Operacioni policor i koduar “Agimi” u zhvillua në zonën e Fushë-Krujës, në fshatrat Nikël, Halil dhe Arramerras nga policia lokale dhe forcat RENEA.
Policia e Shtetit njoftoi mëngjesin e së dielës arrestimin e 16 personave të përfshirë në kultivimin e bimës narkotike “Kanabis Sativa”, shpalli në kërkim 24 persona dhe procedoi në gjendje të lirë 3 të tjerë.
Operacioni policor i koduar “Agimi” u zhvillua në zonën e Fushë-Krujës, në fshatrat Nikël, Halil dhe Arramerras. Gjatë kontrolleve u zbulua një laborator i mbyllur që shërbente për kultivimin e bimës narkotike Kanabis Sativa me anë të ngrohjes me llamba.
Si përgjegjës për laboratorin në fshatin Halil policia arrestoi shtetasit Xh. K. dhe D. K., babë e bir. Ndërsa personat e tjerrë, ndër to punonjës të OSHEE-së apo kryepleq u ndaluan për parcela të tjera që u gjetën të mbjella me Kanabis Sativa.
Policia arrestoi në flagrancë edhe 14 persona të tjerë, ndër to 2 gra, 56 vjeçaren me iniciale F.K., banuese në fshatin Halil dhe 49 vjeçaren me iniciale D.D., banuese në Nikël.
Dy punonjës të OSHEE-së u ndaluan gjithashtu. E. P., 32 vjeç dhe S. K., 32 vjeç, banues në fshatin Halil të cilët akuzohen për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Ndërsa sipas policisë u arrestua edhe kryeplaku i fshatit Halil, 61 vjeçari me iniciale F.H. Ajo gjithashtu procedoi në gjendje të lirë për shkak të moshës së thyer kryeplakun e fshatit Nikël, një tjetër të moshuar dhe një të mitur.
Të tjerë të ndaluar ishin midis moshave 16 vjeç – 61 vjeç, si A.D., 27 vjeç, banues në Nikël, M.L., 20 vjeç, banues në Larushkë, E.K., 18 vjeç, banues në Qerekë, I .K., 33 vjeç, banues në Arrameras, M.V., 16 vjeç, banues në Halil, F.K., 34 vjeç, banues në Halil, E.A., 30 vjeç, banues në Halil, R.D., 53 vjeç, banues në Halil dhe E.D., 26 vjeç, banues në Halil.
Operacioni i zhvilluar me të zbardhur dita u zbatua nga Drejtoria e Policisë Durrës me mbështetjen e forcave speciale RENEA, si edhe Forcave të Ndërhyrjes së shpejtë të repartit të Tiranës dhe Fierit.
Sipas policisë të dhënat ishin mbledhur nga monitorimet me dron dhe me avionët e “Guardia di Finanza”, si edhe mbi bazën e informacioneve policore. Ajo njoftoi se po punon për ndalimin e 24 personave të shpallur në kërkim dhe se çështjen po e ndjek Prokuroria e Krujës.