Policia e Durrësit ndaloi një të ri që banonte në Shkodër pasi dyshohet se po transportonte lëndë plasëse dhe municion luftarak me qëllim trafikimin.
Policia i gjeti gjatë një kontrolli të befasishëm 2 granata dore, 4 kapsolla detonatorë, 491 gramë lëndë eksplozive të dyshuar si C4 dhe 490 fishekë luftarak, të futura brenda një çante.
Samed Lisaj u ndalua nga policia në lagjen numër 17 të qytetit, teksa po lëvizte si pasagjer përmes shërbimit taksi. Policia sqaroi se shoferi i taksisë u la i lirë pasi nuk kishte dijeni për personin që po transportonte armë dhe municion luftarak.
Policia njoftoi se i riu kishte për qëllim trafikimin e lëndëve plasëse e municionit luftarak dhe akuzohet për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.
Më 1 qershor Policia e Durrësit përmes një operacioni të organizuar arrestoi 3 persona dhe sekuestroi disa kilogramë lëndë eksplozive. Muajt e fundit policia ka realizuar disa operacione ku janë ndaluar persona që tregtonin lëndë eksplozive.
Në operacione të tjera janë gjetur edhe mina të lidhura me aparate celularë për shpërthim në distancë, që kapnin vlerën e disa mijëra eurove nëse do të shiteshin.
Pak ditë më parë, më 11 korrik Policia e Krujës rreth orës 23:25 në fshatin Halil gjeti në ambientin e jashtëm të një banese një pako të vogël, ku brenda saj kishte lëndë të dyshuar si plasëse, duke dëshmuar përdorimin e lëndëve eksplozive jo vetëm për atentate me pasojë vdekjen, por edhe për shantazh.