Ata që shqetësohen për demokracinë në Poloni, Hungari dhe gjetkë në Europë e më tutje duhet të pranojnë se shumë votues po mbështesin vizionin e të djathtës nacionaliste për një shtet social që çon përpara prioritetet kombëtare, kujdeset për të varfrit dhe mbështet familjet. Ata duhet të përshtasin axhendat e tyre.
Studiuesit dhe gazetarët kanë raportuar në mënyrë të palodhur mbi rritjen e nacionalizmit populist në Europë dhe në veçanti qeveritë e vijës së ashpër në Hungari dhe Poloni. Me pak orë kërkimi në google, mund të mësosh shumë se si qeveritë e këtyre dy vendeve kanë komanduar median publike, kanë shtypur televizionet dhe gazetat nën pronësi private, kanë dobësuar gjykatat kushtetuese, kanë sulmuar imigrantët dhe kanë promovuar gjuhën e urrejtjes kundër hebrenjve, myslimanëve dhe grupeve të tjera të minorancës, si dhe kanë hedhur në sulm ushtrinë e trollëve të internetit. Por a mundet që dikush të mos jetë në gjendje t’i japë përgjigje pyetjes kryesore, asaj se pse këto qeveri janë kaq popullore?
Përgjigjja është ajo që shumica e analistëve e kanë anashkaluar: këto qeveri nuk janë vetëm nacionaliste; ato janë gjithashtu edhe socialiste.
Shikoni Poloninë, ku partia në pushtet Ligj dhe Drejtësi (PiS) fitoi 38% të votave në zgjedhjet parlamentare të tetorit 2015. Në prill 2018, pavarësisht autoritarizmit në rritje dhe ankesave zyrtare nga Bashkimi Europian, sondazhet tregojnë se ekstremi i djathtë PiS mbështetet nga 40% e votuesve.
PiS nuk ia detyron rritjen e popullaritetit vetëm qëndrimit të saj anti-imigracion. Në fakt, e djathta nacionaliste dhe katolike fitoi 30% të votave në të gjitha zgjedhjet në Poloni që nga vitet 1989 me qëndrimet e saj konsistente anti-semite, anti-BE, dhe anti-imigrantë e anti-Ruse. E reja për qeverinë e PiS është fytyra e saj më e moderuar.
PiS udhëhiqet, së paku në sipërfaqe, nga politikanë të irnj, përfshirë Presidentin Andrzej Duda dhe Kryeministrin Mateusz Moraëiecki, i cili pasoi Beata Szydłoë (gjithashtu fytyrë relativisht e re në politikën polake). Të gjithë këta u përqendruan në atë se si të joshnin popullsinë më të gjerë. Strategjia funksionoi. Më 2015, PiS fitoi bazën e vet të zakonshme, plus 5-10 për qind më shumë nga votuesit e moderuar.
Dhe pasi joshën të moderuarit, PiS arriti t’i mbajë ata, duke i ofruar atë që qeveritë më parë ia kishin mohuar. Megjithëse Platforma Civile, e cila qeverisi deri më 2015, doli nga lëvizja e Solidaritetit e viteve 1980, ajo e tradhëtoi bazën e saj mes klasës punëtore duke ndjekur politika ekonomike radikale neoliberale të cilat rritën pabarazinë ekonomike. Ish-partia komuniste, pasi përqafoi social-demokracinë në vitet 1990, tradhëtoi rrënjët e saj në të njëjtën mënyrë.
