Lajm25 Sep 2018

Policia arreston një 23-vjeçar për grabitjen dhe pengmarrjen në familjen Mira

Florenc Xheleku është sipas policisë i dyshuari kryesor për grabitjen me armë të së premtes në Bulqizë. I riu i cili ishte me masë sigurie “arrest shtëpie” pasi ishte arrestuar me drogë, nuk u gjet në banesë pas ngjarjes. Dy personat e tjerë ende nuk janë identifikuar. E ëma mohon akuzat. 

Autor: Sami Curri BIRN Bulqizë
Printo

Shtëpia e familjes Mira, e cila u sulmua dhe mbajt peng bashkë me familjen në Bulqizë. Foto:Sami Curri

Një 23-vjeçar nga Bulqiza u arrestua të martën, pasi sipas policisë ai së bashku me dy persona të tjerë ende të paidentifikuar akuzohen se kanë kryer pengmarrjen dhe grabitjen e të premtes së kaluar në shtëpinë e familjes Mira.

Në një njoftim për shtyp policia tha se 23-vjeçari Florenc Xheleku, i cili ndodhej në masë sigurie “arrest shtëpie” për akuzën “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ishte “autori kryesor i dyshuar”. Policia thotë se Xheleku dyshohet për “Vjedhje me armë”, “Armëmbajtje pa leje”, “Plagosje e lehtë”, “Veprime në kundërshtim me Gjykatën” të kryera në bashkëpunim dhe “Largim nga vendi i vuajtjes së dënimit”.

Familja e të arrestuarit i mohoi akuzat. “Lidhur me sulmin në familjen Mira, në mënyrë kategorike nuk e pranoj”, tha nëna e të dyshuarit Afërdita Xheleku për BIRN. Gruaja tha se i biri kishte qenë në shtëpi të premten në mbrëmje kur ndodhi ngjarja. Ajo megjithatë pranoi se i biri nuk ia kishte hapur derën policisë që kishte shkuar për kontroll pas ngjarjes, pasi ishte me temperaturë dhe se kontrollet e policisë në shtëpinë e tyre ishin të shpeshta.

Ahmet Mira me të shoqen u sulmuan mbrëmjen e të premtes më 21 shtator, ndërsa po ktheheheshin në shtëpi. Të dy bashkë me fëmijët dhe nënën 80-vjeçare të Ahmetit u mbajtën për disa orë nën kërcënimin e armëve. Biznesmeni Mira, pronar i disa pikave të tregtisë me pakicë dhe një restoranti i tha BIRN se ai dhe familja e tij ndiheshin të pasigurt. Ai thotë se ka qenë shpesh viktimë e grabitjeve, por ata kanë sulmuar dyqanet.

Kjo ishte ngjarja e dytë e rëndë që ndodhte në Bulqizë brenda muajit, ndërsa më herët ishte raportuar rrëmbimi i një 15-vjeçareje. Policia njoftoi për këtë rast arrestimin e katër personave dhe një tjetër u shpall në kërkim. Vajza u kthye në shtëpi pas disa ditësh.

Ndërkohë të martën policia njoftoi për arrestimin e Xhelekut që sipas saj është i dyshuari kryesorë për sulmin ndaj familjes Mira. “Në vijim të hetimeve të pandërprera të kryera nga grupi i posaçëm hetimor i ngritur nga Drejtoria Vendore e Polcisië Dibër dhe Komisariati i Policisë Bulqizë, nga tërësia e veprimeve të kryera duke përdorur edhe metoda speciale të hetimit, është bërë e mundur kapja  dhe ndalimi i të dyshuarit si autori kryesor i ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policië.

Policia thotë se menjëherë pas ngjarjes ka ushtruar kontroll në banesën e Xhelekut, pasi kishin informacione operative. 23-vjeçari ishte ndërkohë me masë sigurie “arrest shtëpie” pasi ishte kapur me një sasi narkotiku në Lezhë. Por i riu sipas policisë nuk ka qenë në banesë dhe kjo e ka bërë atë të dyshuarin kryesorë.  “Shërbimet e Policisë nuk e kanë gjetur në banesë këtë shtetas  pasi ka ndodhur ngjarja”, thuhet në njoftimin e policisë.

Nëna e të arrestuarit e kundërshtoi këtë version. Ajo u ankua se familja e saj ishte “shenjestër” sa herë ndodhte diçka në qytet dhe se kontrollet e policisë ishin bërë rutinë. Gruaja i tha BIRN se i biri kishte qenë në banesë të premten në mbrëmje, por nuk ia kishte hapur derën policisë. Sipas saj i biri ka qenë në shtëpi edhe në dy ditët në vijim dhe policia e ka gjetur aty. “Djalin e kanë gjetur në shtëpi (të hënën). Kanë ardhur sërish në darkë, djali në shtëpi. Dhe arrestimi i tij është bërë të hënën në darkë”, tha ajo.

Por policia e Bulqizës thotë po ashtu se Xheleku është gjetur të hënën në mbrëmje në një lokal dhe se ai është përpjekur t’i shpëtojë arrestimit, ndërsa ka kundërshtuar punonjësit e policisë. Ndërkohë policia thotë se është ende në kërkim të dy bashkëpunëtorëve të 23-vjeçarit.