Reportazh28 Nov 2020

Pluhuri nga ‘Guri i Bardhë’ i merr frymën Dimalit

Banorët e qytetit së vogël në jug të Shqipërisë ankohen se ndotja e ajrit që vjen si pasojë e aktivitetit të guroreve është kthyer në një makth që vazhdon prej vitesh.

Autor: Erjola Azizolli BIRN Dimal
Printo

Aktiviteti i guroreve në zonën e pyllëzuar në Bashkinë e Urës Vajgurore. Foto_E.Azizolli

Pagëzimi me emrin e ri “Dimal” nuk e  ka ndryshuar shumë ish-bashkinë e Urës Vajgurore. Në kafenenë pranë shkollës, në hyrje të qytezës, në një lagje që mban emrin “28 Nëntori”, por që të gjithë e thërrasin Guri i Bardhë, e zonja e biznesit të sugjeron të mos rrish në verandë edhe pse është një ditë e ngrohtë nëntori.

“Ka shumë pluhur në çdo kohë dhe pse gjithë ditën rri me leckë në dorë,” thotë Dhurata Hoxha, pronare dhe punonjëse në biznesin familjar.

Një perde pluhuri e bardhë mbulon lulet që ndodhen në pjesën e jashtme të lokalit, ndërkohë që në verandën e madhe dhe të rrethuar me plastmasa nuk qëndron asnjëri nga klientët e rastit.

“Pluhuri i guroreve! Ja kështu jemi në çdo kohë, ditë e natë,” ankohet gruaja e cila ka investuar në lokalin e saj vitet e gjata të punës në emigracion.

Guroret në zonë janë kthyer në shqetësimin kryesor të banorëve. Jo vetëm atyre të Gurit të Bardhë, por gjithë qytezës që numëron 12 mijë syresh dhe që zgjohet e mbuluar prej pluhurit të tyre.

“Janë aktualisht 11 aktivitete private (gurore) që ushtrojnë veprimtarinë në bashkinë tonë dhe herë pas here sëbashku me Policinë Bashkiake ushtrojmë kontrolle, për masat që subjektet duhet të marrin për eliminimin e ndotjes gjatë aktivitetit dhe për rastet me shkelje vendosim gjoba,” tha për BIRN Zyra e Mjedisit, Pyjeve dhe Veterinarisë pranë bashkisë së qytetit.

Por gjobat e bashkisë shkojnë deri në 50 mijë lekë dhe nuk duket se kanë arritur të ndryshojnë situatën. Matjet e ndotjes të kryera nga aktivistë mjedisorë disa vite më parë, treguan prani të lartë të agjentëve ndotës mbi çdo normë të lejuar – si në lagjen “Guri i Bardhë” në hyrje të qytezës, ashtu edhe në qendër të saj.

I pyetur nga BIRN, Jani Qose – një prej pronarëve të guroreve të shumta në zonë, u ankua se kërkesat e tyre për një rrugë alternative për të lëvizur makinat me gur jashtë zonës së banuar kishin rënë në vesh të shurdhër.

Ai sugjeroi se filtrat apo mjete të tjera të mbrojtjes nuk përdoreshin pasi “ato kanë kosto shumë të lartë” dhe do ta groposnin biznesin e tyre.

Ndotja krijon probleme shëndeti

Aktiviteti i guroreve në zonën e pyllëzuar në Bashkinë e Urës Vajgurore. Foto_E.Azizolli

Tani për tani kostot e ndotjes në Dimal po i paguajnë banorët që jetojnë prej vitesh me dyer e dritare mbyllur.

“Kjo ndotje na shoqëron prej vitesh sa jemi kthyer nga Greqia dhe investuam në këtë lokal, ku asnjë herë nuk e shoh të pastër nga pluhuri që ka “pushtuar” gjithë lagjen dhe qytetin,” tregon Dhurara Hoxha në një bisedë për BIRN.

Pak metra larg lokalit të familjes Hoxha, një hyrje të një kancelarie të vogël, pronari i saj hedh disa kova me ujë në rrugë, ndërsa pluhuri ngrihet në ajër. “Ja kjo është ajo çfarë bëjë gjithë ditën për të larguar pak pluhurin se u sëmurëm fare,” ankohet burri duke shtrënguar fortë maskën anti-covid mbi hundë.

