Blog25 Jul 2017

Premtimi i fundit ‘historik’ i Vuçiçit: Një marrëveshje me Kosovën

Presidenti serb është zotuar të bëjë një marrëveshje për të zgjidhur njëherë e përgjithmonë çështjen e Kosovës, por mos prisni që kjo të ndodhë vërtet.

Autor: Dejan Anastasijeviç BIRN Beograd
Printo

Kryeministri serb Aleksandër Vuçiç. Foto: BETA

Ish-kryeministrit dhe aktualisht presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç i pëlqen ta përshkruajë veten me terma Prometeane.

Çfarëdo që ai bën, qoftë kjo hapja e një pjese hekurudhe apo diçka që hyn në një vizitë shtetërore, është gjithmonë “për herë të parë në historinë e kohëve të fundit”.

Ai e përdor aq shpesh këtë frazë, saqë është shndërruar në një shaka që njerëzit e thonë sa herë që do të bëjnë diçka të parëndësishme, si për shembull, do të hapin një birrë apo do të hedhin mbeturinat.

Megjithatë, këtë javë ai premtoi se do të bënte diçka vërtet të madhe. Do të zgjidhë çështjen e Kosovës, e cila po i rëndon Serbisë që nga fillimi i shekullit të 20-të dhe bëri që ajo të ishte vendi i parë europian që do të hynte ndonjëherë në luftë me NATO-n – dhe humbu, në vitin 1999.

Vuçiç e bëri zotimin e tij të hënën, më 24 korrik, në artikull të gjatë te Blic në Beograd.  Duke gjykuar nga një bollëk metaforash të përziera, analogjish të gabuara dhe dënimesh të paqarta pa asnjë thelb, ai me shumë gjasa e shkroi vetë atë, në vend që të angazhonte një shkrues fjalimesh.

(Shembull: “Është prandaj e rëndësishme, ose më e rëndësishme se kurrë, të shohim veten në pasqyrë, me kurajë, që të shohim qartë të gjitha shenjat, plagët dhe defektet në fytyrën tonë, por gjithashtu të përpiqemi të shërojmë ato që mund të shërohen, pa hequr dorë nga vetja para problemeve me të cilat po përballemi.”)

Vuçiç citon kryeministrin e ndjerë izraelit Shimon Peres dhe autorin amerikan Ambrose Bierce. S’është lexim i lehtë dhe pjesë të tij janë tepër frustruese.

Me pak fjalë: Vuçiç pohon se serbët i kanë mbajtur kokat e tyre të zhytura në rërë përsa i takon Kosovës, si strucë, për shumë kohë dhe se është koha për të thyhet heshtja dhe të bëhet një marrëveshje përfundimtare me shqiptarët etnikë që përbëjnë mbi 90 për qind të popullsisë së Kosovës.

Ai thekson rëndësinë e negociatave dhe paralajmëron se heshtja është e rrezikshme, sepse konfliktet e ngrira e kalojnë rrezikun e luftës te brezat e ardhshëm.

Ai e pranon se serbët, gjatë gjithë historisë, nuk kanë arritur t’i kuptojnë shqiptarët, forcën dhe aspiratat e tyre dhe i kanë trajtuar ashpër, por vë në dukje se shqiptarët bënë të njëjtin gabim sa herë që kishin fuqi të mëdha në anën e tyre.

Ai pohon gjithashtu se Serbia, nën sundimin e tij, është politikisht dhe ekonomikisht më e fortë se kurrë, dhe prandaj është në një pozitë të mirë për të negociuar. Kjo është arsyeja pse ai synon të fillojë një “dialog të brendshëm” mbi Kosovën në shtator me qëllim që të krijojë një platformë serbe të pranuar nga të gjithë.

Fatkeqësisht, Vuçiç është mjaft i paqartë në lidhje me marrëveshjen e ardhshme me kosovarët.

Nga njëra anë, ajo duhet të jetë “një zgjidhje e qëndrueshme, që do të përjashtonte mundësinë e konfrontimit dhe do të ishte e dobishme për të gjithë rajonin”.

Nga ana tjetër, serbët “duhet të jenë realistë, sepse ata s’mund t’ia lejojnë vetes të humbasin apo dorëzojnë atë që kanë tashmë dhe as të kalojnë kohë duke pritur të rimarrin diçka që e kanë humbur kohë më parë”.

Formati i dialogut të brendshëm duket gjithashtu po aq i paqartë.

Në një program televiziv të hënën të mbrëmje, Vuçiç njoftoi se ai ka ndërmend të konsultohet me liderët e partive politike serbe, priftërinj të lartë të Kishës Ortodokse Serbe dhe anëtarë të Akademisë së Shkencave dhe Arteve.

Kjo është diçka e këndshme, por pse liderët opozitarë serbë, të cilëve ai u referohet vazhdimisht so “llum”, “hajdutë” dhe “tradhtarë”,  duhet të pranojnë një vend në tryezën e tij dhe ndajnë fajin nëse marrëveshja shkon keq?

Nuk është çudi që deri më tani, vetëm disa politikanë të vegjël e pranuan thirrjen.

Kisha është ultra-konservatore, por aq shumë e varur nga subvencionet e qeverisë saqë ndoshta do ta bekojë propozimin që parashtron Vuçiç.

Përsa i takon Akademisë së Shkencave dhe Arteve, anëtarët e saj janë aq të ndarë për një sërë çështjesh (përfshirë edhe për teorinë e evolucionit) saqë vështirë se mund të priten të japin një kontribut të dobishëm.

Pra, dialogu i brendshëm ndoshta do të zhvillohet kryesisht në mendjen e Vuçiçit.

Duke pasur parasysh të kaluarën e tij ultra nacionaliste – ai ishte Ministër Informacioni i Millosheviçit gjatë luftës në Kosovë – ka gjasa që ky të ngjajë me dialogun e brendshëm të Gollum/Smeagol në filmin “Zoti i unazave” i JRR Tolkien.

“Ata shqiptarët e ndyrë na morën Kosovën tonë të çmuar. Ata duhen ndëshkuar,” do të thoshte Gollumi.

“Le të përpiqemi të tregohemi të sjellshëm me ata dhe ndoshta na rikthejnë ndonjë gjë,” do të përgjigjej Smeagoli.

Por ta lëmë mënjanë cinizmin dhe të imagjinojmë sikur Vuçiç synon vërtet të pajtohet me Kosovën. Çfarë do të nënkuptonte kjo?

Në jetën reale, Serbia ka shumë pak hapësirë për manovrim në këtë çështje, të paktën për aq kohë sa dëshiron të bashkohet t’i bashkohet Bashkimit Europian.

Bisedimet e ndërmjetësuara nga BE në Bruksel midis Beogradit dhe Prishtinës kanë filluar prej vitesh, me rezultate të përziera, por shtetet anëtare, të udhëhequr nga Gjermania, e kanë bërë mjaft të qartë atë që dëshirojnë të shohin në fund: një kontratë të përbashkët, bazuar në marrëveshjen e arritur nga dy Gjermanitë gjatë Luftës së Ftohtë, e cila do të lejonte që të dy vendet të bashkëjetojnë në mënyrë paqësore.

Shtetet e Bashkuara preferojnë njohjen e plotë reciproke, por ndoshta do të pranonin modelin gjerman. Çdo ide tjetër, siç është ndarja e Kosovës apo aneksimi i entitetit serb në Bosnjë si kompensim për Serbinë, ka gjasa të refuzohet menjëherë nga Kosova dhe nga Perëndimi.

Përveç kësaj, Vuçi ndoshta është i ndërgjegjshëm se angazhimi i tij në dialogun në Bruksel në lidhje me çështjen e Kosovës është arsyeja kryesore pse BE-ja është gati të tolerojë autoritarizmin e tij në rritje dhe politikat joliberale në vend.

Duke nxituar të arrijë një marrëveshje, kjo do të hiqej dhe ai me shumë gjasa do të përballej me një presion në rritje mbi çështje të tjera, siç është sundimi i ligjit në Serbi dhe marrëdhëniet e tij komode me Rusinë. Është shumë e pamundur që ai ta vërë veten në këtë situatë.

Pra, ata që presin një rezolutë përfundimtare këtë vjeshtë, ka gjasa të mbeten të zhgënjyer.

Në vend të kësaj, ata do të marrin një tjetër dramë të madhe, të shkruar dhe me regji të Vuçiçit, me të në rolin kryesor.

Me siguri do të jetë plot zë dhe zemërim.

Mos shpresoni për shumë gjëra të tjera.