Analize16 Oct 2020

Policimi i të vërtetës në epokën Trump

Bota duket se i ka lënë në dorë kompanive të medias sociale të policojnë të vërtetën, diçka për të cilën këto të fundit duket se nuk kanë as interes dh as fuqi. Po cila mund të jetë zgjidhja?

Autor: Robert Skidelsky Project Syndicate Londër
Printo

[Foto Kortezi: PlusLexia.]

Më 6 tetor, Presidenti i SHBA-së Donald Trump postoi një mesazh në Twitter ku pretendonte se gripi i zakonshëm vret “mbi 100,000” amerikanë në vit. “A do ta mbyllim ne vendin tonë?” pyeti ai. “Jo, ne kemi mësuar të jetojmë me të, njësoj siç po mësojmë të jetojmë me COVID, në shumicën e popullsive ai është shumë më pak vrasës!!!”

Pretendimi i parë i Trump është i vërtetë: gripi vrau mbi 100 mijë amerikanë më 1918 dhe 1957. “Ne kemi mësuar të jetojmë me të,” është çështje opinioni, ndërsa pretendimi i tij se COVID-19 është “shumë më pak vrasës” se sa gripi në shumicën e popullsive është ambigue (për cilat popullsi dhe për cilat vende e ka fjalën?).

Duket se në këtë mesazh nuk ka asgjë të pazakontë: dashuria që Trump ka për suggestio falsi është e gjithëditur. Por, shpejt pasi kjo gjë u postua, Twitter e fshiu atë pas një paralajmërimi me shkrim, në të cilin thoshte se mesazhi ka shkelur rregullat e platformës rreth ndalimit të “përhapjes së informacioneve keqinformuese dhe potencialisht të dëmshme në lidhje me COVID-19.” Facebook shkoi më tutje, duke hequr një postim identik nga qarkullimi.

Çështje të tilla kontroverse po bëhen gjithnjë e më të zakonshme. Më 2018, kompania tashmë e falimentuar e konsulencës politike, Cambridge Analytica, u raportua se me vetëdije të plotë kishte shpërndarë lajme të pavërteta në median sociale në mënyrë që të bindte amerikanët të votonin për Trump më 2016. Që nga ajo kohë, Facebook dhe Twitter kanë hequr miliona llogari false dhe “bote” që përhapnin histori të rreme. Ky operacion krasitjeje kërkoi që vetë platformat të përdornin algoritme të inteligjenës artificiale për të gjetur llogaritë e dyshimta.

Mbështetja jonë te format që përfitojnë nga lejimi i qarkullimi të “dizinforimit” për të policuar të vërtetën reflekton prangat që na ka vënë teknologjia dixhitale ne. Facebook dhe Twitter nuk kanë incentivë të sigurojnë që vetëm informacioni “i vërtetë” të shfaqet në këto media. Përkundrazi, këto kompani i fitojnë paratë duke vjelë të dhënat e përdoruesve dhe duke i përdorur këto për të shitur reklama që mund të shënjestrohen individualisht. Sa më shumë kohë përdoruesit kalojnë në Facebook dhe Twitter, aq më shumë “like” dhe klik dhe postim këto përdorues bëjnë dhe aq më shumë fitime u çojnë platformave – pavarësisht se sa rritet dallga e keqinformimit dhe titujve karrem.

Dallga në rritje është ushqyer pjesërisht nga psikologjia. Kërkuesit nga Instituti i Masaçusetsit për Teknologjinë gjetën se mes viteve 2006 dhe 2017, lajmet e rreme në Twitter qarkullonin në masën 70% më shumë se sa lajmet e vërteta. Shpjegimi më i mundshëm është se lajmet e rreme kanë vlerë më të lartë “të rejash” se sa lajmet e vërteta dhe shkaktojnë reagime më të forta – veçanërisht habi dhe neveri. Kështu, si mundet që kompanive që marrin përdorues dhe të ardhura nga lajmet e rreme t’u besohet të bëhen roje të lajmeve të vërteta?