Ndërsa lë nga pas pjesën kryesore të lagjes dhe drejtohesh më në brendësi të saj, një makinë e madhe transporti që duket e super ngarkuar për shkak të zhurmës,  lë nga pas shtëllunga tymi. Në dy krahët e rrugës ndodhen banesat private të lagjes, ku nuk mungojnë pemët, ndërsa përpara shfaqet zona kodrinore, një pjesë e së cilës duket si e ngrënë nga aktiviteti i guroreve.

Prezenca e gurit në zonë i ka dhënë asaj emërtimin “Guri i Bardhë’, por që pas viteve 1990 aktiviteti i nxjerrjes së gurit këtu u shtua nga viti në vit, duke u bërë shkak për një ndotje tepër të lartë që çlirohet në ajër.

Ndërsa ndodhesh në mes të lagjes  shikon se gjelbërimi këtu është i gjithi me pluhur. Pemët, asfalti i rrugës kanë prezencë pluhuri, ndërsa makina e rastit e ngre atë në ajër, duke bërë që për disa minuta gjithçka të zbardhojë.

“Kështu është këtu tym nga guroret,” tha një pensionist që nxiton në rrugë me një çantë me shegë në sup. “Kështu jetojmë ne, me dyer dhe dritare të mbyllura në çdo kohë,” shtoi ai.

“Nxjerrja dhe përpunimi i gurit konsiderohet si shkaktari i shkarkimeve të grimcave në ajër, kur nuk ka prani pajisjesh për kapjen e tyre në burim si filtra, lagie me sprucim dhe për këto çdo vit janë vendosur gjoba, si pasojë e kontrolleve permanente”, thotë Zyra e Mjedisit, Pyjeve dhe Veterinarisë.

Një projekt monitorimi i cilësisë së ajrit i kryer nga aktivistë të mjedisit tre vite më parë gjeti nivele të larta ndotjeje. Arjana Bardhi, aktiviste që ishte pjesë e projektit që u zhvillua për herë të parë në qytet nga korriku 2017 deri në mars 2018, thotë se rezultatet ishin “problematike dhe ndotja e lartë.”

Bardhi thekson se guroret vazhdojnë të mbeten një burim ndotje për qytetin.

“Ajri është i ndotur, ndihet çdo mëngjes,” tha ajo.  “Pluhuri në ajër, por edhe në shtëpi, djegia e disa materialeve,  gomave gjatë natës, minat që shpërthejnë kohë e pa kohë,” shtoi Bardhi.

Problematika e ndotjes ka nisur të lër gjurmë dhe në shëndetin e banorëve. Nga alergjitë e deri tek astma, kanë nisur të shfaqen tek banorët, në të gjitha lagjet e qytetit.

“Nga viti në vit kemi shtim të numrit të pacientëve me alergji, sëmundje respiratore, atyre polmonare dhe astma,” tha mjeku Ilir Komini. “Të prekurit janë të gjitha grupmoshave që nga fëmijët e deri tek moshat e treta,” shtoi ai.

Komini shërben si mjek Patolog në Qendrën Shëndetësore me numër 18, në qendër të qytetit dhe rastet e reja të pacientëve me këto sëmundje i lidh me shkallën e ndotjes në të gjithë qytetin.

“Rastet që regjistrohen kanë një emërues të përbashkët që lidhet me mjedisin, ajrin, i cili bëhet shkak për këto lloj sëmundjesh, të cilat i referojmë tek specialisti,” theksoi Komini.

Përpjekjet e dështuara për të ndaluar ndotjen

Aktiviteti i guroreve në zonën e pyllëzuar në Bashkinë e Urës Vajgurore. Foto_E.Azizolli

Qeveria shqiptare ka një bilanc negativ në betejën për t’i vënë sadopak fre biznesit të guroreve në qarkun e Beratit. Përpjekjet e mëhershme për të bllokuar punën e guroreve në malin e Tomorrit janë përballur me padi në gjykata nga kompanitë që kanë koncesione shumëvjeçare.

Ngjashëm duket situata edhe në qytezën që u pagëzua Dimal, për tu bërë më joshëse për turistët. Zyra e Mjedisit, Pyjeve dhe Veterinarisë pranë bashkisë së qytetit thotë se ka aplikuar shpesh gjoba për kompanitë, por aktiviteti i guroreve duket se nuk ndikohet fare prej tyre.

