Një 33 vjeçar mbeti i plagosur mbrëmjen e së premtes në Njësinë Administrative Poshnje, në Bashkinë e Dimalit. Policia Vendore e Qarkut të Beratit, deklaroi paraditen e së shtunës se arrestoi dy persona si autorë të dyshuar si autorë të ngjarjes dhe shpalli në kërkim katër të tjerë.
Iliaz Ismailaj, banor i fshatit Poshnje, mbërriti i plagosur në Repartin e Kirurgjisë në Spitalin Rajonal të Beratit, ku ende ndodhet nën kujdesin intensivë. Burime nga ky spital thanë për BIRN, se i riu ishte paraqitur me një plagë në trup, shkaktuar me armë zjarri dhe menjëherë i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja sipas policisë ndodhi, në mjediset e jashtme të një lokali në fshatin Poshnje, ndërsa i riu ishte nisur të shkonte drejt banesës së tij, në kohën që ëshë qëlluar në drejtim të tij.
“Rreth orës 18:00, në rrethana ende të paqarta është plagosur me armë zjarri pistoletë, shtetasi I.I., 33 vjeç. Shërbimet e policisë kanë shkuar menjeherë në vendngjarje, kanë bërë rrethimin e zonës dhe grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarje, si dhe mbledhjen e çdo prove të mundshme”, tha Policia Vendore e Qarkut të Beratit në një njoftim për shtyp.
33 vjeçari, mësohet se pak ditë më parë ishte kthyer nga Angli dhe ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për një konflikt të mundshëm që i riu mund të ketë pasur, gjatë qëndrimit të tij atje.
Policia tha se mbrëmjen e ngjarjes shoqëroi në komisariat disa shtetas të cilët, dyshohej se mund të kishin dijeni për plagosjen, ndërkohë që mëngjesin e së shtunës njoftoi se identifikoi dy autorë, mundësoi arrestimin e tyre si dhe shpalli në kërkim, katër persona të tjerë.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në DVP Berat dhe Komisariatin e Policisë Berat, në bashkëpunim edhe me DVP Fier bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të A.Sh., 35 vjeç, banues në fshatin Kurjan, Rroskovec dhe A.F., 32 vjeç., banues në fshatin Otllak, Berat. Në vijim të veprimeve hetimore janë identifikuar dhe shpallur në kërkim edhe bashkëautorët e tjerë të kësaj ngjarje, shtetasit: F.Sh., 30 vjeç, I.N., 48 vjeç, M.H., 33 vjeç dhe N.T., 32 vjeç” tha zyrtarisht policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, për veprën penale “Vrasje me dashje”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim.