Opinion19 Jun 2019

Politika e Brukselit ndaj Ballkanit i ngjan një versioni të shëmtuar të Eurovizionit

Marrëdhënia e BE-së me anëtarët e saj të mundshëm në rajon është shqetësuese si Eurovizioni i famshëm, në të cilin shpesh pikët e dhëna qartazi nuk kanë aspak lidhje me performancat e këngëtarëve.

Autor: Ivan Nikolovski BIRN Shkup
Printo

Flamuri i Bashkimit Europian. Foto: Pixabay.

“Sempre più liberi noi

Non è più un sogno e non sei più da solo

Sempre più in alto noi

Dammi una mano che prendiamo il volo

L’Europa non è lontana

C’è una canzone italiana per voi

Insieme, unite, unite, Europe”

Kështu këndoi Toto Cutugno “Insieme”, këngën fituese në konkursin e këngës Eurovision 1990, të mbajtur në Zagreb.

Në vitin 1989, pas katër dekadash ndarje politike dhe ekonomike të pasluftës, ish “Blloku Lindor” simbolikisht “u kthye në Europë”. Atmosfera festive pas fitores së demokracisë liberale ndaj totalitarizmit u ndje edhe në një nga eventet më të ndjekura botë atë vit, Eurovizionin e vitit 1990.

Cutugno, nga Italia, fitoi konkursin e vitit 1990 në Zagreb, në atë kohë ende në Republikën Socialiste Jugosllave të Kroacisë, me këngën e tij euforike që festonte ribashkimin e kontinentit. Interesante, ishte Eurovizioni i parë që do të zhvillohej ndonjëherë në Jugosllavinë Socialiste, një vend që po shkonte ngadalë drejt gjakderdhjes ndëretnike.

Që nga ajo kohë kanë ndryshuar shumë gjëra. Eurovizioni është bërë një event ku konkurrojnë vende europiane dhe jo-europiane, përfshirë Australinë. Jugosllavia është larguar prej kohësh; Kroacia i është bashkuar BE-së; Italia e Cutugnos ndërkohë qeveriset nga elita politike që nuk këndojnë më me aq shumë gëzim “Insieme”, ndërsa “Europa e ribashkuar” po bëhet gjithnjë e më e ndarë.

Nga këndvështrimi i Maqedonisë së Veriut, Eurovizioni i këtij viti, i mbajtur në Izrael, solli disa risi; vendi mori pjesë për herë të parë nën emrin e tij të ri dhe arriti rezultatin më të mirë ndonjëherë. I përfaqësuar nga Tamara Todevska, kënga e saj “Proud”, mori më shumë pikë nga juritë profesionale në të gjithë kontinentin.

Por nuk ishte mjaftueshëm. Çmimin e parë e mori Duncan Laurence me “Arcade” nga Holanda, e cila fitoi zemrat dhe mendjet e publikut. Pavarësisht nga fitorja e afërt e Maqedonisë së Veriut, shumë maqedonas besojnë se vendi duhet të tërhiqet plotësisht nga Eurovizioni, pasi, për shkak të “politikës”, ata e konsiderojnë fitoren e Eurovizionit po aq të pamundur sa edhe anëtarësimin në BE.

Shpesh dëgjoni se “ata”, që do të thotë BE-ja, “nuk na duan ne”; dhe kjo ndjenjë e të qenit i padëshiruar mund të intensifikohet ndërsa fillimi i premtuar i bisedimeve të pranimit në BE vihet në pikëpyetje.

Edhe një herë, juria politike, në këtë rast Komisioni Europian dhe ekuivalenti i “televotuesve” – ​​Këshilli Europian – raportojnë pika të ndryshme për “sallën e gjelbër”. Këshilli shpesh duket hezitues të pranojë rekomandimet e Komisionit Europian për fillimin e bisedimeve të pranimit.

