Lajm5 Apr 2021

Policia gjobit kandidatin e pavarur, por bën një sy qorr ndaj partive të mëdha

Policia e Bulqizës gjobiti me 5 milionë lekë për shkeljen e masave anti-COVID kandidatin e pavarur, Elton Debreshi, ndërkohë që për dhjetëra tubime nga kandidatët e partive kryesore nuk ka pasur asnjë ndëshkim.

Autor: Sami Curri BIRN Bulqizë
Printo

Kandidati i pavarur, Elton Debreshi në takimin për të cilin u gjobit nga Policia e Shtetit. Foto:Sami Curri

Kandidati i pavarur për deputet në qarkun e Dibrës, Elton Debreshi publikoi të hënën një vendim të policisë së Bulqizës, e cila e kishte gjobitur me 5 milionë lekë për organizim të një tubimi më 26 mars.

Gjoba është vendosur për shkelje të kufizimeve mbi numrin e pjesëmarrësve në tubime, bazuar në një urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë, i cili prej muajsh shkelet nga partitë politike dhe përfaqësuesit e tyre.

“Autori i vërtetë i kësaj gjobe është Edi Rama. Ai dhe partitë e tjera kanë frikë nga mbështetja e madhe që po marrim në çdo fshat dhe qytet të Dibrës,” akuzoi Debreshi në reagimin e tij për gjobën.

Gjoba ndaj Debreshit është një tjetër tregues i standardeve të dyfishta në trajtimin e rasteve të ngjashme nga policia. Shtabet elektorale të PS dhe PD në Dibër konfirmuan për BIRN se nuk kishin marrë gjoba, ndonëse kanë publikuar në faqet e tyre materiale filmike të tubimeve të organizuara në shkelje të urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë.

Të pyetur nga BIRN, tre anëtarët e Komisionit të Shqyrtimit të Kundërvajtjeve Administrative iu shmangën përgjigjes për trajtimin e ndryshëm të rasteve të ngjashme.

Shefi i Komisariatit, Arben Sulaj tha se “ka komision tjetër që do të shqyrtojë ligjshmërinë e gjobës”. Ai shtoi gjithashtu se kishte një paqartësi mbi publikimin apo jo në Fletoren Zyrtare të vijimit të masave nga Komiteti i Ekspertëve.

Sulaj nuk iu përgjigj pyetjes se pse nuk ishin marrë masa të njëjta për subjektet e tjera politike, të cilat kanë publikuar vetë foto dhe video të shkeljes së masave anti-COVID.

Shefi i Krimeve, Ferdi Kola po ashtu iu shmang pyetjes.

“Unë jam vetëm anëtar komisioni, gjobat referohen nga shërbimet në terren,” tha Kola. Ndërsa shefi i rendit në komisariatin e Bulqizës, Ardjan Balla i referoi pyetjet te zëdhënësja e policisë. Kjo e fundit refuzoi t’i përgjigjej një kërkese për koment, ndërsa tha se e hëna ishte ditë pushimi.

Duke iu referuar trajtimit të ndryshëm, Debreshi e përdori gjobën si “medalje”.

“Tregon se të gjitha partitë janë bashkë. Dje ishin bashkë kundër grevës dhe protestave tona, sot janë bashkë kundër kandidimit të një minatori,” tha Debreshi në një njoftim të shpërndarë për mediat.

Të dhënat e mbledhura nga BIRN tregojnë se urdhri i Ministrisë së Shëndetësisë Nr. 633 të nëntorit 2020, është shkelur masivisht prej përfaqësuesve politikë të gjitha partive, përfshi kryetarët e tyre dhe madje nga vetë ministrja e Shëndetësisë. Megjithatë numri i gjobave për këto raste shkeljesh ka qenë minimal, duke rënduar më shumë përfaqësues të opozitës.

Gjykata Kushtetuese në një vendim të datës 9 mars 2021 e cilësoi të drejtë kufizimin e numrit të pjesmarrësve në takime, por i kërkoi Komitetit të Ekspertëve dhe autoritetit përgjegjës që të përcaktonte afate për zgjatjen e tij. Prej vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Ministria e Shëndetësisë e ka zgjatur dy herë afatin e kufizimit, i cili vazhdon deri më 8 prill.