Prokuroria e Tiranës njoftoi se kishte marrë një kallëzim nga policia ndaj Spitalit Amerikan për akuzat e “përhapjes së panikut” dhe “kontrabandës”.
Prokuroria e Tiranës pranoi se kishte marrë një kallëzim nga policia ndaj Spitalit Amerikan për akuzat e “përhapjes së panikut” dhe “kontrabandës”, në lidhje me pohimet në media për ofrim pranë spitalit të testeve për Covid-19.
Koordinatorja për të drejtën e informimit pranë Prokurorisë së Tiranës, Lorena Salillari tha se “ka mbërritur kallezimi ndaj Spitalit Amerikan për veprat penale të parashikuara nga nenet 267 dhe 174 te Kodit Penal, “kontrabanda me mallra të tjerë” dhe “përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”.
Koordinatorja tha se ende nuk ishte rregjistruar një procedim penal dhe ende nuk ishte shortuar çështja.
I pyetur mbi kallëzimin drejtori i Spitalit Amerikan Klodian Allajbeu refuzoi të komentonte. Spitali amerikan njoftoi disa ditë më parë se ishte në gjendje të bënte teste për Covid-19 dhe po ashtu edhe analiza të imunitetit që tregojnë se sëmundja ishte kaluar.
Por Agjencia Shtetërore Barnave reagoi duke njoftuar se asnjë institucion tjetër veç Institutit të Shëndetit Publik nuk kishte certifikim për të bërë testime.
Ligji shqiptar për luftimin e epidemive sanksionon që trajtimi i të sëmurëve të bëhet falas. Silva Bino, shefja e Departamentit të Epidemiologjisë dhe Kontrollit të Sëmundjeve Infektive pranë Institutit të Shëndetit Publik, njoftoi se po shikohej mundësia për të zgjeruar testimet në laboratore të tjera publike, ndërsa në një prononcim për BIRN tha se epidemia duhej të trajtohej sipas ligjit, duke nënkuptuar që testimet duhej të bëheshin falas për pacientët.
Lexo edhe:
Oferta e testeve me pagesë të Covid-19 nga spitalet private ngre dilema etike dhe ligjore
Testi serologjik i COVID-19 është premtues, por nuk është certifikuar ende