Ky tension në lidhje me “pikët” që i jepen vendeve daton që nga Samiti i Selanikut i vitit 2003, kur u ngrit zyrtarisht ideja e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Ideja e një rajoni dikur të shkatërruar nga lufta që lë pas të kaluarën e tij të dhunshme dhe përpiqet për një të ardhme të përbashkët, dukej si një “këngë” e jashtëzakonshme dhe liderët e BE-së që atëherë i kanë siguruar vendet e Ballkanit Perëndimor se ata janë ftuar vërtet “në spektakël”.

Megjithatë, vendeve të Ballkanit Perëndimor shpesh u janë dhënë “pikë” të ndryshme për pak a shumë të njëjtën performancë politike, duke dëmtuar besimin në qëllimet e BE-së. Dhe që nga viti 2003, vetëm Kroacia është bërë anëtare e plotë e BE-së.

Morali i kësaj analogjie është se qartazi BE-së i mungon një vizion të qartë për rajonin. Nga njëra anë, ajo thotë se vendet e Ballkanit Perëndimor po mbesin prapa në sundimin e ligjit dhe në luftën kundër korrupsionit.

Në Perspektivën e Besueshme të Zgjerimit të vitit 2018, Komisioni vuri në dukje “elementë të qartë të kapjes së shtetit, duke përfshirë lidhjet me krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjitha nivelet e qeverisë dhe administratës, si dhe një ndërthurje të fortë të interesave publike dhe private”.

Nga ana tjetër, ekspertë dhe dijetarë argumentojnë se fiksimi i BE-së me stabilitetin në Ballkanin Perëndimor kontribuon drejtpërsëdrejti në krizat demokratike në rajon, duke u bashkuar shpesh me elitat e korruptuara, autoritare dhe nacionaliste, të cilët premtojnë të garantojnë dhe ruajnë stabilitetin.

Pavarësisht nga kjo, të ashtuquajturat “stabilitokraci” në rajon shpesh nuk ofrojnë shumë. Ata janë, siç thuhet, “të gatshme të shkaktojnë dhe menaxhojnë paqëndrueshmëri me fqinjët e tyre përkatës ose drejt një opozite të brendshme ose pakicash për hir të sigurimit të qeverisjes së vazhdueshme”. Prandaj, stabiliteti i vetëm që ofrojnë këto regjime janë “premtimet e mbajtura ndaj aktorëve të jashtëm (BE-ja)”.

Shembuj të tillë sigurisht vijnë nga Mali i Zi dhe Serbia, dy “kandidatë kryesorë” në procesin e integrimit në BE. Edhe pse të dy këto vende janë në bisedimet e pranimit me BE, Freedom House i konsideron të dy vendet thjesht demokraci “të pjesshme”.

Milo Djukanoviç dhe Aleksandër Vuçiç. Foto: Facebook/Milo Dukanovic.

Disa ekspertë, si Florian Bieber, e përshkruajnë sistemin në Malin e Zi si një autoritarizëm konkurrues, pasi Partia Demokratike e Socialistëve në pushtet ka gëzuar një hegjemoni politike të pandërprerë atje që nga zgjedhjet e para shumëpartiake në vitin1990.

Pak a shumë e njëjta diagnozë vlen edhe për Serbinë. Bieber dhe të tjerë thonë se Serbia është kthyer në autoritarizëm nën sundimin e Aleksandër Vuçiç. Duke vënë në dukje mbështetjen e vazhdueshme të BE-së për presidentin e Serbisë, Vuçiç shpesh quhet “autokrati i preferuar” i Europës. Situata është pak më ndryshe në Bosnje dhe Hercegovinë, Shqipëri dhe Kosovë.

BE-ja është kritikuar gjithashtu për heshtjen e saj për protesta anti-qeveritare në Serbi dhe Shqipëri, të cilat akuzojnë dy qeveritë për sundim autoritar, dhunë politike, korrupsion dhe kapje të medias dhe kërkojnë dorëheqjen e tyre. Brukseli thjesht i ka bërë thirrje protestuesve t’i përmbahen dhunës, e cila përsëri i shërben politikës së BE-së për ruajtjen e stabilitetit në rajon me çdo kusht.