Përveç kësaj, mundësitë për të përhapur dizinformim janë shtuar. Media sociale ka amplifikuar gjerësisht audiencën për përralla të të gjitha llojeve, duke vijua një proces që nisi me shpikjen e shtypshkronjës nga Johannes Gutenberg në shekullin e pesëmbëdhjetë. Njësoj si novacioni i Gutenbergut ndihmoi për të zhveshur Kishën Katolike Romane nga kontrolli mbi prodhimin e dijes, media sociale ka decentralizuar mënyrën se si ne marrim dhe interpretojmë informacion. Interneti ofroi në fillim premtimin për demokratizim të madh në mënyrën se si ne marrim dhe interpretojmë informacionin duke hequr hierarkinë lartë-poshtë. Por rezultati ishte barazimi i besueshmërisë së informacionit, pavarësisht burimit të saj.

Por problemi është më themelor: “Çfarë është e vërteta?” siç i tha Pont Pilati Jezusit. Një herë e një kohë, e vërteta ishte fjala e Perëndisë. Më vonë, u bë zbulimi i shkencës. Në ditët tona edhe shkenca është bërë e dyshimtë. Ne kemi vënë besimin tonë në provat si rruga më e mirë drejt të vërtetës. Por faktet mund të manipulohen me lehtësi. Kjo ka sjellë pretendimin postmodernist se e vërteta është relative; akoma më keq, se ajo prodhohet nga të fuqishmit për të ruajtur pushtetin e tyre.

Pra, e vërteta, njësoj si bukuria, caktohet nga sytë e atij që e sheh. Kjo lejon shumë hapësirë që secila palë të tregojë të vërtetën e vet dhe të mos shqetësohet shumë për saktësi të fakteve. Më në përgjithësi, këto tre faktorë – psikologjia njerëzore, amplifikimi i mundësuar nga teknologjia i mesazhit dhe kultura postmoderniste – janë të destinuara të zgjerojnë botën e pabesueshmërisë dhe teorive të komplotit.

Ky është një problem serioz, për shkak se ajo heq bazën e përbashkët mbi të cilën mund të zhvillohet debati demokratik. Por unë nuk shoh ndonjë përgjigje të lehtë. Unë nuk kam besim te vullneti i kompanive të medias sociale apo aftësisë së tyre për të policuar platformat në fjalë. Ata e dinë se informacioni “fals” mund të ketë pasoja të këqija politike. Por ata e dinë gjithashtu se përhapja e rrëfenjave bindëse, pavarësisht të vërtetës apo pasojave të tyre, është një aktivitet shumë fitimprurës.

Incentiva e vetme që këto kompani kanë për të luftuar problemin e lajmeve të rreme është që të minimizohet sasia e raportimeve negative mbi to. Por nëse e vërteta nuk bëhet arsyeja e ekzistencës së tyre, është e kotë të presësh që ato të ndryshojnë rrugë. Më e mira që dikush mund të shpresojë është që ata të bëjnë një përpjekje të dukshme, sido që sipërfaqësore, të heqin informacionin keqinformues apo ndërhyrjet në faqet e tyre. Por aktet e rrëmujshme të censurës, të tilla si heqja e mesazhit të Trump, janë asgjë më shumë se sa një tyl i hollë dritareje dhe nuk përcjell ndonjë mesazh më të fortë. Ajo vetëm sa irriton mbështetësit e Trump dhe mbjell dyshime në ndërgjegjet e trazuara të kundërshtarëve të tij liberalë.

Alternativa – lënia e policimit të opinionit autoritetet shtetërore – është po kaq e pakapërdishme për shkak se ajo do të rigjallërojë pretendimin e pambrojtshëm se një burim i vetëm i të vërtetës, hyjnor apo tokësor, do të sundojë internetin.

Unë nuk kam zgjidhje për këtë dilemë. Ndoshta përqasja më e mirë është thjeshtë që të zbatohet në platformat e medias sociale parimi i rendit publik, që të mbulohet vetëm pjesa e nxitjes së urrejtjes racore. Twitter, Facebook dhe të tjera duhet të detyrohen me ligj të heqin materialet e urrejtjes. Çdo vendim nga ana e tyre do të duhet të jetë i sulmueshëm në gjykatë.

Unë nuk e di se sa efektive mund të jetë një lëvizje e tillë. Por me siguri do të jetë më mirë se sa të vijohet me debatin steril dhe të pambarim mbi çfarë është lajm “i rremë”.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. Policing Truth in the Trump Era