Policia e Durrësit njoftoi mëngjesin e kësaj të marte se arrestoi 3 persona qe tentuan të trafikonin 2 objekte të periudhës së antikitetit, një basoreliev ku ishin gdhendur imazhet e 2 njerëzve dhe një enë prej qeramike.
Gjatë operacionit policor të koduar “Antikat” u arrestuan 49 vjeçari me iniciale A. V., banues në Fier, i cili drejtonte automjetin ku u gjetën veprat e artit, 37 vjeçari me iniciale A. V. dhe 48 vjeçari me iniciale R. Z., 48 vjeç, të dy banues në Tiranë.
49 vjeçari që jetonte në Fier sipas policisë siguronte veprat e artit, ndërsa dy personat e tjerë gjenin klientelën për shitjen e tyre. Policia saktësoi se operacioni në fushën e trafikimit të veprave të artit erdhi pas 3 javë hetimesh dhe se dy veprat i përkasin periudhës së antikitetit dhe ja dhe janë pjesë e trashëgimisë kulturore.
Veprat sipas njoftimit për mediat do të shiteshin kundrejt shumës 18 deri në 25 mijë euro secila. Por trafikimi mbeti në tentativë teksa policia prangosi 3 burrat në zonën turistike të Currilave në Durrës, teksa po tentonin t’i shisnin dy objektet e periudhës së antikitetit.
Policia e Durrësit u shpreh se materialet do t’i kalojnë prokurorisë së qytetit, për veprime të mëtejshme për veprën penale “Trafikimi i veprave të artit dhe kulturës”, e kryer në bashkëpunim.