Policia e Durrësit pas përfundimit të protestës së të premtes arrestoi 7 të rinj dhe shpalli në kërkim 2 të tjerë, të akuzuar për organizim grumbullimi dhe manifestimi të paligjshëm.
Menjëherë pas shpërndarjes së protestës së të premtes në mbrëmje policia në Durrës nisi një operacion të ndalimit të pjesëmarrësve që sipas saj kishin kryer akte dhuna. Disa dhjetra persona u shoqëruan, prej të cilëve 7 u vunë nën arrest dhe për 15 nisi procedimi në gjendje të lirë.
“Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht, për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” 3 shtetas (organizatorë të protestës) dhe për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” 12 shtetas”, njoftoi Policia e Durrësit për median.
Ndërkohë 7 të rinjtë e arrestuar akuzohen edhe për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë” dhe “Shkatërrim i pronës”.
“Shtetasit e lartpërmendur kanë protestuar në mënyrë të paligjshme, nuk i janë bindur urdhërit të policisë për t’u shpërndarë”, njoftoi policia, megjithëse në protestë nuk pati thirrje publike nga policia për shpërndarjen e turmës.
Mbrëmjen e të premtes qindra të rinj ndezën fillimisht qirinj në kujtim 25 vjeçarit dhe më pas vijuan marshimin përpara Prokurorisë dhe Gjykatës Durrës, duke bërë thirrje për drejtësi. Më pas një grup sulmoi dhe tentoi të hapte derën kryesore të Drejtorisë së Policisë duke përplasur kazanë të mbeturinave dhe duke u vënë flakën. Ata po ashtu qëlluan edhe me gurë dhe hodhën kapsolla drejt godinës.