Subjektet e guroreve e ushtrojnë aktivitetin e tyre në bazë të lejeve mjedisore të dhënave nga Ministria e Mjedisit dhe gjobat për mospërmbushje të disa standardeve të përcaktuara nuk duket se përbëjnë një problem për to.

Për të shmangur nivelin e ndotjes në ajër subjektet duhet të vendosin në punë filtrat mbrojtës, të përdorin ujë për të mbajtur të pastër gjithë mjedisin ku veprojë dhe mos të përdorin lëndë shpërthyese gjatë kohës së nxjerrjes së materialit. Por, banorët tregojnë se subjektet nuk i respektojnë rregullat e punës, ndaj dhe ndotja është e lartë.

Një punonjës i Agjencisë Rajonale të Mjedisit, ARM,  në Berat që nuk pranoi të identifikohej i tha BIRN se  ndërhyrjet e tyre për të vënë në zbatim këto rregulla nuk kishin dhënë fryte.

“Institucioni i Prefektit çdo vit ka ngritur grup pune, janë vendosur gjoba gati çdo vit, pasi subjektet nuk vendosin në punë filtrat mbrojtëse, por prapë gjobat janë paguar dhe sërish puna ka vazhduar,” tha ai.

Zyrtarisht ARM i tha BIRN se agjencia, e cila prej korrikut të këtij viti është rajonale dhe përfshin Beratin, Elbasanin dhe Korçën, kishte pak mjete në dorë për të bërë kontrollin, ndërsa edhe mundësia e pafrytshme e gjobëvënies është pezulluar.

“Tani kemi një territor shumë herë më të madh, kemi mungesa logjistike, po ashtu dhe mungesë mjetesh, ndërkohë që prej muajsh na është pezulluar dhe e drejta e vënies së gjobave”, tha për BIRN Agjencia Rajonale e Mjedisit për Beratin, Elbasanin dhe Korçën.

Gjasat që situata të ndryshojë nuk janë të mëdha. Pronarët e bizneseve me të cilët BIRN foli e pranuan problemin e ndotjes, por thanë se nuk kishin zgjidhje.

Jani Qose, drejtues i kompanisë “Koloselu” i tha BIRN se ata kishin këmbëngulur për një rrugë të re që do i nxirrte kamionet nga zona urbane, por nuk kishin pasur përgjigje pozitive.

“Ne e kemi propozuar qindra herë në bashki, madje jemi gati të ndihmojmë në hapjen e rrugës tjetër që çon drejt zonës së guroreve me qëllim që mjetet mos të futeshin fare në zonën e banuar dhe kështu do të shmangej pluhuri,” tha Qose, drejtues i subjektit privat “Koloselu”.

Por i pyetur në lidhje me vendosjen në punë të mjeteve për shmangien e ndotjes, Qose thotë se ato kanë kosto mjaft të mëdha.

“Mjedisorë, qytetarë, të gjithë flasin për mjetet mbrojtëse që të vihen në punë për shmangien e tymit dhe ndotjen, por askush nuk pyet për kostot që ato kanë,” tha ai.

“Po, ato kanë kosto shumë të lartë, qoftë si investim fillestar, por dhe për mbajtjen në punë,” shtoi Qose, duke lënë të kuptohet se ato nuk vihen në punë gjithmonë.

Qose, pranon faktin se shqetësimet e banorëve janë të drejta, por nga ana tjetër thotë nuk u është afruar asnjë zgjidhje tjetër në lidhje me ushtrimin e aktivitetit.

Ndryshe për banorët e vetmja shpresë vjen nga qielli.

“Vetëm shiu e pastron zonën, asgjë tjetër,” tha prerë Dhurata Hoxha. “Kur makineritë e firmave vihen në punë, tymi është në ajër dhe kuptohet që asgjë nuk bëhet për ta ndalur atë,” shtoi ajo.

Ajo thotë se shpresat për një të ardhme më të mirë pas kthimit nga emigracioni ishin zbehur nga pluhri i “Gurit të Bardhë’.

“Këtu po bëhet më keq, pandemia nga njëra anë, ndotja nga ana tjetër, vetëm Zoti e di se si do të shkojë ky hall,” përfundoi ajo.