Ndërsa shqiptarët janë paraqitur më të paktë nëpër qendrat e votimit, udhëheqësit kryesorë politikë, Edi Rama dhe Lulzim Basha iu lutën shqiptarëve përmes postimeve në Facebook për të rritur pjesëmarrjen.
Të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për pjesëmarrjen në votime deri në orën 16, tre orë para mbylljes zyrtare të votimeve, mbetet më e ulët se sa në zgjedhjet e vitit 2013, ndërkohë që kryeministri Edi Rama shkeli Kodin Zgjedhor duke bërë thirrje të përsëritura për ta votuar, bashkë me udhëheqësin e opozitës Lulzim Basha.
Të dhënat e pjesshme të KQZ thonë se pjesëmarrja deri në orën 16 qe 34.9 për qind, nga gati 43 për qind që pati qenë deri në këtë orë në zgjedhjet e vitit 2013. Pjesëmarrja më e ulët është regjistruar në Qarqet Vlorë e Shkodër, respektivisht 27.6 dhe 29.8 për qind ndërsa pjesëmarrja më e lartë rezulton në qarqet Berat e Dibër, respektivisht 43.5 dhe 43.4 për qind.
Rënia më e madhe e pjesëmarrjes në krahasim me vitin 2013 regjistrohet në Fier, me gati 14 pikë përqindjeje dhe në Shkodër me gati 13 pikë përqindjeje. Në Tiranë, pjesëmarrja në votime deri në orën 16 qe 38 për qind, nga 43 për qind që pati qenë në vitin 2013.
Kryeministri Edi Rama bëri thirrje të vazhdueshme përmes një serie mesazhesh të lëshuara në faqen e tij në Facebook duke iu lutur qytetarëve të votonin.
Rreth orës 2.45, kryeministri publikoi një mesazh në faqen e tij zyrtare në Facebook, ku bënte thirrje për votime dhe kritikonte bojkotin. Një orë më vonë, një status tjetër i kryeministrit i bënte lutje emigrantëve të telefononin në shtëpi për t’i kërkuar të afërmve të tyre të dilnin në votime.
Rreth orës 4.30, kryeministri shkoi më tutje duke i kërkuar në veçanti banorëve të zonës elektorale ku ai vetë kandidon, Vlorës, të marrin pjesë në zgjedhje bashkë me myzeqarët. Vlora dhe Fieri i dhanë Partisë Socialiste një fitore të thellë në vitin 2013, por këto janë qarqet ku pjesëmarrja këtë vit është ndjeshëm më e ulët se sa katër vjet më parë.
Edhe Lulzim Basha bëri postime në Facebook duke kërkuar pjesëmarrje në votime në tre raste.