Tre oficerë policie u lënduan ndërsa policia e Kosovës organizoi një operacion të madh kundër të dyshuarve për krim të organizuar në veriun e mbizotëruar nga serbët, duke arrestuar 10 vetë, përfshirë zyrtarë të policisë lokale.
Policia e Kosovës nisi mësymje në orët e para të mëngjesit të ditës së martë në pjesën veriore të Mitrovicës, duke shkaktuar një reagim të zemëruar nga Serbia.
Dhjetë vetë janë arrestuar deri më tani dhe operacioni i policisë është ende në vazhdim e sipër, sipas një gazetari të BIRN.
Ndër të arrestuarit është shefi i policisë së fshatit Zubin Potok, tha Sylë Hoxha, prokurori në këtë çështje.
Një oficer i policisë së Kosovës u plagos me armë zjarri gjatë operacionit, por nuk është në rrezik për jetën. Dy oficerë të tjerë janë plagosur gjithashtu, sipas mjekëve në Mitrovicën e Veriut.
Policia tha se në Zubin Potok u ngritën barrikada dhe u dogjën goma makinash për të penguar policët.
Policia e Kosovës tha se operacioni u ndërmor për të ndaluar të dyshuar që dyshohet se kanë marrë pjesë në organizimin e grupeve kriminale dhe kanë qenë të përfshirë në kontrabandë mallrash, shpërdorim të posteve zyrtare, ryshfet dhe tregti në kontrabandë.
“Edhe pse operacioni policor u përball me rezistencë të armatosur në veri të Mitrovicës, ai po vazhdon dhe përfshin arrestime dhe marrje të kontrollit në disa vende, gjë e cila ka rezultuar me konfiskimin e provave relevante, duke përfshirë pushkë,” tha policia në një deklaratë.
Policia tha gjithashtu se operacioni nuk ka të bëjë me vrasjen e Enver Zymberit, një polic i cili u vra në veri të Kosovës tetë vjet më parë, as me hetimin për vdekjen e politikanit serb të Kosovës Oliver Ivanoviç i cili u vra në vitin 2018.
Kryeministri Ramush Haradinaj tha se qëllimi ishte të shënjestroheshin “individë të përfshirë në kontrabandë, krim të organizuar dhe akte të tjera kriminale” dhe se operacioni nuk ishte kundër serbëve në përgjithësi.
“Disa persona të përfshirë në këto akte janë zyrtarë doganash, policë dhe qytetarë të tjerë të thjeshtë,” shkroi Haradinaj në Facebook.
“Si kryeministër i vendit, unë konfirmoj se bëhet fjalë për sundim të ligjit dhe asgjë më shumë. I ftoj serbët në veri të ruajnë qetësinë dhe të respektojnë ligjin,” shtoi ai.
Por kreu i zyrës së qeverisë serbe për Kosovën, Marko Djuriç, tha të martën në mëngjes se qëllimi ishte të shkaktonte frikë dhe panik.
“Sot në mëngjes, rreth orës 06:00, njësitë speciale të ROSU-së sulmuan nga tre drejtime në veri të Kosovës, në territorin e të katër komunave me shumicë serbe, me qëllim të shkaktonin frikë dhe panik,” tha Djuriç për agjencinë e lajmeve Tanjug.
Ai tha se “separatistët nga Prishtina po përdorin metoda akoma më të tmerrshme për të trembur serbët” dhe duan të “krijojnë një klimë të pamundur për serbët në Kosovë”.
Ndërkohë, presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe Ministria e Brendshme urdhëruan Ushtrinë Serbe të vihej në gatishmëri të plotë luftarake, njoftoi Tanjug.
Tanjug gjithashtu raportoi se Vuçiç ka nisur “aktivitete intensive diplomatike” mbi bastisjet.
“Presidenti u kërkoi autoriteteve politike perëndimore që të kontrollojnë Prishtinën dhe u bëri të ditur atyre se Serbia nuk do të lejojë spastrim etnik,” u tha nga zyra e presidentit serb, raportoi Tanjug.
Mediat serbe gjithashtu raportuan se serbët në veri të Mitrovicës kanë filluar të mblidhen në qendër të qytetit.