Në kontrast me këto, PiS ka themeluar shtesën më domethënëse në rrjetet polake të mbrojtjes shoqërore që nga viti 1980: programi Familja 500+. Nisur më 2016, Familja 500+ mishëron nacionalizmin, vlerat familjare tradicionale dhe ndërgjegjen shoqërore që kërkon të promovojë PiS. Programi i paguan familjeve 500 zlotë në muaj (144 USD) për të ofruar kujdes për një fëmijë të dytë apo të tretë. Familjet aplikojnë çdo shtator, kur fëmijët shkojnë në shkollë. Me përjashtim të familjeve të varvra, një familje me vetëm një fëmijë nuk merr asgjë, ndërsa familjet me dy fëmijë kualifikohen për përfitimin mujor. Familjet me tre fëmijë marrin 1 mijë zlotë dhe 500 zlotë për çdo fëmijë të katërt apo të pestë.
Programi ka rezultuar jashtëzakonisht popullor. Rreth 2.4 milionë familje përfituan prej tij në dy vitet e para. Përfitimet, e barabarta me 40% të pagës minimale, pothuajse e kanë zhdukur varfërinë ekstreme mes fëmijëve në Poloni duke e reduktuar atë me 70-80%.
Politikanët liberalë pro-europianë dhe politikëbërësit e tjerë nuk janë të bindur. Ata ankohen se ndihma të tilla bujare për familjet do të dobësojnë incentivat për punë dhe do të rrisin deficitin buxhetor. Por provat fillestare sugjerojnë se programi Familja 500+ në fakt e ka rritur aktivitetin ekonomik. Ajo ka përmbysur gjithashtu rënien në fertilitet që u përjetua pas rënies së komunizmit, ka rritur pagat (veçanërisht për gratë), dhe i ka mundësuar familjeve të blejnë materjale shkollore, të bëjnë pushime, të blejnë më shumë rroba për fëmijët e tyre dhe të mbështeten më pak në kredi të shtrenjta për nevojat bazë familjare. Dhe, falë rritjes së shpejtë ekonomike, deficiti i qeverisë ka rënë, nuk është rritur.
Kjo tregon se nuk është çudi që liberalët kanë hasur vështirësi në gjetjen e mbështetjes mes votuesve, Shumë polakë shohin se qeveria më në fund po bën diçka për njerëzit e zakonshëm, dhe liberalët nuk kanë gjë tjetër për të bërë veçse të ankohen, ironikisht duke e sulmuar skemën si anti-demokratike.
E vërteta është që programi Familja 500+ po funksionon. Norma e lindshmërisë në Poloni – e cila ka rënë pas vitit 1989 deri në nivelet më të ulëta në Europë – është rritur që nga viti 2016 nga 1.29 në 1.42 lindje për grua në moshë riprodhuese. Në vitin e saj të parë, Familja 500+ ka dhënë stimul domethënës për ekonominë, për shkak se familjet e varfra i shpenzojnë pothuajse të gjitha përfitimet në mallra konsumi. Të ardhurat e një rrjeti dyqanesh këpucësh u rritën me 44%. Shitjet e pushimeve për familjet u rritën me 14%. Në vend që të merrte para hua për të paguar pajisjet e kushtueshme për shkolla që studentët duhet të veshin me detyrim, polakët përdorën paratë e programit. Dhe ndërsa shkalla e punësimit të grave ra për shkak se gratë lanë punët me pagë minimale, pagat, veçanërisht ato për shitëse dyqani, u rritën me shpejtësi.
Duke parë suksesin dramatik të programit, vende të tjera po e kopjojnë atë. Lituania nisi një program të ngjashëm por më pak bujar më 2018.
Ata që shqetësohen për demokracinë në Poloni, Hungari e vende të tjera në Europë e më tutje duket të pranojnë se shumë votues po pëlqejnë vizionin e të djathtës nacionaliste për një shtet social që çon përpara prioritetet kombëtare, kujdeset për të varfrit dhe mbështet familjet. Liberal demokratët nuk mund të tregohen edhe më ksenofobë se sa e djathta nacionaliste. Por ata mund të heqin dorë nga verbëria e tyre politike dhe të mësojnë një apo dy gjëra nga kundërshtarët e tyre mbi politikat që funksionojnë për njerëzit.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. Populism With Socialist Characteristics