Lajm28 Aug 2021

Policia arreston vëllain e Elton Debreshit si të dyshuar për vendosjen e eksplozivit

Policia e Dibrës ngriti tre akuza ndaj vëllait të kreut të SMBB me dyshimin se ai kishte vendosur vetë eksplozivin në makinë. Familja Debreshi nuk qe e arritshme.

Autor: Sami Curri BIRN Bulqizë
Printo

Makina e Debreshit pas shpërthimit të eksplozivit. Foto: Sami Curri.

Policia e Shtetit njoftoi të shtunën arrestimin e Alfred Debreshit, si person i dyshuar për vendosjen e eksplozivit në makinën e vëllait të tij, Elton Debreshi. Ky i fundit prej vitesh është në detyrën e kryetarit të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës dhe në zgjedhjet e 25 prillit ka kandiduar si i pavarur.

Sipas njoftimit të policisë, ndaj Alfred Debreshit janë ngritur tre akuza “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”; “Mbajtja pa leje e lëndëve plasëse” dhe Deklarim i rremë para oficerit të policisë gjyqësore”.

Një sasi lënde plasëse shpërthyeu në orët e para të së premtes në makinën e Elton Debreshi. Makina ishte e parkuar në afërsi të banesës së Debreshit, në fshatin Dushaj të njësisë administrative Fushë-Bulqizë.

BIRN nuk arriti të komunikonte dot me Debreshin deri në publikimin e shkrimit. Por në një deklaratë  të postuar në rrjetin social Facebook, Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës e konsideroi si një kërcënim lidhur me aktivitetin sindikal.

“Që prej themelimit të sindikatës sonë, ndaj Eltonit dhe shokëve të tjerë ka pasur shpesh përndjekje e kërcënime. Sot arritën te tritoli. Mafiozët, oligarkët dhe pushtetarët që na marrin kromin duan të na marrin edhe jetën nëse themi të vërtetën dhe mbrojmë të drejtat tona.” thuhet në reagimin e SMBB-së.

Tritoli ndaj makinës së Debreshit u shoqërua me reagime e protestë në rrjetet sociale, por hetimet e para kanë çuar policinë te të afërm të tij.