspertët po vënë në dyshim ligjshmërinë dhe motivet e qeverisë.

Autor: Sasa Dragojlo BIRN Beograd
Printo

Kryeministrja serbe Ana Brnabiç dhe drejtori i Telekom, Vladimir Luciç, me zyrtarë të Euronews, 9 maj 2021. Foto: Euronews Facebook.

Në një ceremoni në maj për të shënuar mbërritjen në Serbi të transmetuesit evropian Euronews, kryeministrja Ana Brnabiç tha se kjo do të nënkuptonte “më shumë pluralizëm mediatik, respekt për standardet më të larta profesionale dhe mbi të gjitha objektivitet dhe paanshmëri”.

Ekspertët e medias, megjithatë, janë të alarmuar për lidhjen midis Euronews me bazë në Francë, shumica e të cilit është në pronësi të miliarderit egjiptian Naguib Sawris, dhe një kompanie në pronësi të Telekom Serbia, e cila vetë është me shumicë në pronësi të shtetit serb.

Nën drejtimin e Brnabiç dhe atij që e zgjodhi atë për postin e kryeministres në vitin 2017, presidentit Aleksandër Vuçiç, Serbia është renditur vazhdimisht poshtë përsa i takon lirisë së mediave nga organizatat ndërkombëtare.

Ekspertët thonë se sipërmarrja shkel një ligj që ndalon ndërmarrjet shtetërore të themelojnë ose të mbajnë media dhe ata shqetësohen se kjo do të përdoret nga shteti për të krijuar një iluzion të lirisë së medias.

Qeveria serbe e mohon këtë, duke argumentuar se Telekom Serbia nuk merr para nga arkat e shtetit, ndërsa Euronews – i cili merr fonde nga taksapaguesit evropianë dhe numëron një sërë transmetuesish publik evropianë midis aksionerëve të tij – nuk pranoi të komentonte për këtë histori, duke kundërshtuar më parë mbulimin e mëparshëm të BIRN që sipas tij e kishte cituar Euronews “shumë përciptazi” dhe jashtë kontekstit dhe se nuk i kishte dhënë atij të drejtën për t’iu përgjigjur kritikave nga një prej të intervistuarve të cituar.

Për sipërmarrjen, Brankica Petkoviç, kreu i Qendrës për Politikat e Medias në Institutin e Paqes në kryeqytetin slloven, Lubljanë, tha për BIRN: “Shteti serb po shkel ligjin e tij.”

“Kjo është dhunë ligjore e cila mund të ketë pasoja serioze për shkak të nivelit të përfshirjes së aktorëve politikë gjithashtu”, tha Petkoviç për BIRN. “Do të ishte e vështirë të besohet se Euronews, i cili ka aksionerë transmetues publik evropianë, nuk ishte në dijeni të legjislacionit për median, duke qenë se kjo është gjëja e parë që çdo investitor bën kur vjen në një vend”.

Pretendime për “ndikim politik”

Ministri i jashtëm i Serbisë, Nikola Selakoviç, ministrja e kulturës, Maja Gojkoviç, drejtori i Telekomit, Vladimir Luciç, CEO i Euronews Michael Peters, kryeministrja serbe, Ana Brnabiç. Foto: Euronews.

Euronews njoftoi në korrik 2019 – pak para një vizite zyrtare në Beograd të presidentit francez Emmanuel Macron – se do të hapte një kanal lajmesh dhe platformë digjitale të quajtur Euronews Serbia në partneritet me HD ËIN në pronësi të Telekom Serbia, i cili që nga marsi 2020 quhet Arena Channels Group. Kjo erdhi pas nisjes së një sipërmarrje të ngjashme një vit më herët për publikun shqipfolës në rajonin e Ballkanit.

Në atë kohë, CEO i Euronews, Michael Peters tha se qëllimi ishte të krijohej “një kanal cilësor dhe i pavarur”.

Megjithatë, sipas Ligjit të Serbisë për Informimin Publik dhe Mediat 2014, shteti serb kishte kohë deri në mes të vitit 2015 të hiqte dorë nga mediat në pronësi të tij, një kërkesë që ende nuk është përmbushur.

Përkundrazi, Telekom Serbia ka blerë media të tjera dhe në shtator të vitit të kaluar Autoriteti Rregullator i Serbisë për Mediat Elektronike, REM, lëshoi dha një licencë transmetimi për Euronews Serbia.

REM, i cili shpesh akuzohet nga opozita se i shkon për shtat vullnetit të qeverisë, tha se vendimi për Euronews u mor në bazë të një vendimi nga Ministria e Informacionit në 2012 për t’i dhënë dritë jeshile blerjes së kanalit sportiv Arena Sport nga Telekom Serbia.

Anëtarja e REM Judita Popoviç kundërshtoi, duke i thënë BIRN: “Kjo temë as që ishte pjesë e seancës së rregullt të REM. REM vepron gjithnjë kështu kur ka një ndikim të qartë politik në media.”

