Lajm2 Jun 2021

Prerje e paligjshme e pyjeve, 4 persona procedohen penalisht në Bulqizë

Katër persona janë proceduar penalisht në Dibër pasi janë bllokuar me një sasi lënde drusore, e cila dyshohet se është prerë në mënyrë të paligjshme.

Autor: Sami Curri BIRN Tiranë
Printo

Pyll i prerë në zonën e Selishtës në Dibër. Foto: Sami Curri

Policia e Dibrës njoftoi të mërkurën nisjen e procedimit penal ndaj 4 personave të përfshirë në prerje të pyjeve.

“Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Bulqizë, filloi procedimi penal ndaj shtetasve: V.D., dhe E.K., 22 vjeç, banues në Bulqizë”, thuhet në njoftimin e DVP Dibër. Këta persona ishin konstatuar duke prerë lëndë drusore në mënyrë të paligjshme.

Policia njofton se ka bllokuar një sasi druri që po transportohej pa dokumentacionin përkatës. Ndërkohë në lidhje me këto raste, janë proceduar penalisht dy persona. “R.Sh., 33 vjeç; A.C., 52 vjeç, pasi janë kapur nga shërbimet e policisë duke transportuar me automjetet e tyre, lëndë drusore pa dokumentacion përkatës.”, thuhet në njoftimin e DVP Dibër.

Shqipëria prej vitit 2016-të ka vendosur një moratorium 10-vjeçar që ndalon prerjet në të gjitha pyjet dhe eksportin e drurit. Një studim i PPNEA (Shoqata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri), në nëntor 2019-të, gjeti se moratoriumi i pyjeve kishte kufizuar prerjet e pyjeve në sipërfaqe të mëdha, por se prerjet ishin intensifikuar në sipërfaqe të vogla.

Materialet procedurale në ngarkim të personave të lartëpërmendur i janë referuar Prokurorisë Dibër për veprime të mëtejshme hetimore.

Ky është rasti i tretë i goditjes së prerjeve të paligjshme të pyjeve në qarkun e Dibrës. Më parë një sërë zyrtarësh lokalë në njësinë administrative Selishtë, të bashkisë Dibër, ishin proceduar penalisht për fshehje të prerjeve të paligjshme të pyjeve.