Lajm21 Jul 2021

Policia sekuestroi rreth 1 kg kokainë dhe arrestoi katër persona në Durrës

Policia e Durrësit njoftoi se pati një përplasje me një të dyshuar për trafik narkotikësh i cili tentoi të arratisej duke përplasur një makinë të sajën, ndërsa u arrestuan katër persona me drogë dhe armë.

Autor: Geri Emiri BIRN Durrës
Printo

Lënda narkotike e sekuestruar, e llojit kokainë dhe arma e zjarrit. Foto: Policia e Durrësit

Policia e Durrësit arrestoi 4 persona të dyshuar si të përfshirë në trafikimin e drogave të forta, në një operacion ku një prej të ndaluarve goditi automjetin civil të policisë dhe tentoi të qëllonte me armë zjarri.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Nënkalimi”, pranë Urës së Dajlanit policia gjeti në një automjet 1 kg e 63 gram lëndë narkotike të llojit kokainë, teksa arrestoi në vend 2 poseduesit e saj, 46 vjeçarin Arian Plaku, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe 37 vjeçarin Edmond Gjyzeli.

Gjyzeli sipas njoftimit për mediat të policisë gjatë ndalimit të automjetit të tij nga agjentët civil të policisë ka goditur automjetin e tyre dhe gjatë arrestimit ka tentuar të nxjerrë nga brezi armën e zjarrit.

Ne vijim të operacionit pas mbajtjes nën vëzhgim nga agjentët e policisë në zonën e Plazhit të dy shtetasve, Ilir Peraj dhe Stavri Marku, ata u arrestuan si të dyshuar se ishin të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

52 vjeçari Peraj sipas policisë është dënuar më parë për “Vrasje me dashje” dhe “Mbajtja e ambienteve për prostitucion” dhe “përshtatja e ambienteve për përdorim të drogës”. Peraj, i cili rezulton të jetë dënuar tre herë me një total prej 16 vjetësh burg prej vitit 2011 nga gjykata është liruar dhe arrestuar disa herë. Ai ka ndërkohë të hapur në Gjykatën e Apelit në Tiranë një çështje me akuzat e “Mbajtjes së lokalit për prostitucion” dhe “Përshtatje ambientesh për përdorim narkotikësh”.

Në Durrës përveç lëndës narkotike të llojit kokainë, me peshë 1 kg e 63 gram, policia sekuestroi edhe 1 armë zjarri pistoletë me 14 fishekë, 4 aparate celular dhe 2 automjete, teksa nën drejtimin e Prokurorisë së Durrësit vijon puna për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Të ndaluarit akuzohen për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Armëmbajtja pa leje”. Më herët, më 11 maj Policia e Durrësit ndaloi dy të rinj dhe sekuestroi rreth 1 kg lëndë narkotike të dyshuar si kokainë, ndërsa njoftoi se të ndaluarit kundërshtuan me forcë kontrollin dhe policia ishte detyruar të përdortë armët për t’i neutralizuar.