Qyteti i ndërtuar si pjesë e industrisë së prodhimit të armatimeve gjatë luftës së ftohtë shpreson se një investim i Rilindjes Urbane do t’i mundësojë një jetë të dytë me turizëm pas emigrimit masiv të 30 viteve të fundit.
Disa kafene, një restorant, një farmaci, një dyqan rrobash dhe një dyqan gazetash janë ana e dukshme e jetës ekonomike të qytezës së vogël të Poliçanit, e cila gjendet rrëzë malit të Tomorrit në Shqipërinë e jugut.
Qyteza numëronte 4,300 banorë në censusin e vitit 2011 ndërsa u transformua nga fshat në qytezë në vitet e komunizmit kur pranë saj u ndërtua një nga fabrikat më të mëdha të prodhimit të armatimeve. Qyteza u zvogëlua me shpejtësi pasi lufta e Ftohtë mbaroi dhe industria ushtarake u mbyll.
Burimi kryesor i punësimit për banorët e qytezës gjatë viteve të fundit ka qenë nxjerrja e gurit dekorativ ndërsa një investim i qeverisë përmes programit të Rilindjes Urbane ka dhënë shpresë për vende të reja pune në turizmin e natyrës dhe të aventurës.
Arlind Metani, përfundoi dy vite më parë studimet e larta master në Tiranë dhe u kthye në qytetin e tij të Poliçanit dhe pse shpresat për tu punësuar nuk i kishte shumë të mëdha. Por, njohurit e tij për historinë dhe pasionin për të, dëshironte ti vinte në zbatim, ndaj dhe nuk u mendua dy herë. Si fillim aplikoi në institucionin e bashkisë për një vend pune deklaruar i hapur, të cilin e fitoi, ndërsa sot është në profesionin e tij.
“Lexova për një njoftim pune në zyrën e Marrëdhënieve me Publikun dhe fakti që bashkia i jep prioritet të rinjve më dhanë shpresë. Aplikova dhe fitova. Punova për pak kohë atje deri sa mu hap vendi i punës si mësues”, thotë për BIRN Metani.
Qyteti në këtë fund-shtatori, kryesisht në qendrën e tij është i zhurmshëm veçanërisht gjatë ditës për shkak të nisjes së vitit të ri shkollor. Ndërsa, mbrëmja këtu është e qetë, por sheshi i tejmbushur, pasi rehabilitimi i sheshit Miqësia e ka bërë më të jetueshme qendrën e qytetit.
“Qyteti nuk ofron shumë. Por, unë preferova që të rikthehem pasi besojë që qyteti në të ardhmen do të ndryshojë, pasi gjërat kanë filluar të lëvizin, jeta është më e gjallë, mbrëmjet më të bukura, tha Arlindi që kohën veç punës si mësues historie në gjimnazin e qytetit, e kalon me shokët në baret e bulevardit.
Rehabilitimi i shëtitores Miqësia, një projekt ky me vlerë 28.4 milionë lekë lekë, u financua nëpërmjet vendimit të Komunitetit të Zhvillimit të Rajoneve, pjesë e programit të financimit të infrastrukturës vendore dhe rajonale. Punimet që përfshinë shtimi e rrugës në shëtitore, sistemimin e trotuareve, kanalizimet e ujërave të larta dhe ndriçimin, gjelbërimin, vendosjen e stolave, përfunduan në mars të vitit 2016.
Xhevair Hoxha është një pensionist që kohën e lirë e kalon me shokët në bulevardin që i lidh miqësia e dikurshme. Bulevardi me sistemimin, ndriçimin, ka rrënjosur një simbolikë shumë të shenjtë, miqësinë, por nga ana tjetër ka rikthyer dhe shpresat për zhvillim.
Për Hoxhën, që dikur ka punuar si specialist prodhimi në ish Uzinën e Armëve në Poliçan, qyteti sot ka më shumë jetë, më shumë ngjyra dhe shëtitorja duket se po kthehet në ato vitet e e saj të lavdishme.
“Poliçani u ndërtua rreth viteve 1960 për t’i dhënë jetë një qyteti industrial dhe shumë shpejt u shndërrua në krenarinë e kohës, për prodhimin e armëve dhe municioneve. Inxhinierët, profesorët dhe specialistët, punëtorët e parë, erdhën nga qytete të ndryshme të vendit dhe çdo natë mblidheshim në shesh për të kaluar kohën e lirë, ndaj dhe kjo shëtitore është kaq e rëndësishme për ne, pasi krijoi miqësitë mes njerëzve”, thotë pensionisti për BIRN.
“Poliçani është vërtet qytet i vogël, por i rregullt, i sistemuar, plotë gjallëri, ndaj dhe kjo shëtitore ka shumë kujtime për ne dhe të gjitha lidhen me fëmijërinë tonë, që duket se po rikthehet”, thotë Arlindi.
Ndërsa, si banorë i vjetër në moshë Hoxha kujtojnë se për pesë vite, nga viti 1961 deri në vitin 1966, nga një fshat, Poliçani u kthye në një qytet të vogël industrial, një bazë e rëndësishme e industrisë mekanike dhe asaj ushtarake.
“Me banorë që thuajse të gjithë punonin në kombinat, Poliçani u kthye në qendrën e prodhimit të armëve dhe municioneve në vend dhe si i tillë vijoi të ekzistonte deri pas viteve 1990, ku kombinati e humbi rëndësinë, sëbashku me të dhe mundësinë e punësimit, pasi njëra pas tjetrës sektorët u mbyllën, bashkë me to u ndal puna, u larguan banorët, humbi gjallëria”, thotë pensionisti.
Aktualisht kombinati është nën administrimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe puna ka ndalur prej vitesh, ndërkohë që bashkia synon të marrë administrimin e tij, ose të një pjesë të reparteve që nuk funksionojnë, por që mund të rivihen në shërbim, me qëllim hapjen e vendeve të reja të punës.
Poliçani u krijua si bashki e madhe në vitin 2015 kur qytezës ish-industriale iu bashkëngjitën komunat e Tërpanit dhe Vërtopit, të cilat janë zona malore dhe merren kryesisht me blegtorinë dhe frutikulturën.
Disa shpresojnë se ish-kombinati Mekanik mund të përdoret për industri fason për shtimin e vendeve të punës, por bisedimet mes bashkisë që kërkon të marrë mjediset e kombinatit dhe Ministrisë së Mbrojtjes deri tani nuk kanë sjellë rezultat.
E ndërsa qytetarët shohin shpresa që lidhem me gjallërimin e jetës fal rehabilitimit të shëtitores, sipas bashkisë administrimi vendor i ish Kombinatit do të zgjidhte shumë probleme sociale në këtë qytet, i cili ekzistencën e tij e ka pasur fal kombinatit.
“Për pjesën e tuneleve, të cilët nuk mungojnë në mjediset e kombinatit, Bashkia ka projekte konkrete për shndërrimin e tyre në një art galeri, muze, me qëllim promovimin dhe ruajtjen e historisë së qytetit”, bëri me dije zyra e turizimit pranë bashkisë së Poliçanit.
Por sot për sot, epiqendra e qytetit është sheshi miqësia, i cili u shndërrua në një bulevard që mbart shumë kujtime dhe shpresë.