Reportazh23 Jan 2020

“Po talleni me ne”: Banorët e Kalivaçit presin me revoltë projektin e HEC-it

Banorët e zonës së Kalivaçit që preken nga projekti koncesionar i hidrocentralit ankohen se po i mbajnë në errësirë lidhur me fatin e shtëpive dhe tokave të tyre, ndërsa aktivistët mjedisorë vazhdojnë betejën për mbrojtjen e Vjosës.

Autor: Nensi Bogdani BIRN Memaliaj
Printo

Banorët e zonës së Kalivaçit debatojnë me autorët e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis të HEC Kalivaçit. Foto: Nensi Bogdani

Në qendrën kulturore të qytetit të Memaliajt, ekipi i koncesionarit të Kalivaçit u prit me këmbët e para nga banorët e zonës, në një seancë të tensionuar konsultimi brenda sallës ende të dekoruar me urimet e festave të fundvitit.

Banorët ishin ftuar për t’u njohur me rezultatet e vlerësimit të ndikimit në mjedis të HEC-it të Kalivaçit, por ata kërkuan me ngulm të dinin se cili ishte plani për kompensimin e shtëpive të tyre.

“Ju vini këtu të talleni me ne. Nuk kemi punë me zogj e me sorra, duam të dimë kur do të bëhet kompensimi i shtëpive, ai është halli ynë kryesor,” tha Rahit Taka, një banor i zonës së Kalivaçit.

Planet për ndërtimin e hidrocentraleve mbi lumin e Vjosës kundërshtohen prej vitesh nga banorët e zonës, aktivistët mjedisorë vendas dhe të huaj si dhe grupe të shkencëtarëve, të cilët e konsiderojnë Vjosën si lumin e fundit të egër në Europë që nuk duhet të cenohet nga digat.

Në vitin 2017, aktivistët mjedisorë triumfuan në gjykatë duke e nxjerrë të pavlefshme kontratën koncesionare të qeverisë për hidrocentralin e Poçemit. Megjithatë, qeveria miratoi në vitin 2017 një koncesion të ri për ndërtimin e HEC-it në Kalivaç në favor të kompanisë turke Ayen-Alb dhe kompanisë Fusha sh.p.k.

Për të realizuar vlerësimin e ndikimit në mjedis, kompania koncesionare ka kontraktuar kompaninë Abkons.

Autorët e raportit të ndikimit në mjedis filluan t’u shpjegonin banorëve të zonës se fuqia e instaluar në 3 turbinat e hidrocentralit do të ishte 111 MË dhe prodhimi mesatar i energjisë në 366,6 GËh në vit por u ndërprenë prej tyre.

“Zotëri, po flet me fshatarë, jo me inxhinierë,” iu drejtua njëri prej banorëve të pranishëm ekspertit Erjon Kalaja.

Banorët e konsideruan takimin një tallje dhe kërkuan me ngulm të dinin se çdo të ndodhte me fatin e tyre.

“Të na japin vetëm lekët. Sepse duam ne, s’duam ne, kjo do bëhet. Të më kompensohet toka se gjynah ata fëmijë,” tha Rahit Taka për BIRN.

“Po deshi shteti, s’të pyet njeri,” shtoi ai.

I pranishëm në sallë dhe i vendosur për të vazhduar betejën në mbrojtje të Vjosës, Olsi Nika, drejtor ekzekutiv i Eco Albania tha se në shkurt do të inaugurohej pak metra larg rrjedhës së lumit në Tepelenë “Vjosa Science Center”.

“Çështja e Vjosës  është kthyer në një legjendë urbane, për të cilën ka kaq vite që flitet e diskutohet, por ne do vazhdojmë punën tonë në mbrojtje të saj,” tha Nika për BIRN.

Ndërsa Vera Pullen, konsulente mjedisore nga Serbia dhe pjesë e ekipit që ka realizuar VNM-në nuk preferoi të ndalej gjatë tek ndikimi që do të ketë HEC-i mbi lumin.

“Sigurisht , jam e ndërgjeshme që Vjosa është një lumë i egër me biodiversitet të lartë dhe me specifika të veçanta,” tha shkurtimisht ajo.

Altin Gërbi, ish-ekonomist i kantierit të Kalivaçit shprehu shqetësimin se koncesionari i mëparshëm kishte përdorur lëndë plasëse dhe se askush nuk e kishte ngritur zërin. Ndërsa përfaqësuesit e kompanisë aktuale koncesionare premtuan se këto lëndë do të përdoreshin në mënyrë të kufizuar, vetëm në kushte gjeologjike specifike.

Banorët thanë se përdorja e eksplozivit ishte shqetësim jo vetëm për mjedisin, por edhe për sigurinë e tyre.

Gëzim Taka, banor i zonës kërkon transparencë mbi skemën e kompensimit të banorëve të prekur. Foto: Nensi Bogdani

“Ju s’keni ardhur një herë tek asnjë nga shtëpitë tona, a e keni idenë se çfarë zhurme e çfarë ndotje do të kemi ne, po ku jetohet ashtu”? tha me irritim në drejtim të panelit Gëzim Taka, banor i zonës.

E ndërsa banorët shprehen se asnjë prej ekipit nuk ka ardhur t’i shohë nga afër, autorët e vlerësimit të ndikimit në mjedis pretendojnë të kundërtën.

“Është monitoruar niveli i zhurmave në shtëpitë më të afërta me kantierin dhe gjithashtu është monitoruar edhe cilësia e ajrit,” tha koordinatori i ekipit, i cili shtoi se asnjë prej shtëpive nuk do të kishte ndikim nga zhurmat.

Por banorët e Kalivaçit kërkuan transparencë, ndërsa shprehën shqetësim për të ardhmen e tyre.

“Jemi 7 familje, ne jemi m’u tek zona e digës. Nuk e di fare ku do na çojnë,” tha Njazir Çaushi për BIRN, duke u ankuar se askush nuk i jep përgjigje.

“Ti  thua se do më paguash mua investimin e shtëpisë, por duhet të më paguash edhe 20 vjet prodhim. Vetëm unë kam mbjellë 3000 rrënjë në tokën time. Ne në bujqësi i kemi të ardhurat, “ u thotë ai ekspertëve.

Autorët e raportit të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis e konsideruan tokën e prekur nga ndërtimi i HEC-it si tokë me vegjetacion në stadin e fundit të degradimit, me kapacitet të ulët prodhues dhe nivel të lartë erozioni dhe sugjeruan se do të ishte më frytdhënës për banorët nëse vendosej në funksion të projektit.

Por banorët që rrezikojnë të preken nga projekti energjetik nuk binden.

“Ku do vete unë mor zotëri, ti më flet mua për shifra peshqish dhe bimësh, por nuk më thua ku do më çoni. Ti më vjen e më heq nga shtëpia, e më thua të të dëgjoj,” vazhdoi i revoltuar Gëzim Taka.

Paneli i ekspertëve shpjegoi se procesi për zhvendosjen e familjeve nuk kishte filluar ende dhe se do të bëhej në bashkëpunim me ta dhe me pushtetin lokal. Por banorët e zonës e konsideruan këtë një tallje.

“Ju do fërkoni duart me ne, do kënaqeni, do qeshni me ne,” përfundoi Gëzim Taka i pashpresë.

Njazir Çaushi gjatë debatit me përfaqësuesit e projektit të HEC-it të Kalivaçit. Foto: Nensi Bogdani

Lumi i Vjosës. Foto: Nensi Bogdani