Blog3 Aug 2017

Plazh dhe pedalim drejt Gjirit të Lalëzit (Guidë)

Nëse jeni gati ta shijoni verën me aventurat e saj, provoni udhëtimin entuziastmues me biçikletë drejt plazhit të Gjirit të Lalëzit, 45 kilometra nga Tirana.

Autor: Ivana Dervishi BIRN Durrës
Printo

Drejt Gjirit të Lalëzit me biçikleta. Foto: Ivana Dervishi/BIRN

Mes resorteve të ndërtuara dekadën e fundit dhe reputacionit si plazh luksoz, Gjiri i Lalëzit gati çdo fundjavë tërheq vëmendje me bllokimin e trafikut në disa segmente të rrugës prej dyndjes së plazhistëve.

Megjithatë gjatë ditëve të javës, situata është më e relaksuar dhe rruga lehtësisht e kalueshme edhe nga rrotakët e tjerë, si për shembull biçikletat. Për më tepër që në këtë verë paszgjedhore, destinacioni kryesor është Jala, ku janë katapultuar të rinjtë partiakë.

Ju mund të këndoni bashkë me hitet verore nga radioja e makinës suaj rrugës për në plazh ose mund ta shtoni adrenalinën (dhe dozën verore) duke fishkëllyer fragmente këngësh të mbetura në kujtesë ndërsa i jepni këmbëve nëpër terrenin e kodrave të buta përgjatë rrugës mbi biçikletë drejt Lalëzit.

Me makinë nga Tirana, Gjiri i Lalëzit merr 50 minuta, por itinerari me biçikletë është një eksperiencë për të mos u humbur që të lejon shijim 100 për qind të natyrës, aktivitetit fizik dhe ndalesave të shpeshta në dyqanet e shumta të akulloreve që të kap syri përgjatë zonës.

Një mënyrë e thjeshtë për t’i kursyer vetes disa kilometra është të kapni autobusin për në Durrës, i cili niset çdo 30 minuta nga stacioni i ish-Doganës, duke paguar 70 lekë shtesë për biçikletat përveç kostos 130 lekë/personi të transportit – dhe të ndaloni në Maminas.

22 kilometrat e segmentit të quajtur “Rruga Lalëzit” kalojnë në asfaltin që përshkon kodra të buta, me tre ose katër të përpjeta të lodhshme gjatë të cilave mund ta merrni biçikletën në dorë, ndërsa do t’ju ofrohet vazhdimisht mundësia për të blerë ujë të freskët nga marketet përreth.

Tabelat e “akulloreve artizanale” për freskinë e të cilat vendasit betohen për lopët e tyre do t’ju shoqërojnë gjatë gjithë rrugës, e cila në varësi të shpejtësisë suaj mund të marrë deri në 2 orë.

Në tre kilometrat e fundit, mundësitë e plazhit variojnë nga ato të resorteve të ndërtuar së fundmi deri te plazhi më popullor i Shën Pjetrit, ku mund të merrni një shezlong për 400 lekë dhe të shijoni rrezet e diellit dhe detin me nuancat e të kaltrës në të gjelbër.

Për 14 kilometra më tej nëpër kodrat që arrijnë 100-150 metra, aventura juaj mund të marrë një tjetër entuziazëm duke vizituar zonën pak të rrahur të Kepit të Rodonit dhe gërmadhat e Kishës së Shën Antonit dhe Kalasë së Rodonit.

Në fund të ditës, rruga e kthimit do t’ju angazhojë sërish të lëvizni këmbët.

Në kompleksin turistik Lura përgjatë Lalëzit, kalon një urban për në Tiranë, i cili shpesh mbipopullohet nga punëtorët e ndërtimeve aty pranë, por që nuk pranon të marrë biçikleta në asnjë pjesë të rrugës.

Rruga e kthimit, si përherë më e shkurtër në dukje do të jetë më pak e lodhshme nga ideja e një aventure të re të finalizuar me sukses derisa të dilni në mbikalimin e Maminasit, ku mund të prisni për autobusët apo fugonat që udhëtojnë nga Durrësi drejt Tiranës.

Plazhi i Shën Pjetrit në Lalëz. Foto: Ivana Dervishi/BIRN

Plazhi i Shën Pjetrit në Lalëz. Foto: Ivana Dervishi/BIRN

Kepi i Rodonit nga plazhi i Shën Pjetrit në Lalëz. Foto: Ivana Dervishi/BIRN

Rruga drejt Gjirit të Lalëzit. Foto: Ivana Dervishi/BIRN

Kodrat përgjatë rrugës së Lalëzit.

Këshilla të nevojshme? Si në çdo udhëtim të gjatë me biçikletë merrni krem dielli për t’ju mbrojtur nga rrezet e forta, si dhe ujë të freskët për të luftuar vapën zhuritëse.