Analize29 Oct 2018

Politikanë vrasës

Amerikanët me të drejtë janë të tronditur nga vrasja brutale e Jamal Khashoggi, por shumica nuk e kuptojnë se mënyrat vrastare të liderëve të tyre nuk ndryshojnë shumë nga ato të atyre që urdhëruan vdekjen e Khashoggit. Përhapja e vrasjeve të sponsorizuara nga shteti nuk është kurrë justifikim për trajtimin e vrasjes si të pranueshme.

Autor: Jeffrey D. Sachs Project Syndicate Nju Jork
Printo

Aktivistë duke protestuar për gazetarin e vrarë saudit Jamal Khashoggi. Foto: AP Photo/Emrah Gurel.

“Askush nuk do të më shpëtojë nga ky prift ngatërrestar?” pyeti Henri II ndërsa nxiti vrasjen e Kryepeshkopit të Kanterbërit, Thomas Becket, në vitin 1170. Gjatë shekujve, presidentët dhe princat në mbarë botën kanë qenë vrasës dhe kanë ndihmuar në vrasje, siç dokumentuan sociologu i madh i Harvardit, Pitirim Sorokin dhe Ëalter Lunden, në detaje statistikore në kryeveprën e tyre “Power and Morality”. Një nga gjetjet e tyre kryesore ishte se sjellja e grupeve qeverisëse ka tendencë të jetë më kriminale dhe amorale sesa ajo e popullit mbi të cilin ata sundojnë.

Sundimtarët e preferojnë shumë mohimin. Por me vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi nga qeveria e tij, helmimin e ish-spiunëve rusë që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar dhe fjalëve që kreu i Interpolit, Meng Hongwei, mund të jetë ekzekutuar në Kinë, perdja e mohimit ka rënë më shumë sesa zakonisht. Në Riad, Moskë, madje edhe në Pekin, klasa politike po përpiqet të mbulojë mënyrat e saj vdekjeprurëse.

Por askush nuk duhet të ndihet i vetëkënaqur këtu. Presidentët amerikanë kanë një histori të gjatë vrasjesh, gjë që nuk ka gjasa të shqetësojë presidentin aktual, Donald Trump, paraardhësi i preferuar i të cilit, Andrew Jackson, ishte një vrasës gjakftohtë, skllavopronar dhe spastrues etnik i amerikanëve vendas. Për Harry Truman, bombardimet atomike të Hiroshimës i kursyen atij koston e mundshme të lartë të pushtimit të Japonisë. Por bombardimi i dytë atomik, ai i Nagasakit, ishte krejtësisht i pambrojtshëm dhe ndodhi në mes të një vrulli të thjeshtë burokratik: bombardimet, me sa duket, ndodhën pa urdhrin e qartë të Trumanit.

Që nga viti 1947, mohimi i vrasjeve presidenciale është lehtësuar nga CIA, e cila ka shërbyer si një ushtri sekrete (dhe dikur skuadër vdekjeje) për presidentët amerikanë. CIA ka qenë një palë për vrasjet dhe kaosin në të gjitha pjesët e botës, me pothuajse asnjë mbikëqyrje apo përgjegjësi për vrasjet e panumërta të saj. Është e mundur, edhe pse jo e vërtetuar përfundimisht, që CIA madje të ketë vrarë Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Dag Hammarskjöld.

CIA është mbajtur përgjegjëse vetëm për një rast.  Seancat e senatit amerikan të vitit 1975 të udhëhequr nga Frank Church. Që atëherë, CIA ka vazhduar mënyrat e saj të dhunshme dhe po, vrastare, pa ndonjë përgjegjësi për këtë apo për presidentët që autorizuan veprimet e saj.

Shumë vrasje masive nga presidentët kanë përfshirë ushtrinë konvencionale. Lyndon Johnson përshkallëzoi ndërhyrjen ushtarake amerikane në Vietnam me pretekstin e një sulmi të Vietnamit të Veriut në Gjirin e Tonkinut që nuk ndodhi kurrë. Richard Nixon shkoi edhe më tej: duke bombarduar Vietnamin, Kamboxhian dhe Laosin, ai kërkoi t’i fuste Bashkimit Sovjetik frikën se ai ishte një lider irracional i aftë për çdo gjë. (Gatishmëria e Nixonit për të zbatuar “teorinë e tij të çmendur” është ndoshta prova vetë-përmbushëse e çmendurisë së tij.) Në fund, lufta amerikane Johnson-Nixon në Indokinë mori miliona jetë të pafajshme. Nuk pati kurrë asnjë llogaridhënie të vërtetë dhe ndoshta krejt e kundërta: shumë precedentë për vrasjet masive të mëvonshme nga forcat amerikane.

