Një propozim në Rumani për të detyruar studentët të punojnë në vend pas diplomimit ka zemëruar komunitetin e studentëve, të cilët thonë se kufizimi i kujton ato të periudhës komuniste.
Një iniciativë nga forumi kryesor rumun për shkencën dhe kulturën, Akademia Rumune, për të ndaluar “largimin e trurit” duke detyruar studentët në universitetet shtetërore të punojnë në vend pas diplomimit ka shkaktuar zemërim.
Organizatat e studentëve thonë se kjo u kujton një politikë të ndjekur nga regjimi komunist në Rumani në vitet 1980.
Propozimi erdhi në formën e një strategjie afatgjatë të zhvillimit të hartuar nga akademia, që daton në vitet 1866 dhe mbledh akademikët më të respektuar të vendit.
Në analizën e saj të sistemit të arsimit, paralajmërohej rreth rritjes shqetësuese të numrit të të diplomuarve që largohen nga vendi për të gjetur punë jashtë.
Autorët sugjeruan që shteti ta kufizojë eksodin duke detyruar të diplomuarit e universiteteve shtetërore me bursa të punojnë në Rumani për një periudhë të paktën të barabartë me gjatësinë e studimeve të tyre ose t’i shlyejnë shtetit shpenzimet e arsimit të tyre.
Zgjidhja ka zemëruar shumë studentë rumunë. Disa thonë se nuk është kushtetuese dhe se i ngjan një dekreti të periudhës komuniste nga viti 1982 që detyronte të gjithë rumunët që largoheshin nga vendi të shlyenin shpenzimet e edukimit.
“Është e tmerrshme dhe shumë fashiste,” tha për BIRN Gabriela Serban, studente e drejtësisë.
“Nëse ata duan t’i mbajnë të rinjtë në vend, shteti duhet të krijojë të paktën kushtet që ne të duam të rrimë. Ne kemi nevojë për punë të denja me rroga të denja,” shtoi ajo.
Ajo tha gjithashtu se kufizimi nuk ishte kushtetues pasi ligjet rumune garantonin të drejtën e lëvizjes së lirë.
Ajo thotë se nuk do të largohet nga Rumania, megjithëse partneri i saj studioi në Mbretërinë e Bashkuar dhe ka gjetur një punë atje: “por unë mendoj se është çështje parimi që njerëzit duhet të lëvizin lirshëm”.
Shumë nga studentët e tjerë bien dakord me të. Vlad Chereches, kreu i Lidhjes Kombëtare të Studentëve, tha se asnjë vend në Europë nuk ka rregulla të tilla.
Megjithatë nuk ka konsensus mes anëtarëve të Akademisë Rumune për planin. Ekspertja e migracionit Silvia Chereches, e cila shkroi një kapitull në strategji, këshilloi qeverinë të bëjë më shumë për të inkurajuar studentët të qëndrojnë në Rumani pas diplomimit.
Rumania është një nga vendet me paga më të ulëta në BE, me 462 euro në muaj për vitin 2016.
Sipas një studimi të 2012 të OSBE, rreth 3 milionë rumunë emigruan brenda pak viteve pasi Rumania u anëtarësua në BE.
Popullata aktive për punë, veçanërisht në sistemin e shëndetësisë pësoi mangësi direkte të personelit.
Që nga viti 2007, 36,000 mjekë, dentistë dhe farmacistë kanë kërkuar certifikata për të punuar jashtë vendit sipas Ministrisë së Shëndetësisë.