Katër lexues sahati të OSHEE dhe një pronar hoteli janë ndaluar nga policia e Lezhës, pasi akuzohen për vjedhje të energjisë elektrike.
Katër lexues sahati të OSHEE nga Tirana dhe Lezha dhe një pronar hoteli janë ndaluar nga policia e Lezhës, pasi akuzohen për vjedhje të energjisë elektrike. Faturistët që akuzohen për shpërdorim detyre janë arrestuat me vendim të gjykatës së Lezhës, ndërsa pronari i hotelit u la me masë sigurie arrest në shtëpi,
Policia bëri të ditur se ishte ekzekutuar të enjten “vendimi penal datë 08 Maj 2019, i Gjykatës Shkallës Parë Lezhë, e cila ka caktuar masat e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës kryer në bashkëpunim”, për shtetasit, A. Sh., 34 vjeç, B. Sh., 42 vjeç, J. D., 27 vjeç”, të tre të ndaluarit janë me funksion specialistë leximi pranë Drejtorisë Qendrore të OSHEE Tiranë.
Po ashtu është arrestuat edhe G. M., 31 vjeç, i cili sipas policisë është lexues sahati pranë OSHEE Lezhë.
Ndërkohë është ekzekutuar masa e sigurisë “Arrest në shtëpi” për veprën penale “Vjedhja e energjisë elektrike dhe impulseve elektrike” ndaj M. N., 64 vjeç, pronar i një hoteli në Shëngjin.
“Nga hetimet rezulton se punonjësit e kompanisë OSHEE, në bashkëpunim me njëri – tjetrin, nëpërmjet shpërdorimit të detyrës, kanë lejuar vjedhjen e energjisë elektrike nga subjekti privat hotel, në pronësi të shtetasit M. N., duke mos e faturuar për energjinë e konsumuar, rast i cili ka sjell dëm ekonomik për kompaninë” thuhet në njoftimin e policisë.