Qasja e BE-së në Shqipëri dhe Serbi i ngjan asaj që u mbajt ndaj Maqedonisë së Veriut nën qeverinë e Nikola Gruevskit nga viti 2006 deri në vitin 2016. Për një kohë të gjatë, BE-ja bëri një sy qorr ndaj sundimit autoritar të Gruevskit dhe Komisioni Europian rekomandoi fillimin e negociatat e pranimit të vendit.

Brukseli ndërmori masa vetëm kur doli në dritë skandali i qeverisë së atëhershme pas përgjimeve të 2015 dhe pas të ashtuquajturit “revolucion shumëngjyrësh” që pasoi – kryesisht për shkak se Shkupi nuk po ofronte më stabilitet e jo më progres.

Pas ndryshimit të qeverisë në vitin 2017, Maqedonia e Veriut konsiderohet “i vetmi vend që përjeton fundin e stabilitokracisë”. Por, që kur erdhi në pushtet, kryeministri i ri Zoran Zaev është përballur me vështirësi në sigurimin e një administrate të qëndrueshme. Ai u desh të hynte në një koalicion me ish-partinë partnere shqiptare të Gruevskit, Bashkimin Demokratik për Integrim, BDI, me qëllim që të formonte një qeveri të re.

Dhe për të zbatuar axhendën pro-europiane dhe reformiste të qeverisë së tij, Zaev është dashur të bëjë marrëveshje të tjera që kanë tërhequr kritika të rënda. Zgjedhjet presidenciale të këtij viti gjithashtu treguan se qeveria e tij nuk është aq e fortë, pasi rezultatet treguan se koalicioni qeverisës kishte humbur shumë mbështetjen e tij midis votuesve.

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev. Foto: Facebook/Zoran Zaev.

Komisioni Europian ka lavdëruar Maqedoninë e Veriut për progresin e rëndësishëm në zbatimin e reformave të nevojshme që synojnë shpërbërjen e kapjes së shtetit dhe afrimin e vendit në tryezën e negociatave. Pavarësisht kësaj, është më e qartë se çmimi i stilit prej “12 pikësh” të Eurovizionit nga ana e Këshilli Europian ende është në pikëpyetje.

Kjo shpie në përfundimin se “progresi” dhe “stabiliteti” nuk funksionojnë mirë së bashku. Ndoshta ka ardhur koha që BE-ja të ndryshojë qasjen e saj në Ballkanin Perëndimor dhe të pranojë disa paqëndrueshmëri në këmbim të progresit të qëndrueshëm.

Liderët e BE-së duhet t’i mbajnë premtimet që i kanë bërë rajonit dhe të marrin vendime më vizionare dhe të guximshme. BE-ja duhet të ripërcaktojë prioritetet e saj dhe të jetë e sinqertë në lidhje me të ardhmen e rajonit në BE. Përndryshe, BE-ja mund të zhgënjejë përgjithmonë shumë nga “fansat” e saj në të gjithë Ballkanin Perëndimor, midis elitave dhe qytetarëve.

Madje, kjo mund t’i motivojë ata “të tërhiqen plotësisht nga gara”, gjë që nuk do të sjellë stabilitet, aq më pak progres. Është koha të ringjallim vizionin e një Europe të bashkuar dhe të këndojmë përsëri “Insieme”.

Ky artikull u shkrua si pjesë e projektit “Ballkani Perëndimor në Udhëkryq: Vlerësimi i aktiviteteve jo-demokratike të influencës së jashtme”, i udhëhequr nga Instituti i Studimeve të Sigurisë në Pragë. Për më shumë informacion, vizitoni: www.balkancrossroads.com.

Mendimet e shprehura në sektorin e Opinioneve janë vetëm ato të autorëve dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.