Lajm4 Aug 2021

Policia procedon penalisht kapitenin e tragetit për krim mjedisor

Kapiteni i një trageti të linjës akuzohet nga policia se ndoti ujërat e portit të Durrësit duke shkarkuar në mënyrë të paligjshme mbetje.

Autor: Geri Emiri BIRN Tiranë
Printo

Porti i Durrësit | Foto nga Geri Emiri

Kapiteni i një trageti u procedua penalisht nga Policia e Durrësit pasi dyshohet se nga mjeti lundrues që ai drejtonte ka ndotur me mbetje akuariumin e Portit të Durrësit.

“Procedimi ndaj këtij shtetasi filloi pasi ka shkaktuar ndotje të ujërave në terminalin e trageteve në Port, Durrës, duke hedhur mbetje pas pastrimit të mjetit lundrues që ai drejton”, njoftoi policia për mediat.

43 vjeçari me iniciale D. M., ishte banues në Bari, Itali dhe akuzohet për krim mjedisor, duke u proceduar për veprën penale “Ndotja e ujërave”, teksa materialet i kaluan Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.

Ngjarja duket e përsëritur në Portin e Durrësit. Gjashtë vjet më parë, në 25 dhjetor 2015 në akuariumin e Portit të Durrësit dy inspektorë të Kapitenerisë diktuan njolla të mëdha karburanti të shpërndara masivisht mbi sipërfaqen e detit.

Ato dyshoheshin se vinin nga trageti i linjës Durrës- Bari, F/B Bridge, i cili drejtohej nga kapiteni grek, Efthymios Sokos dhe kryemekaniku Charalampos Chiotellis. Por edhe pse krimi mjedisor u dokumentua brenda ditës, hetimi dhe gjykimi u zvarritën për pesë vjet – dhe kur Gjykata e Durrësit shpalli dënimet në shkurt 2020, dy të pandehurit Sokos dhe Chiotellis i ishin shmangur me kohë drejtësisë.

Prej episodit të vitit 2015, një duzinë krimesh të ngjashme mjedisore kanë ndodhur në bregdetin e Durrësit, por ato kanë mbetur gjithashtu të pazbardhura ose të pandëshkuara.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *