Lajm11 Jul 2018

Premtonin ndikim te gjykata për 2 mijë euro, arrestohen një avokat dhe një polic

Një avokat dhe një punonjës policie, të cilët akuzohet se premtonin zgjidhje të çështjeve gjyqësore në këmbim të 2 mijë eurove u arrestuan në Durrës pas një kallëzimi nga gjykata.

Autor: Geri Emiri BIRN Durrës
Printo

Një punonjës policie dhe një avokat u arrestuan të martën në Durrës, me akuzën se u kanë premtuar personave të ndryshëm favore dhe ndikim të gjykatësit në këmbim të shumës 2 mijë euro.  Ministria e Brendshme njoftoi arrestimin nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) të inspektorit Haki Dyli, ndërsa u njoftuar edhe arrestimi i avokatit Devis Qana. Dy personat e ndaluar akuzohen për veprën penale, “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Gjykata e Durrësit. Foto: Geri Emiri

 

BIRN nuk arriti të kontaktonte me avokatët e dy të akuzuarve.

Ndërkohë pas arrestimeve Gjykata e Durrësit përmes një “deklarate për shtyp” njoftoi se ndalimi 60 vjeçarit Dyli, punonjës policie, ishte “bërë për llogari të procedimit penal të nisur mbi bazën e kallëzimit të kryetares së Gjykatës Durrës, Joana Qeleshi”.  Gjykata sqaroi se kallëzimi u krye “nisur nga dyshimet se punonjësi i policisë Haki Dyli merrte para në emër të gjyqtarëve dhe prokurorëve, pa dijeninë e këtyre të fundit, duke u premtuar dhe mashtruar qytetarët mbi zgjidhjen në favor të tyre të çështjeve gjyqësore”.

Sipas njoftimit të SHÇBA-së dyshohet se punonjësi i policisë në bashkëpunim me avokatin u premtonin palëve në proces hetimi dhe gjykimi “favorizim përmes ndikimit me forma anti-ligjore”. Në këmbim të saj “ata kërkonin shpërblime monetare që varionin deri në 2000 euro”, thuhet në njoftim.  Në raportin e punës së saj për vitin 2017, Prokuroria e Durrësit evidentoi 20 persona të proceduar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.