Një grup prej 20 refugjatësh, mes të cilëve fëmijë e foshnja, u ndaluan nga policia e Vlorës në Novoselë, ndërsa thanë se kishin paguar 700 euro për të shkuar nga Tirana në Shkodër dhe besonin se ndodheshin në këtë qytet.
Një grup prej 20 refugjatësh, mes të cilëve fëmijë dhe foshnja, nga Afganistani u ndaluan në Novoselë të Vlorës nga policia. Refugjatët thanë për mediat që ishin të pranishme gjatë ndalimit se ishin nisur nga Tirana për në Shkodër dhe se kishin paguar 700 euro për këtë transferim.
Policia dyshon se personi që ka marrë përsipër trasferimin i ka mashtruar duke u marë paratë dhe duke i dërguar në krahun tjetër të vendit. Policia e Vlorës tha se personat e ndaluar kishin qenë më herët në kampin e refugjatëve në Tiranë dhe se kishin hyrë në Shqipëri nga Korça.
“Unë i thashë shoferit për të shkuar në Shkodër ata na sollën këtu. Ne paguam 700 euro dhe na sollën këtu”, tha një nga refugjatët për mediat. Burri që mbante një foshnej në dorë tha se vinin nga Afganistani dhe kishin ardhur me tre makina të ndryshme deri në atë vend. Ai tha se më herët kishin qëndruar për një javë në Tiranë.
Numri i refugjatëve që po synojnë të kalojnë europën përmes Shqipërisë është rritur ndjeshëm. Vetëm në dy javët e fundit dy makina në të cilat udhëtonin refugjatë pësuan aksidente në përpjekje për t’iu shmangur policisë. Më 23 shkurt një makinë me 9 refugjatë ra në një greminë, ndërsa përpiqej të arrinte Tiranën nga Korça në një rrugë përmes Gramshit.
Dy prej refugjatëve që ndodheshin në makinë humbën jetën. Ndërkohë më 27 shkurt një makinë që tentoi t’i shmangej kontrollit të policisë në Korçë ra në një kanal, por fatmirësisht pasagjerët refugjatë pësuan vetëm lëndime të lehta.
Më herët gjatë këtij viti një grup tjetër refugjatësh u ndalua po në Novoselë të Vlorës, ata thanë se kishin udhëtuar për muaj të tërë përgjithësisht në këmbë nga Iraku e vende të tjera me shpresë të arrinin në një vend të Perëndimit.