Lajm4 Jun 2021

Prerja e paligjshme e pyjeve, policia e Beratit procedon tre persona

Policia e Beratit, bëri me dije se nisi procedimin për tre persona, për veprën penale të “Prerja e paligjshme e pyjeve”, pasi gjeti një sipërfaqe toke e të dëmtuar në zonën e Poliçanit.

Autor: Erjola Azizolli BIRN Berat
Printo

Pyll i prerë . Foto ilustruese: Sami Curri

Tre persona u proceduan penalisht nga policia e Beratit, pasi u gjet se kishin dëmtuar dhe prerë një sipërfaqe pylli në Poliçan.

“Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në një sipërfaqe toke,  në vendin e quajtur “Shullër i Hadajve”, në Poliçan , kanë konstatuar të grumbulluar një sasi lënde  drusore, gati për transport,  që  ishte  prerë në mënyrë të paligjshme”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia tha se u gjetën në vend tre persona që pasi kishin prerë sasinë e lëndës drusore e kishin pregatitur për ta transportuar, por u kapën nga policia.

“Shtetasit M. T., 29 vjeç, banues në fshatin Zhitom, L. G., 31 vjeç, banues në Remanicë dhe D. B., 27 vjeç, banues në Velabisht, u proceduan penalisht, për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”.  Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve janë referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme”, bëri me dije policia e Beratit, në një njoftim për shtyp.

Shqipëria prej vitit 2016-të ka vendosur një moratorium 10-vjeçar që ndalon prerjet në të gjitha pyjet dhe eksportin e drurit, por prerjet e paligjshme vijojnë.