Lajm19 Feb 2021

Policia shpall në kërkim katër të dyshuar për vrasjen e Shkëlzen Kastratit

Gjykata e Fierit caktoi masa arresti me burg për të dyshuarit nga Fushë-Kruja, Tirana dhe Kamza, ndërsa policia dyshon se ata janë larguar nga Shqipëria.

Autor: Valbona Davidhi BIRN Fier
Printo

Foto ilustrative nga gjykata | Foto nga : Flickr/Ssalonso

Katër autorët e dyshuar të vrasjes së Shkëlzen Kastratit, në një atentat në 1 shkurt në Sheq të Fierit,  janë shpallur në kërkim ndërkombëtar nga policia ndërsa Gjykata e Fierit ka caktuar në mungesë, masën e sigurisë arrest me burg.

Policia e Fierit njoftoi të premten shpalljen në kërkim ndërkombëtar të Albert Zaja dhe Elmir Tufa nga Fushe-Kruja, Silvio Cara nga Kamza dhe Elson Xhecuka nga Tirana. Sipas policisë të akuzuarit mund të jenë larguar nga Shqipëria. “Vijon puna për lokalizimin e tyre dhe po bashkëpunohet me homologët, pasi dyshohet se mund të jenë larguar drejt një vendi të BE-së”, njoftoi policia.

Policia njoftoi edhe kontrolle në banesat e të dyshuarve, ndërsa tha se kishte sekuestruar dy makina që mendohet se ishin përdorur nga të dyshuarit. Motivet e ngjarjes nuk janë bërë publike, por policia është duke hetuar rreth dyshimeve për një konflikt të lidhur me trafikun e narkotikëve.

Atentati ndaj Shkëlzen Kastrati u zbardh falë dëshmisë së një banori të zonës, i cili i ka treguar policisë për një makinë tip Audi me të cilën autorët u larguan pasi dogjën një Range Rover që u përdor në atentat në afërsi të fshatit Blatëz në anë të By Pass-it të Fierit. Nëpërmjet pamjeve të kamerave të bizneseve në zonën e Mbrostarit u identifikua automjeti dhe pronari i tij, i cili u tha hetuesve se e kishte shitur makinën pa akt noterial te një person nga Fushë-Kruja.

Viktima Shkëlzen Kastrati, 42 vjeç, është vëllai i Klement Kastratit i cili i shpëtoi një atentatit para 5 viteve në Mbrostar të Fierit, në të cilin mbbeti i vrarë kunati i tij  Denis ( Granit) Kasa.  Klement Kastrati po ashtu është akuzuar nga policia përfshirje në trafikun e narkotikëve në vitin 2016.  Shkëlzen Kastrati u qëllua me dy plumba ndërsa po udhëtonte me makinën e tij në 1 shkurt të këtij viti.