Avioni i vogël, piloti dhe pasagjeri i të cilit u arratisën me makinë, bëri ulje të detyruar dhe u përplas me pemët në kufirin mes Shqipërisë dhe Malit të Zi. Avioni nuk kishte leje të fluturonte mbi Shqipëri.
Një avion i vogël, dy vendesh ka bërë ulje të detyruar dhe është përplasur në një tentativë për tu ringritur në Vermosh, pak metra nga kufiri mes Shqipërisë dhe Malit të Zi. Banorët e zonës thanë në telefon se piloti dhe pasagjeri ishin larguar me një mjet fuoristradë, ndërsa avioni është braktisur në vendin ku ishte rrëzuar.
Policia e Shkodrës njoftoi se ngjarja kishte ndodhur rreth orës 12.30, “në kufirin ndarës ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi (vendi i papërcaktuar) është rrëzuar një avion i vogël”.
Burime të policisë thanë se ende ishin në kërkim të dy personave që ndodheshin në aeroplan, ndërsa kanë filluar hetime për ngjarjen.
Një zyrtar i Autoritetit të Aviacionit Civil i tha BIRN, në kushte anonimati, se avioni i rrëzuar nuk ka pasur leje për të fluturuar në hapësirën shqiptare. Ai tha se mbetej për tu verifikuar se aeroplani kishte komunikuar me kullën e kontrollit në Rinas.
Policia ka dyshime se aeroplani mund të jetë pjesë e trafikut të paligjshëm. Rrëzimi në Vermosh vjen pesë vjet pas një debati të ashpër mes opozitës dhe qeverisë mbi trafikun e narkotikëve me avionë të kësaj natyre. Të paktën dy avionë u bllokuan në vitet 2015-2016 në Shqipëri, ndërsa u gjet se ata tentuan të transportonin kanabis dhe pësuan defekt.