Drejtori i policisë Ardi Veliu deklaroi se forcat shqiptare të sigurisë kanë identifikuar anëtarët e një grupi terrorist iranian me aktivitet në Shqipëri, mes të cilëve edhe një trafikant i njohur droge aktualisht në arrati.
Policia shqiptare publikoi emrat e një turku dhe disa iranianëve dhe deklaroi se këta persona janë pjesë e një celule terroriste i qeverisë së Iranit me plane për të goditur lëvizjen opozitare të Iranit (MEK), anëtarët e së cilës janë aktualisht të strehuar në Shqipëri.
“Një celulë aktive terroriste e njësisë së operacioneve të jashtme të Forcave QUDS iraniane është zbuluar së fundmi nga Institucionet Shqiptare të Sigurisë,” deklaroi në një konferencë për shtyp në Tiranë Ardi Veliu, krahas drejtorit të Antiterrorit Gledis Nano.
“Synimi i këtij rrjeti ishte kryerja e sulmeve ndaj lëvizjes opozitare iraniane (MEK)”, shtoi Veliu.
Sipas policisë, celula iraniane drejtohet nga një operativ i forcave speciale QUDS të Iranit me emrin Peyman ndërsa si anëtarë të grupit jepen emrat Alireza Naghashzadeh, për të cilin thuhet se ka edhe pasaportë austriake dhe se është rekrutuar nga rradhët e MEK.
Por policia shkon më tutje duke argumentuar se qeveria e Iranit është duke përdorur rrjete të krimit të organizuar në Turqi si pjesë e politikës së vet të luftës kundër opozitarëve të MEK, një grup prej disa mijëra iranianësh që luftuan qeverinë islamike të këtij vendi gjatë viteve ’80 e ’90 dhe më pas jetuan nën mbrojtjen e Sadam Huseinit në Irak dhe pranuan të çarmatosen pas pushtimit të Irakut nga Shtetet e Bashkuara.
Duke filluar nga viti 2013, një pjesë e konsiderueshme e opozitarëve të MEK u zhvendosën në Shqipëri pas një marrëveshjeje mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara. Numri i saktë i anëtarëve të MEK aktualisht në Shqipëri është i panjohur ndërsa një pjesë e tyre duket se kanë gjetur mundësinë për t’u larguar drejt vendeve të pasura të Europës Perëndimore.
Lidhje me botën e drogës
Policia thotë se një shtetas i Iranit që jeton në Turqi, Abdolkhalegh Malek Zadeh është aktualisht drejtues i celulës operacionale ndërsa punon për llogari të Abdulselam Turgut, një trafikant i njohur ndërkombëtar.
Ardi Veliu rikujtoi se Turgut është arrestuar në Shqipëri në vitin 2011 për llogari të autoriteteve gjermane, por arriti të arratisej nga Shqipëria pasi gjykata e Apelit e la në masë sigurie arrest shtëpiak.
“Operativët kriminelë, me bazë në Ballkan, që janë vartës të TURGUT-it ose të një trafikanti droge turk të lidhur me të, nga viti 2018, janë dërguar në Shqipëri për të avancuar planifikimin e sulmeve kundër MEK-ut, siç ishte diktuar nga MALEK ZADEH dhe Forcat QUDS,” deklaroi Veliu.
Veliu bëri të ditur se informacioni i policisë është siguruar nga “informatorë nga brenda organizatave”, një koment potencialisht çorientues për celulën.
Shqipëria përzuri dhjetorin e kaluar ambasadorin e Iranit dhe një diplomat tjetër iranian pas zbulimit të një komploti për sulm terrorist ndaj MEK në marsin e vitit 2018.