Lajm19 Nov 2015

Policia manipulon të dhënat mbi operacionin antidrogë

Të paktën tre nga të arrestuarit e operacionit të mbrëmjes së 18 nëntorit, rezultojnë të jenë arrestuar një muaj më parë në një operacion tjetër. Furnitorët e drogës mbeten mister dhe të paidentifikuar pavarësisht hetimeve gjashtëmujore.

Autor: Lindita Çela BIRN Tiranë
Printo

Sasia e drogës e konfiskuar nga policia e shtetit më 12 tetor 2015 në operacionin "Parking". Foto kortezi: Policia e Shtetit

Sasia e drogës e konfiskuar nga policia e shtetit më 12 tetor 2015 në operacionin “Parking”. Foto kortezi: Policia e Shtetit

Policia e shtetit njoftoi mbrëmjen e kaluar se ka përfunduar “operacionin më të gjerë anti-drogë të kryer vitet e fundit në Shqipëri”, gjatë së cilit “ndaloi, arrestoi, shpalli në kërkim apo procedoi,” 35 persona.

Operacioni i koduar “Epilogu” u njoftua në një konferencë të posaçme për shtyp në orën 8 të mbrëmjes së 18 nëntorit nga Drejtori i Policisë së Qarkut Tiranë Ervin Hodaj.

“Falë një pune të gjatë hetimore, është shkatërruar një ndër grupet më të strukturuara të shpërndarjes së narkotikëve, duke nisur nga Organizatorët, Koordinatorët dhe Shpërndarësit e drogave të forta në rrugët e kryeqytetit,” deklaroi Hodaj.

Policia njoftoi gjithashtu se gjatë operacionit është sekuestruar edhe një sasi prej 1 kilogramë e 50 gramësh heroinë.

Por një verifikim i BIRN mbi emrat e njoftuar si të arrestuar natën e kaluar, në databazën e njoftimeve të policisë së shtetit, zbuloi se së paku tri prej tyre qenë arrestuar në fakt që më 12 tetor të këtij viti, në një operacion tjetër të koduar “Parkingu”. Sipas njoftimit të policisë në atë kohë, Elis Mali (Sefa), 35 vjeç, Elsi Rroshi, 32 vjeç dhe Aldo Leka, 23 vjeç, qenë arrestuar në parkingun e një qendre tregtare në periferi të Tiranës me 1 kilogramë e 12.4 gramë heroinë.

Pyetur nga BIRN për këtë çështje, drejtori Hodaj tha se emrat e tre të arrestuarve të tetorit qenë përfshirë edhe në listën e të arrestuarve të operacionit “Epilog” për shkak se “bëhet fjalë për të njëjtin procedim penal”.

“Gjatë dy netëve të operacionit janë arrestuar 19 shtetas dhe janë shpallur në kërkim 5 shtetas të tjerë dhe po hetohet për të zbuluar bashkëpunëtorët në rrjet,” – tha Hodaj, i cili këmbënguli se pjesë e hetimit do të jetë edhe verifikimi i pasurive të grupit kriminal.

Sekuencë nga filmimet e policisë për arrestimet gjatë operacionit "Epilogu". Kortezi: Policia e Shtetit

Sekuencë nga filmimet e policisë për arrestimet gjatë operacionit “Epilogu”. Kortezi: Policia e Shtetit

Hodaj nuk bëri të ditur nëse, sasia e raportuar e heroinës së sekuestruar në operacionin “Epilog” përfshin apo jo edhe sasinë e ngjashme të sekuestruar në operacionin “Parkingu”.

Mes të dyshuarve të tjerë të policisë, pesë të rinj të moshës 22-31 vjeçare u proceduan nga policia në gjendje të lirë, raportohet për shkak se policia i ka vlerësuar ata si përdorues të drogës dhe jo si trafikantë.

Mbetet e paqartë se pse pesë të rinj janë “proceduar në gjendje të lirë”, në një operacion, për të cilin policia thotë se “shkatërroi një ndër grupet më të strukturuara të shpërndarjes së narkotikëve”.

Ndërkohë, pjesa tjetër e të arrestuarve rezultojnë në shumicë individë të njohur për policinë dhe drejtësinë, me një karrierë si shpërndarës droge, ndërkohë që, sipas Prokurorisë së Tiranës, personi apo personat që furnizonin grupimin me drogë mbeten të paidentifikuar, edhe pse policia e Tiranës thotë se e ka mbajtur nën hetim këtë grup prej gjashtë muajsh.

Sipas njoftimit zyrtar të prokurorisë për këtë operacion, personi i dyshuar si organizatori kryesor “Julian Bushati siguronte heroinën tek persona ende të paidentifikuar për momentin, duke marrë rreth 100-200 gramë çdo 5 ditë”.

Hetimi zbuloi se Bushati e përpunonte lëndën narkotike në banesën e tij duke e trefishuar me përbërës të tjerë dhe i dërgonte çdo ditë rreth 100-150 gramë Sokol Kllapit. Ky i fundit, bashkë me Sonila Dinoshin, kishin marrë një apartament me qira dhe aty e ndanin këtë sasi në rreth 200-250 porcione. Çdo porcion heroinë shitet nëpër rrugët e Tiranës për 1 mijë lekë copa. Sipas vlerësimeve të prokurorisë, xhiroja ditore e këtyre shpërndarësve vlerësohet në 200 deri në 250 mijë lekë të rinj ndërsa fitimi ditor vlerësohej në 90 mijë deri në 120 mijë lekë të rinj. Ata e shpërndanin drogën përgjatë të gjithë ditës.

Policia e Shtetit është vënë nën kritika për shkak të sasisë së konsiderueshme të drogës të kapur herë pas here në Itali, drogë që dyshohet se është prodhuar, përpunuar apo ka kaluar tranzit në Shqipëri.

Të mërkurën, autoritetet italiane zbuluan në portin e Barit një sasi të stërmadhe prej 1,460 kilogramë marijuanë me origjinë nga Shqipëria. Sipas baritoday.it autoritetet doganore e zbuluan ngarkesën pas një skanimi të kamionit që transportonte zyrtarisht dërrasa dhe që qe nisur nga porti i Durrësit. I njëjti skanim që zbatohet në portin italian, zbatohet edhe në Portin e Durrësit, në bazë të një kontrate të shtrenjtë koncesionare me kompaninë Rapiscan. Por teknologjia e lartë, e cila i kushton Shqipërisë rreth 12 milionë euro në vit, nuk arriti ta zbulojë këtë sasi droge.