Vrasjet masive në Irak nën udhëheqjen e George W. Bush natyrisht janë më të njohura, sepse lufta e udhëhequr nga SHBA-ja atje ishte për televizion. Një vend gjasme i qytetëruar i angazhuar në përhapjen e “tronditjes dhe frikës” për të përmbysur qeverinë e një vendi tjetër bazuar në pretendime krejtësisht të rreme. Qindra mijëra civilë irakianë vdiqën si rezultat i kësaj.

Dhe Barak Obama u sulmua gjerësisht nga e djathta se ishte shumë i butë e megjithatë edhe ai është përgjegjës për një numër të madh vdekjesh. Administrata e tij në mënyrë të përsëritur aprovoi sulme me dronë ku u vranë jo vetëm terroristë, por edhe të pafajshëm dhe qytetarë amerikanë që kundërshtonin luftërat e përgjakshme të Amerikës në vendet myslimane. Ai nënshkroi dekretin presidencial që autorizonte CIA-n të bashkëpunonte me Arabinë Saudite në përmbysjen e qeverisë siriane. Ky operacion “i fshehtë” (i diskutuar  shumë pak në faqet e New York Times) çoi në një luftë civile të vazhdueshme që ka rezultuar në qindra mijëra vdekje civile dhe miliona të zhvendosur nga shtëpitë e tyre. Ai përdori sulmet ajrore të NATO-s për të rrëzuar Muammar el-Qaddafin të Libisë, duke rezultuar në një dhunë të dështuar dhe të vazhdueshme shtetërore.

Nën udhëheqjen e Trumpit, Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur vrasjen masive të Arabisë Saudite (përfshirë fëmijë) në Jemen, duke i shitur asaj bomba dhe armë të avancuara me pothuajse asnjë ndërgjegjësim, mbikëqyrje apo llogaridhënie nga Kongresi apo publiku. Vrasja e kryer larg syve të mediave pothuajse nuk është fare vrasje.

Kur bien perdet, si me vrasjen Khashoggit, ne për pak kohë e shohim botën ashtu siç ajo është në të vërtetë. Një kolumnist i Washington Post vritet në mënyrë brutale dhe copëtohet nga “aleati” i ngushtë i Amerikës. Gënjeshtra e madhe amerikano-izraelite-saudite se Irani është në qendër të terrorizmit global, një pretendim i hedhur poshtë nga të dhënat, kërcënohet shkurtimisht nga shqetësimi zbulimi i fundit të Khashoggit. Princi i kurorës Mohammed bin Salman, i cili me sa duket urdhëroi operacionin, është vënë në krye të “hetimit” të çështjes; sauditët kanë shkarkuar disa zyrtarë të lartë; dhe Trump, një mjeshtër non stop i gënjeshtrave, përsërit tregimet e gjata saudite në lidhje me një operacion mashtrues.

Disa liderë qeverie dhe biznesesh kanë shtyrë vizitat në Arabinë Saudite. Lista e tërheqjeve të lajmëruara nga një konferencë investimesh është një listë e kompleksit ushtarako-industrial të Amerikës: bankierët të lartë të Wall Street, drejtues kompanish të mëdha mediatike dhe zyrtarë të lartë kontraktorësh ushtarakë, siç është kreu i mbrojtjes i Airbus.

Shtetet e Bashkuara krenohen se janë një demokraci kushtetuese, por kur bëhet fjalë për politikën e jashtme, presidenti nuk është shumë ndryshe nga një despot. Trump sapo ka paralajmëruar tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga Traktati i Forcave Bërthamore me Reze të Mesme, pa përmendur fare Kongresin.

Shkencëtarët politikë duhet të testojnë hipotezën e mëposhtme: vendet që drejtohen nga presidentët (si në rastin e Shteteve të Bashkuara) dhe nga monarkë antikushtetues (si në rastin e Arabisë Saudite) dhe jo nga parlamentarë dhe kryeministra, janë të prekshëm nga vrasjet politike. Parlamenti nuk ofron asnjë garanci, por sundimi nga një njeri në politikën e jashtme, si në rastin e Shteteve të Bashkuara dhe të Arabisë Saudite, pothuajse garanton lejimin e një gjakderdhjeje masive.

Amerikanët me të drejtë janë të tmerruar nga vrasja e Khashoggit. Por mënyrat vrastare të qeverisë së tyre mund të jenë shumë pak më ndryshe. Përhapja e vrasjeve të sponsorizuara nga shteti nuk është kurrë justifikim për trajtimin e vrasjes si të pranueshme. Përkundrazi, është një arsyetim për nënshtrimin e pushtetit ndaj kufizimeve të rrepta kushtetuese dhe sidomos në të drejtën ndërkombëtare, duke përfshirë Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut. Kjo është shpresa jonë e vetme e vërtetë për mbijetesë dhe siguri në një botë ku dhuna mund të jetë lehtësisht fundit për të gjithë ne.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. Killer Politicians