Ndërkohë, autoritetet thonë se nuk ka asgjë të paligjshme në bashkimin e Euronews me Arena Channels Group të Telekom Serbia.

Suzana Vasiljeviç, këshilltar për mediat e Vuçiç, argumentoi se Telekom Serbia nuk financohet nga buxheti i shtetit dhe tashmë zotëron një sërë mediash në Serbi, Kroaci dhe Slloveni.

Në krye të politikës editoriale do të jetë vetë Euronews, tha ajo.

“Euronews zgjodhi një kryeredaktor dhe e punësoi atë në Lion”, tha Vasiljeviç në një deklaratë për BIRN. “Bordi editorial e menaxhon kanalin sipas standardeve të Euronews. Prandaj, edhe pse Telekom investon, ai nuk kontrollon politikën e tij editoriale.”

Zgjerimi “i rrezikshëm” i gjigantëve mediatikë

Politikani Vuk Jeremiç (majtas) në vizitën e tij në Euronews. Foto: Euronews Facebook.

Ekspertët e medias thonë se nisja e transmetimeve nga Euronews Serbia do të intensifikojë betejën midis Telekomit dhe rivalit të tij kryesor në Serbi, United Group. Ata mbajnë përkatësisht 42.4 dhe 46.1 për qind të tregut lokal të telekomunikacionit.

United Group zotëron dy kanale televizive kabllore në Serbi, të dy janë të njohur për kritikat e tyre ndaj qeverisë – N1 dhe NOVA S.

Nga ana tjetër, qeveria shihet gjerësisht se po ushtron ndikim mbi të gjithë transmetuesit e tjerë komercial kombëtar, si dhe transmetuesin publik, Radio Televizionin e Serbisë, RTS.

“Telekom dëshiron të minimizojë gjithashtu ndikimin e N1 prandaj bën marrëveshje me një media të një profili të ngjashëm në mënyrë që të marrë disa nga gazetarët, por edhe audiencën”, tha Snjezana Milivojeviç, profesoreshë e opinionit publik dhe studimeve të medias në Universitetin e Beogradit.

“Kur nuk ofron dot liri të medias, mund të bësh aleancë me dikë që mund të bëjë të duket sikur liria e medias ekziston.”

Petkoviç tha se Telekom dhe United Group ishin shumë të mëdhenj, të ndihmuar nga Ligji i diskutueshëm i Serbisë 2014 mbi Mediat Elektronike që lejoi operatorët kabllorë të kishin gjithashtu kanalet e tyre dhe të prodhonin përmbajtje.

“Zgjerimi i të dy kompanive është i rrezikshëm”, tha Petkoviç për BIRN. “Jo vetëm i Telekomit në pronësi të shtetit, por edhe i United Group.”

Liritë e medias, ndërkohë, janë zvogëluar nën qeverisjen e Vuçiçit, sipas organizatave ndërkombëtare.

Reporterë pa Kufij e përshkruan Serbinë si një vend “ku gazetarët i nënshtrohen sulmeve pothuajse të përditshme që vijnë gjithnjë e më shumë nga elitat në pushtet dhe mediat pro-qeveritare”.

Vitin e kaluar, Komisioni Evropian, krahu ekzekutiv i Bashkimit Evropian dhe që subvencionon Euronews, tha se “kërcënimet, kanosjet dhe dhuna ndaj gazetarëve” mbeteshin një shqetësim serioz dhe se shumica e kanaleve televizive me mbulim kombëtar dhe gazeta “promovuan politikën e qeverisë” gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar.

Delegacioni i BE-së në Serbi tha për BIRN se u takon rregullatorëve vendorë të vlerësojnë ligjshmërinë e sipërmarrjes Euronews.

“Ambienti mediatik në Serbi duhet të lejojë një raportim të drejtë, të ekuilibruar dhe transparent ndërsa ofron një aspekt profesional mbi çështje aktuale”, tha delegacioni. “Sa i përket rastit specifik që ju përmendni, i takon organeve rregullatore të Serbisë të vlerësojnë pajtueshmërinë me legjislacionin serb. Ne do të vazhdojmë të monitorojmë zhvillimet.”

Në ceremoninë e mbajtur në maj, Peters, CEO i Euronews, tha se kanali synonte të ishte “në mes”.

“Ne duam të jemi një vend ku të gjithë politikanë dhe figura të tjera janë të mirëpritur të japin mendimin e tyre, të shprehen dhe ne jemi këtu për t’i respektuar ata”, tha ai.

Milivojeviç tha se lidhja me Arena Channels Group të Telekomit do t’i bënte gjërat më të lehta, të paktën në anën e biznesit.

“Nëse do t’ia nisnin nga e para, do t’u duhej shumë kohë për t’u bërë të rëndësishëm në një treg të ngopur, por me Telekomin në anën e tyre ata do të kenë një qasje më të fortë në treg dhe afeksionin e institucioneve shtetërore”, tha ajo.